Kulturë

“The Kiss” e Gustav Klimt, kryevepra që u bë simbol universal i dashurisë

Published

on

Pak vepra në historinë e artit kanë arritur statusin ikonik që gëzon “The Kiss” (Puthja) e piktorit austriak Gustav Klimt. E realizuar ndërmjet viteve 1907–1908, gjatë të ashtuquajturës “Periudha e Artë” të artistit, kjo pikturë konsiderohet kryevepra e tij dhe një nga veprat më të rëndësishme të artit evropian të fillimit të shekullit XX.

Sot, piktura ruhet në Galerinë Belvedere në Vjenë, ku vazhdon të tërheqë miliona vizitorë nga e gjithë bota.

Vepra paraqet një çift të përqafuar mbi një livadh me lule, në buzë të një gremine. Burri përkulet për të puthur gruan, ndërsa ajo, me sytë e mbyllur, duket e dorëzuar plotësisht në momentin e intimitetit. Të dy janë të mbështjellë nga një mantel i artë, që i bashkon në një tërësi të vetme dhe simbolizon forcën e dashurisë.

Një nga elementet më të veçanta të pikturës është përdorimi i fletëve të arit, teknikë që Klimti e zhvilloi pasi u frymëzua nga mozaikët bizantinë gjatë vizitës së tij në Ravenë të Italisë. Ari nuk shërben vetëm si zbukurim, por krijon një atmosferë të shenjtë dhe të përjetshme, duke e ngritur skenën në një dimension simbolik.

Kontrasti mes motiveve gjeometrike dhe atyre organike është një tjetër karakteristikë e rëndësishme. Veshja e burrit dominohet nga forma katrore e drejtkëndore, të cilat lidhen me forcën dhe energjinë mashkullore, ndërsa fustani i gruas është i zbukuruar me rrathë, spirale dhe motive lulesh, që simbolizojnë butësinë, pjellorinë dhe natyrën femërore.

Edhe pse në qendër të kompozimit është një puthje, vepra trajton tema universale si dashuria, bashkimi shpirtëror, intimiteti, përkushtimi dhe përjetësia. Çifti paraqitet i shkëputur nga bota përreth, në një hapësirë ku koha duket se nuk ekziston, çka ka bërë që historianët e artit ta interpretojnë pikturën si një metaforë të dashurisë absolute.

“The Kiss” u krijua në kulmin e lëvizjes Vienna Secession, ku Gustav Klimt ishte një nga themeluesit dhe figurat kryesore. Piktura mishëron idealet e kësaj lëvizjeje, duke ndërthurur simbolizmin, dekorativitetin dhe emocionin njerëzor.

Kur u prezantua për herë të parë në vitin 1908, vepra u prit me entuziazëm të madh. Shteti austriak e bleu atë ende pa përfunduar ekspozita, për një shumë rekord për kohën, duke vulosur menjëherë statusin e saj si një prej kryeveprave të artit modern.

Edhe më shumë se një shekull pas krijimit, “The Kiss” mbetet një nga pikturat më të njohura dhe më të riprodhuara në botë. Ajo shfaqet në libra, postera, kartolina dhe produkte të ndryshme kulturore, duke u kthyer në një simbol universal të dashurisë.

Përtej popullaritetit të saj, vepra vazhdon të vlerësohet për pasurinë simbolike, mjeshtërinë artistike dhe aftësinë për të përcjellë emocione që mbeten po aq të fuqishme edhe sot, duke e bërë atë një nga arritjet më të mëdha të artit modern./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Shame and Money”, filmi fitues në edicionin e 18-të të PriFest

Published

on

Çmimi për filmin më të mirë, “Vjosa Berisha Award” në edicionin e 18-të të PriFest I është ndarë filmit “Shame and Money” me regji të Visar Morinës.

Filmi, që trajton historinë e një çifti në të 40-at, i cili detyrohet të largohet nga shtëpia dhe ferma e tij në Kosovë pas një konflikti familjar, do të shfaqet më 23 shtator, në orën 18:30, në Kinema Millennium, në kuadër të Tirana Film Festival. “Shame and Money” sjell në qendër përpjekjen e çiftit për të nisur një jetë të re në Prishtinë, duke u përballur me presionin dhe realitetin e një shoqërie gjithnjë e më kapitaliste./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Die Fledermaus” rikthehet në skenën e TKOBAP-së më 25, 26 dhe 27 shtator

Published

on

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të sjellë në skenë operetën e njohur “Die Fledermaus” të kompozitorit Johann Strauss II, më 25, 26 dhe 27 shtator.

E cilësuar si një nga veprat më të dashura të repertorit të operetës, “Die Fledermaus” sjell një histori plot keqkuptime, identitete të rreme, flirt, sekrete dhe situata komike.

Ngjarjet zhvillohen rreth një feste me maska, ku një hakmarrje shndërrohet në një seri episodesh të papritura, të shoqëruara nga ritmet karakteristike të valsit vjenez.

Me humor, elegancë dhe atmosferë festive, shfaqja premton muzikë dhe argëtim, ndërsa maskat bien njëra pas tjetrës dhe sekretet dalin në dritë.

Biletat mund të blihen pranë biletarisë së TKOBAP-së, nga e hëna deri të dielën, në oraret 10:00–14:00 dhe 16:00–20:00. Në ditët e shfaqjeve, biletaria do të jetë e hapur nga ora 10:00 deri në 14:00 dhe nga 16:00 deri në 19:30.

“Die Fledermaus” fton publikun të përjetojë një festë ku asgjë nuk është ashtu siç duket dhe ku, deri në fund, askujt nuk mund t’i besohet plotësisht./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Neighbours / From Motherland” hap edicionin e pestë të International Dance Festival of Tirana

Published

on

Edicioni i pestë i International Dance Festival of Tirana (IDFT) do të hapet këtë tetor me shfaqjen “Neighbours / From Motherland”, me koreografi të Brigel Gjokës dhe Rauf “RubberLegz” Yasit.

Shfaqja do të prezantohet më 3 dhe 4 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, ndërsa më 7 tetor do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“From Motherland” trajton tema si identiteti, trashëgimia, përkatësia dhe kujtesa e përcjellë ndër breza, duke sjellë në fokus lidhjet mes individit, vendit dhe kujtesës kolektive.

Vepra vjen si bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë dhe Baletit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja përfaqëson një kapitull të ri të projektit “Neighbours”, duke sjellë një tjetër bashkëpunim artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe duke bashkuar në skenë performues nga të dyja vendet./A.K/

Continue Reading

Kulturë

Zbulohet thesari i Romës Antike, hapen për publikun freskat dhe mozaikët unikë

Published

on

By

Autoritetet italiane kanë hapur për herë të parë për publikun një prej komplekseve më të mëdha të freskave dhe mozaikëve të periudhës së Romës Antike, të zbuluara në një galeri nëntokësore të ish-Termave të Trajanit në Romë.

Freskat dhe mozaikët, të cilët datojnë në shekullin I të erës sonë, u zbuluan gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1990 në kodrën Opio, pranë Koloseut. Tashmë, pas një procesi të gjatë restaurimi, veprat “Qyteti i pikturuar” dhe “Mozaiku i madh” janë prezantuar për publikun.

Vizitat fillimisht do të zhvillohen në grupe prej maksimumi 15 personash, ndërsa ekspertët do të monitorojnë ndikimin e lagështirës dhe faktorëve të tjerë klimatikë në këto vepra të ndjeshme. Në varësi të rezultateve, qasja mund të zgjerohet edhe për më shumë vizitorë.

Kryetari i Romës, Roberto Gualtieri, ka vlerësuar veçantinë e freskës “Qyteti i pikturuar”, e cila paraqet nga një këndvështrim i lartë një qytet-port të fortifikuar. Sipas tij, bëhet fjalë për freskën më të madhe të këtij lloji të zbuluar në Romën e lashtë.

“Është vërtet unik në botë, si për nga bukuria artistike, ashtu edhe për nga rëndësia historike dhe dokumentare”, ka deklaruar Gualtieri.

Në freskë paraqiten ndërtesa, një teatër, tempull, sheshe publike dhe kulla, duke ofruar një pamje të jashtëzakonshme të një qyteti të madh të asaj kohe. Megjithatë, arkeologët ende nuk kanë arritur të përcaktojnë se cilit qytet i referohet vepra.

Edhe “Mozaiku i madh” paraqet një pasuri të rrallë artistike. Ai përmban elemente të ndërlikuara arkitekturore, kolona dhe figura të vendosura në katër nivele. Gjatë restaurimit janë zbuluar edhe detaje të një tjetër paraqitjeje të një qyteti-port në pjesët e poshtme të mozaikut.

Termat e Trajanit shtriheshin në rreth gjashtë hektarë dhe në kohën e tyre konsideroheshin kompleksi më i madh i banjove publike në botë. Përveç hapësirave për larje dhe aktivitete sportive, kompleksi kishte edhe ambiente të dedikuara për kulturën.

Në mesin e tyre ndodhet edhe një strukturë e madhe gjysmërrethore, e cilësuar si “bibliotekë”, e cila besohet se ishte pjesë e kompleksit termal dhe u ofronte vizitorëve mundësinë të kombinonin aktivitetet fizike me jetën kulturore.

Zbulimet e reja u japin arkeologëve dhe publikut një mundësi të rrallë për të parë nga afër një pjesë të jetës dhe artit të Romës Antike, të ruajtur për afro dy mijë vjet.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara