Internet

TikTok i përgjigjet shqetësimeve të BE-së mbi privatësinë e të dhënave

Fuqitë perëndimore kanë marrë një qasje të ashpër ndaj aplikacionit.

Publikuar

TikTok nisi të mërkurën një përpjekje të re për të qetësuar shqetësimet e liderëve evropianë mbi sigurinë e të dhënave, ndërsa qeveritë perëndimore konsiderojnë ndalime të mëtejshme për platformën.

Fuqitë perëndimore, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë marrë një qasje të ashpër ndaj aplikacionit, i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance.

Ata janë të shqetësuar se Pekini mund të aksesojë të dhënat e ndjeshme të përdoruesve nga e gjithë bota.

Drejtuesit e TikTok thanë se kompania po punonte me një kompani sigurie evropiane të palës së tretë për të mbikëqyrur dhe kontrolluar se si i trajton të dhënat e përdoruesve evropianë, të cilat do të ruhen në tre qendra në Dublin dhe Norvegji nga viti 2023 e tutje.

TikTok këmbënguli se ky projekt do të reduktonte gjithashtu aksesin e punonjësve të tij në të dhënat e përdoruesve.

Kompania ka refuzuar të emërojë partnerin, por projekti është me vlerë 1.2 miliardë euro dhe filloi gjashtë muaj më parë, tha për gazetarët Theo Bertram, nënkryetari i politikave publike evropiane të TikTok.

Institucionet qeverisëse të BE-së i thanë stafit javët e fundit që të largonin aplikacionin nga telefonat dhe laptopët që përdoren për qëllime pune.

Ligjvënësit amerikanë po nxisin një projekt-ligj që do ta bënte më të lehtë ndalimin e aplikacionit.

Disa qeveri kombëtare në Evropë kanë kufizuar gjithashtu TikTok-un për punonjësit e qeverisë, dhe të tjera po shqyrtojnë se si të trajtojnë shqetësimet e sigurisë kibernetike që lindin nga aplikacioni.

Republika Çeke u bë e fundit që lëshoi paralajmërime të mërkurën./UBTNews/

Internet

Hakerët pro-rusë sulmojnë Shqipërinë

Kjo informatë ka dalë nga një kanal në Telegram.

Publikuar

nga

Ueb-faqe të ndryshme të institucioneve shtetërore e private të Shqipërisë kanë rënë pre e një sulmi kibernetik, që dyshohet të jetë bërë nga hakerë pro-rusë. Kjo informatë ka dalë nga një kanal në Telegram.

Sulmi, sipas njoftimit të bërë nga grupi me emrin “NoName057(16)”, një grup hakerësh pro-rusë, thuhet se ka ndodhur për shkak të rreshtimit të Shqipërisë përkrah Ukrainës në luftën e saj për të dëbuar pushtuesit rusë nga territori i vet.

“Shqipëria është bërë një tjetër vend që ka vendosur t’i bashkohet deklaratës së vendeve të G7 për sigurinë e neonazistëve ukrainas. Autoritetet shqiptare i kanë dorëzuar tashmë Ukrainës 22 transportues të blinduar dhe predha mortajash”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e këtij grupi.

Ata po ashtu lanë edhe një mesazh tjetër në lidhje me Kosovën.

“Ju kujtojmë se Kosova është Serbi dhe ne do të shkatërrojmë infrastrukturën shqiptare të internetit”.

Në fund, grupi ka kërkuar “vëllezër serbë” për t’u dalë në ndihmë në misionin e tyre.

Deri tani, sipas grupit, faqet e sulmuara dhe që janë jashtë funksionit, janë këto:

  • Parlamenti Shqiptar
  • Autoriteti Portual Durrës
  • Uebfaqja e qytetit të Tiranës
  • Dega shqiptare e Raiffeisen Bank Albania
  • Banka e Bashkuar e Shqipërisë.

Kush është grupi NoName057(16)?

NoName057(16) është një grup hakerësh pro-rusë që u deklarua fillimisht në mars 2022 dhe mori përgjegjësinë për sulmet kibernetike në uebsajtet ukrainase, amerikane dhe evropiane të agjencive qeveritare, mediave dhe kompanive private. Ai konsiderohet si një grup aktivist i paorganizuar dhe i lirë pro-rus që kërkon të tërheqë vëmendjen në vendet perëndimore, sipas “Wikipedia”.

Sulmet e para të pretenduara nga grupi në mars 2022 ishin sulmet DDoS të cilat synonin faqet e internetit të lajmeve dhe mediave të Ukrainës “Zaxid”, “Fakty UA” dhe të tjerë. Në përgjithësi, motivimet përqendrohen për të heshtur atë që grupi e konsideron si anti-ruse.

NoName057(16) funksionon duke përdorur kanale në rrjetin social rus Telegram ku ata marrin përgjegjësinë për sulmet e tyre, tallen me objektivat, bëjnë kërcënime dhe ndajnë përmbajtje edukative. Ata kanë përdorur GitHub për të “host”-uar uebsajtin e tyre të veglave DDoS dhe pjesët tjera të lidhura. Grupi ka zhvilluar një mjet DDoS të quajtur DDOSIA, i cili kryen sulme që vë jashtë funksionit ueb-faqet e synuara./Klankosova.tv

Vazhdo të lexosh

Internet

Erdogani i kërkon Muskut të ndërtojë fabrikën e Teslës në Turqi

Tesla nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Publikuar

nga

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i kërkoi drejtuesit të Teslës, Elon Musk të ndërtojë një fabrikë Tesla në Turqi, tha të hënën drejtoria e komunikimit të vendit.

Ai citoi Musk të thoshte se shumë furnizues turq tashmë po punojnë me Teslën dhe se Turqia ishte ndër kandidatët më të rëndësishëm për fabrikën e saj të ardhshme.

Tesla nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment, raporton Reuters.

Erdogan dhe Musk po flisnin gjatë një takimi në Shtëpinë Turke, një rrokaqiell pranë Kombeve të Bashkuara në New York, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë, Anadolu.

Vazhdo të lexosh

Internet

Risitë dhe produktet e pritshme nga Apple në eventin vjetor të debutimit të iPhone

Vëmendje do të marrë USB-C ndërsa Apple ndryshon portat e karikimit në përgjigje të rregullores së re evropiane.

Publikuar

nga

Eventi tradicional i shtatorit të Apple quajtur “Wonderlust” është pranë nesh. Katër modele të reja iPhone dhe disa orë inteligjente Apple Watch pritet të zënë skenën kur kompania të zbulojë produktet më të fundit.

Vëmendje do të marrë USB-C ndërsa Apple ndryshon portat e karikimit në përgjigje të rregullores së re evropiane. Edhe pse asgjë nuk është bërë publike, të paktën derisa Tim Cook të shfaqet në skenë, kemi mbledhur në këtë artikull disa prej informacioneve më të bujshme për ti paraprirë evenimentit të 12 Shtatorit.

iPhone 15 dhe iPhone 15 Pro

Pavarësisht produkteve të tjera që Tim Cook mund të prezantojë, një gjë është e garantuar: iPhone-t e rinj. Presim që krahas modeleve të segmentit të lartë iPhone 15 Pro dhe iPhone 15 Pro Max të shohim edhe variantet më buxhetore të tyre si iPhone 15 dhe iPhone 15 Plus.

Një raportim i hershëm thoshte se Apple mund të ribrandojë modelin Pro Max në iPhone 15 Ultra këtë vit, megjithatë nuk është e qartë nëse vijon të jetë në planet e kompanisë.

Së pari ekranet me shumë gjasa do të qëndrojnë ashtu siç janë duke ruajtur madhësitë 6.1-inç për iPhone 15 dhe iPhone 15 Pro dhe 6.7-inç për iPhone 15 Pro Max dhe iPhone 15 Plus.

Pro Motion, brandimi i Apple për ekranet me frekuencë të lartë rifreskimi prej 120Hz, do të mbeten ekskluzivitet i modeleve të shtrenjta “Pro.”

Siç është përfolur prej shumë kohësh, kabllot Lightning do të dalin jashtë përdorimi. Pasi erdhën një dekadë më parë për të zëvendësuar kabllin e vjetër me 30 gjilpëra, autoritetet rregullatorë janë shtysa kryesore e largimit të Apple nga konektori Lightining.

Bashkimi Evropian ka përcaktuar USB-C si konektorin universal që duhet të përdoret fillimisht nga pajisjet e vogla elektronike si telefonët dhe tabletët në Europë me qëllim të reduktimit të mbetjeve elektronike.

Analisti i mirënjohur i Apple Ming-Chi Kuo parashikon se vetëm modelet iPhone të segmentit të lartë do të shohin shpejtësi më të larta transferimi USB-C ku modelet Pro do të vinë me të paktën USB 3.2 dhe Thunderbolt 3. Ndërkaq modelet iPhone 15 dhe iPhone 15 Plus do të përdorin standardin më të ngadaltë USB 2.0 po aq sa ofronte Lightning.

Ishulli Dinamik, prerja e ekranit që Apple e lançoi me iPhone 14 Pro dhe Pro Max pritet të aplikohet në katër modelet që do të prezantohen ditën e nesërme. Jo vetëm që maskon kamerën frontale dhe sensorin Face ID, por gjithashtu ndriçon kur ka njoftimet, përmban animacione dhe shkurtesa për drejtimin e makinës, kronometër apo muzikë.

Një përmirësim materiale mund të vijë në formën e titaniumi në vend të çelikut për iPhone 15 Pro dhe Pro Max sipas Mark Gurman të Bloomberg. Ai tha se titani do të përdoret edhe në modelet e segmentit të lartë të orëve inteligjente të Apple.

Korniza më të holla gjithashtu pritet të shoqërojnë seritë Pro të iPhone. Raportohet se Apple por zhvillon ekranet e iPhone 15 Pro dhe Pro Max me një proces të quajtur LIPO. Përdorur për herë të parë në prodhimin e serive Apple Watch 7, Gurman raportoi se teknologjia mund të reduktojë kornizën e ekranit në vetëm 1.5mm nga 2.2 mm që është aktualisht.

Seritë iPhone 15 Pro mund të vinë me një Buton Aksioni njëlloj si Apple Watch Ultra. Ky buton i përshtatshëm mund të zëvendësojë butonin e çaktivizimit të tingujve në cepin e majtë lartë për modelet Pro të iPhone. Përdorime të tjera të Butonit të Aksionit mund të jenë për lançimin e kamerës, aktivizimin e blicit, fokusit apo hapur opsione aksesibiliteti.

Së fund mbase përmirësime që tërheq më tepër vëmendje është ai i sistemit të kamerave, kryesisht për modelet e orientuar drejt fotografisë si iPhone 15 Pro dhe Pro Max. Një lente e re periskop do të jetë ekskluzivitet vetëm i iPhone 15 Pro Max dhe të përdoren një prizëm për të përthyer dritën kapur nga sensori dhe prodhuar një zmadhim optik 5x ose 6x pa pasur nevojë që të rritet trashësia e smartfonit.

Seritë iPhone 14 Pro mbështetin një zmadhim optik prej 3x. iPhone 15 Pro dhe Pro Max raportohet se do të vinë me çipin e ri 3-nanometër quajtur Apple A17 Bionic. Do të sillte një rritje performance të konsiderueshme ndërsa modelet më buxhetore si iPhone 15 dhe 15 Plus të vijojnë përdorimin e A16 Bionic që gjendet në iPhone 14 Pro.

Apple Watch Series 9 dhe Apple Watch Ultra

Ky mund të jetë viti i përditësimeve të vogla për Apple Watch. Ndryshimi madhor i harduerit në Apple Watch 9 do të jetë çipi S9 dhe është ndryshimi i parë i rëndësishëm i procesorit që prej 2020-ës.

Gurman i Bloomberg raportoi se S9 do të jetë i bazuar në çipin A15 që debutoi me iPhone 13. Detajet e plota të S9 nuk janë të njohur por spekulohet se do të zhvendoset nga procesori prodhues 7-nanometër në 5-nanometër apo edhe 4-nanometër. Kjo do të sillte rritje performance dhe jetëgjatësi më të lartë baterie.

Gurman thotë se modeli i këtij viti nuk do të ketë ndonjë ndryshim madhor dizajni apo funksionalitete të reja. Një ngjyrë e re pink apo Bluetooth 5.3 janë shtesa të mundshme. Megjithatë versioni i ardhshëm i sistemit operativ watchOS 10 është përditësim më i madh i softuerit në historinë e pajisjes dhe do të paraqitet si avancimi më i madh i Apple Watch në 2023.

Sa i përket Apple Watch Ultra, pritet që të pajiset me çipin e ri S9 dhe mundësisht një kasë prej titani.

AirPods

Kufjet e Apple janë produkti i radhës që do të shohë ndryshimin e portës së karikimit nga Lightining në USB-C. Kompania raportohet se do të prezantojë versione të reja të AirPods me kasa karikimi që përdorin USB-C.

Disa ndryshime të spekuluara për kufjet AirPods janë sensorë temperature, funksionalitete aksesibiliteti për njerëz me aftësi të kufizuara dhe potencialisht ulje e çmimit për modelin bazë. Megjithatë nuk presim që këto të bëhen publike ditën e marte.

Softueri

Ditën e nesërme Apple do të zbulojë më shumë detaje rreth përditësimeve madhore si: iOS 17, iPadOS 17 dhe watchOS 10.

Apple i prezantoi sistemet operative në WWDC 2023 dhe versionet e tyre përfundimtare do të bëhen publike diku mes evenimentit dhe debutimit të iPhone 15. Ndërkaq sistemit operativ desktop macOS Sonoma do të mbërrijë në Tetor gjatë një evenimenti tjetër potencial që mund të sjellë iMac të rinj, MacBook Air dhe modelet 13-inç MacBook Pro me çipin M3./PCWorld Albanian

Vazhdo të lexosh

Internet

TikTok hap qendrën e parë të të dhënave në Evropë

Firma tha se të dhënat e përdoruesve evropianë tashmë po migrohen në serverët e kompanisë në Dublin.

Publikuar

nga

TikTok hapi qendrën e parë evropiane të të dhënave për të adresuar shqetësimet lidhur me mbikëqyrjen shtetërore kineze.

Firma tha se të dhënat e përdoruesve evropianë tashmë po migrohen në serverët e kompanisë në Dublin si pjesë e përgjigjes së kompanisë ndaj shqetësimeve të privatësisë.

TikTok, që është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, thotë se asnjëherë nuk i ka dorëzuar të dhëna Pekinit. Kritikët frikësohen se shteti kinez mund të kërkojë qasje kurdo.

Gjiganti i platformës së shpërndarjes së videove mund të lejojë një kompani evropiane të sigurisë qasje në praktikat e saj të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave.

TikTok e ka quajtur nismën si Project Clover dhe po ndiqet paralelisht me Project Texas, një masë e ngjashme për adresimin e shqetësimeve të autoriteteve Amerikane./PCWorldAlbanian

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara