Fitorja spektakolare e Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3 nuk ka kaluar pa u vënë re as në skenën ndërkombëtare, teksa edhe vetë FIFA ka reaguar pas ndeshjes, duke e cilësuar Kombëtaren e Kosovës vetëm një hap larg kualifikimit për Kupën e Botës.
Në një postim zyrtar, FIFA theksoi se “është vetëm edhe një hap për Kosovën drejt Botërorit”, duke e shoqëruar mesazhin me imazhe nga festa e lojtarëve pas një ndeshjeje dramatike.
Kosova arriti këtë fitore pas një përballjeje të vështirë, ku Sllovakia e nisi më mirë dhe mori epërsinë, duke e vendosur në presion ekipin kosovar. Megjithatë, “Dardanët” reaguan me karakter, duke barazuar dhe më pas duke përmbysur rezultatin në pjesën e dytë me një lojë të organizuar dhe efikase në sulm. Edhe pse vendasit tentuan të rikthehen në fund dhe e bënë rezultatin të ngushtë, Kosova arriti ta menaxhojë avantazhin dhe të sigurojë një fitore shumë të rëndësishme.
Ky triumf jo vetëm që i mban gjallë shpresat për kualifikim, por e vendos Kosovën shumë pranë një arritjeje historike në arenën ndërkombëtare. Tashmë, gjithë vëmendja është te sfida e radhës ndaj Turqisë, një ndeshje që mund të vulosë fatin e Kosovës dhe ta dërgojë drejt Botërorit, aty ku do të ishte një moment historik për futbollin kosovar.