Lajmet

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj ministres Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë

Published

on

Ajo ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021 nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e marrë më 19 qershor 2024, përmes të cilit gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.

E me qëllim që gjykata të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje penale, si dhe për faktin se e njëjta detyrohet që saktësisht dhe tërësisht të vërtetoj faktet për të marrë një vendim të ligjshëm, ka vendosur që procedura penale e filluar ndaj Gërvallës të vazhdohet tutje në fazat e tjera të procedurës.

Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme. Më pas avokatja e saj, Keqekolla-Sadiku, kishte parashtruar kërkesë të hedhet poshtë aktakuza.

Mbrojtja kishte pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se e mbrojtura e saj ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, duke theksuar se aktakuza është e mangët dhe nuk është në harmoni me kërkesat ligjore.

“… ngase Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme që kishte për të vërtetuar “dyshimin e bazuar mirë”, se e pandehura ishte subjekt i cilësdo formë të kryerjes së veprës penale që i vihet në barrë”, kishte theksuar avokatja Keqekolla-Sadiku në kërkesën e saj.

Mirëpo, kërkesa e tillë e mbrojtjes, sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, është e pabazuar dhe e njëjta është refuzuar.

Gjykata ka gjetur se aktakuza mbështetet në prova të marra konform dispozitave ligjore dhe sipas saj, nuk ka vend për hedhje të aktakuzës ngase nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, vepra penale nuk është përfshirë në parashkrim dhe nuk ka rrethana tjera të cilat e pengojnë ndjekjen penale.

“… duke marrë parasysh se në këtë fazë të procedurës penale kemi të bëjmë edhe me ligjshmërinë e aktakuzës gjykata çmoi se vepra penale për të cilën akuzohet e pandehura përbën vepër penale, andaj duke marrë parasysh se në bazë të nenit 7 të KPRK-së gjykata detyrohet që saktësisht dhe tërësisht t’i vërtetoj faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm konsiderojmë se në këtë çështje penale duhet të mbahet shqyrtimi gjyqësorë në mënyrë që gjykata të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje penale”, thuhet tutje në vendimin e Gjykatës.

Po ashtu, pretendimet e mbrojtjes se nuk është vërtetuar implikimi i të pandehurës në çështjen penale që i vihet në barrë, kjo gjykatë i ka vlerësuar si të pabazuara sepse ngjarja e paraqitur nga mbrojtja nuk mund të shqyrtohet në këtë fazë të procedurës penale.

“Për faktin se gjykata nuk është e autorizuar të bëjë vlerësimin e provave në këtë fazë të procedurës, pretendimet në rastin konkret janë çështje që do të vlerësohen dhe vërtetohen në shqyrtimin gjyqësor të mëtutjeshëm pas administrimit të provave, ku edhe do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të pandehurës”, thuhet në këtë vendim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik – Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2. Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga Neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023, kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare. Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj. /BetimipërDrejtësi

Lajmet

Dortmund rikthen interesimin për Fisnik Asllanin

Published

on

By

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së gjigantit gjerman Borussia Dortmund. Sipas raportimeve nga gazeta e njohur gjermane “Bild”, drejtuesit e “Verdhëzinjve” po e ndjekin me interes të madh situatën e talentit kosovar, duke e parë atë si një pasues adekuat të Serhou Guirassyt.

Skenari më i mundshëm për momentin mbetet ai i një huazimi, një formulë kjo që më parë u tentua edhe nga RB Leipzig. Nga ana e tij, Asllani është i hapur për të gjitha opozicionet e mundshme në tregun e transferimeve dhe nuk do ta refuzonte një kalim te Dortmundi, çka do të shënonte një hap gjigant në karrierën e tij. /Bild/

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohet nga Kosova në Spanjë një person i kërkuar nga Interpoli për “rrëmbim të fëmijës”

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, një shtetas i huaj është ekstraduar më 20 gusht 2026 nga Kosova drejt Spanjës.

Policia, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e personit i cili ishte arrestuar në Kosovë.

I dyshuari kërkohej përmes INTERPOL-it, me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Spanjës, nën dyshimin për veprën penale “rrëmbim i fëmijës”.

Sipas njoftimit, ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Spanjës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të veprave penale dhe kapjes së personave të kërkuar ndërkombëtarisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PDK: Nuk do të takohemi më me Kurtin, zgjedhjen e presidentit ta bëjë pa votat tona

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në takime të tjera me kryeministrin në detyrë, njëherësh kryetarin e LVV-së Albin Kurti, duke i cilësuar ato si të padobishme dhe si zvarritje të procedurave për konstituimin e institucioneve.

Deputetja e PDK-së, Besa Deliu, tha se partia e saj e ka të qartë qëndrimin dhe se rruga për dalje nga situata aktuale është konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“PDK-ja e ka qartësuar pozicionin e saj. Ne nuk kemi nevojë që të takohemi më me Albin Kurtin, pasi është parë se këto takime janë farsë. Po të kishte vullnet Albin Kurti, e para do të konstituonte Kuvendin e Kosovës dhe dyta do të sillen në harmoni të plotë me rregullat dhe ligjet e Republikës. Ne nuk do të takohemi me Albin Kurti pasi është parë se këto takime i shërbejnë vetëm zvarritjes së procedurave për ta cuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Këto takime nuk kanë prodhuar asgjë dhe ne jemi të qartë se nuk do të takohemi. Ftesa jonë është të kthehemi te konstituimi dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës”

Ajo i bëri i Kurtit ta zgjedh presidentin pa votat e 22 deputetëve të PDK-së.

Duke folur për thirrjen e ShBA-së që të formohen institucionet e reja, ajo theksoi se kërkesa e SHBA-së është në linjën e njëjtë me kërkesën që kanë ata si PDK.

Përndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi./KosovaPress/ A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Mbi një kilogram marihuanë konfiskohet në Brezovicë, arrestohet 27-vjeçari

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, një 27-vjeçar është arrestuar në Brezovicë nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.

Rasti është raportuar më 19 gusht, rreth orës 23:30, pasi njësitet e Stacionit Policor në Shtërpcë kishin pranuar informatë për një substancë të dyshuar narkotike në një villë të pabanuar në Brezovicë.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe dy peshore digjitale. Për shkak të dyshimeve se mund të kishte edhe substanca të tjera, është kontrolluar edhe një vilë tjetër, ku është gjetur sasi shtesë e marihuanës.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar gjithsej 1,063 gramë marihuanë e dyshuar, dy peshore digjitale, një çantë krahu, një thikë metalike dhe një telefon celular.

Për rastin është njoftuar edhe Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, ndërsa prokurori i shtetit ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit dhe ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara