Dasmat në Indi nuk karakterizohen vetëm me festë, por karakterizohen edhe nga disa tradita dhe rituale strikte. Për shembull, data e dasmës përcaktohet nga horoskopi i nuses dhe dhëndrit, jo nga preferencat e tyre. Ekzistojnë gjithashtu disa rregulla që diktojnë se si duhet të duket nusja në ditën e dasmës, pse duhet të veshë fustan të kuq e jo të bardhë, vendosja e pikës së kuqe në ballë e shumë zakone tjera.
1.Astrologjia përcakton datën e dasmës
Astrologjia luan një rol mjaft të rëndësishëm në kulturën hindu. Megjithatë, nuk është lloji i astrologjisë që haset në botën perëndimore. Astrologët në Indi i ndihmojnë njerëzit të marrin vendime të rëndësishme, madje duke ua përcaktuar edhe datën e dasmës. Njerëzit hindu besojnë se nëse data e martesës llogaritet në bazë të horoskopit të dhëndrit dhe nuses së ardhshme, martesa do të jetë e gjatë dhe e lumtur.
2.Nusja dhe dhëndri duhet të shkëmbejnë kurora lulesh
Një nga ritualet e rëndësishme që kryhet në dasmat indiane është shkëmbimi i kurorave. Në kohët e lashta, ky shkëmbim konsiderohej si pranimi i propozimit për martesë të çiftit. Nusja dhe dhëndri i dhurojnë njëri-tjetrit kurora të bëra me lule dhe që mbajnë aromë. Në ditët e sotme, kjo simbolizon dashurinë dhe respektin e të porsamartuarve.
3.Një vajzë mund të martohet me një pemë apo një qen
Në Indi, ekziston mundësia për t’u martuar jo vetëm me një qenie njerëzore, por edhe me një pemë apo edhe një tenxhere. Kjo praktikë e pazakontë ka një shpjegim kulturor.
Nëse një grua u lind në një periudhë të caktuar kohore – kur grafiku bart planetin Mars (Mangala), ajo quhet “manglike”. Disa njerëz hindu besojnë se gratë manglike kanë fat të keq që mund të shkaktojë probleme me burrat ose familjet e tyre në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse gruaja manglike mund të zgjedhë të “martohet” me një pemë, qen ose tenxhere përpara martesës së saj të vërtetë për të shmangur mallkimin. Pas ritualit, tenxherja shkatërrohet së bashku me fatin e saj të keq.
4.Këmbët e dhëndrit lahen me qumësht dhe mjaltë
Në disa komunitete Guxharat, kur dhëndri shkon në shtëpinë e nuses, vjehrra e tij kryen një ritual të pazakontë: ia lan këmbët dhëndrit me qumësht dhe mjaltë. Një përzierje e tillë quhet Madhuparka. Rituali besohet të jetë një nga mënyrat e lashta për të mirëpritur mysafirët.
5.Pluhur i kuq vendoset në flokët e nuses
Kur një grua martohet, në pjesën e flokëve të saj aplikohet një pluhur kozmetik me ngjyrë të kuqe ose portokalli, i quajtur sindoor. Kjo shenjë që nga kohërat e lashta shërben si një vërtetim i statusit martesor dhe shumë gra e aplikojnë atë edhe pas dasmave të tyre.
6.Këna aplikohet në duart dhe këmbët e nuses
Mehendi është ndoshta tradita më e njohur e dasmës indiane. Para dasmës, nusja zbukuron këmbët dhe duart e saj me këna. Rituali Mehendi ndodh kur nusja dhe familja e saj mblidhen së bashku. Besohet se këna promovon pjellorinë dhe largon shpirtrat e këqij për çiftin.
7.Nusja nuk vesh fustan të bardhë
Ndryshe nga vendet e tjera, nuset indiane nuk mund të veshin fustane të bardha në dasmë pasi veshjet në këtë ngjyrë zakonisht përdoren për zi, sipas kulturës hindu. Në vend të kësaj, gratë veshin sari me ngjyra të gjalla, duke preferuar të kuqen shumicën e kohës pasi ajo ka një sërë konotacionesh pozitive në kulturën indiane.
8.Nusja hedh oriz mbi kokë
Në fund të dasmës, një nuse duhet të bëjë ritualin e fundit, Vidaai, për t’u thënë “lamtumirë” prindërve të saj. Gjatë këtij rituali, nusja duhet të hedhë oriz mbi kokën e saj dhe nëna e saj që qëndron prapa duhet ta kapë atë. Është gjithashtu një mënyrë simbolike për të falënderuar prindërit për gjithçka që kanë bërë për vajzën e tyre./UBTNews
Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.
Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.
Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.
Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/
UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.
Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.
Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!
Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.
Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.
Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].
Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.
Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.
Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.
Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.
Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.
Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.
Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.
(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)
Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.
Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.
“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/