Lajmet

Thaçi, Smakaj, Kilaj, Kuçi dhe Fazliu presin sot vendimin e Speciales

Published

on

Ish-presidenti Hashim Thaçi, së bashku me katër të akuzuar të tjerë, presin sot shpalljen e aktgjykimit në Dhomat e Specializuara në Hagë, lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë, të cilat mbrojtja i ka kundërshtuar si të paprovuara dhe juridikisht të gabuara.

Seanca për shpalljen e vendimit është caktuar në orën 10:00 nga gjykatësi Christopher Gosnell, i cili ka urdhëruar paraqitjen e të pesë të akuzuarve. Krahas Thaçit, vendimin do ta dëgjojnë edhe ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.

Në qendër të këtij procesi gjyqësor janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit. Në fjalën përmbyllëse, prokurori Joshua Hafetz përmendi rreth 28 orë incizime të realizuara gjatë nëntë vizitave përgjatë katër muajve, të cilat Prokuroria i interpreton si dëshmi të përpjekjeve për ndërhyrje te dëshmitarët. Për këtë, ajo mbështetet te incizimet, dokumentet përcjellëse dhe verifikimet e njësisë gjuhësore të gjykatës.

Nga ana tjetër, ekipi mbrojtës i Thaçit ka kundërshtuar ashpër si interpretimin e Prokurorisë, ashtu edhe besueshmërinë e transkripteve. Sipas avokatëve, hetimet nuk kanë siguruar prova për kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët, pjesë të bisedave kanë qenë të pakuptueshme, ndërsa transkriptimi nga personeli i Prokurorisë rrezikonte të ndikohej nga pritshmëritë e hetuesve. Po ashtu, mbrojtja ka kontestuar trajtimin si konfidencial të informacioneve që ishin publike ose kujtime të përbashkëta, duke argumentuar se dispozitat penale janë interpretuar përtej praktikës gjyqësore të Kosovës.

Për besueshmërinë e transkripteve në gjykatë dëshmoi edhe ekspertja e thirrur nga mbrojtja, Helen Fraser, e cila e vlerësoi të ulët besueshmërinë e tyre për shkak të metodës së përdorur dhe mungesës së garancive të mjaftueshme për saktësi, ndonëse sqaroi se nuk mund të pohonte që ato ishin të gabuara, duke pranuar edhe kufizimin nga mosnjohja e gjuhës shqipe. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Tetë persona nën dyshimin për kalim ilegal të kufirit në tri raste të ndara

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të dyshuara të kalimit ilegal të kufirit, të regjistruara më 16 nëntor në Kamenicë, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë dhe në Bërnjak.

Në fshatin Novosellë të Kamenicës, policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, në të cilën ndodheshin tre shtetas të Serbisë, dy gra dhe një burrë. Ata dyshohet se kishin hyrë nga territori i Serbisë në Kosovë jashtë vendkalimit kufitar. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, rreth orës 19:30, është ndaluar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i këtij shteti në Kosovë. Rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë është regjistruar në Bërnjak, rreth orës 23:00, ku policia ka ndaluar një veturë me targa serbe, në të cilën ndodheshin pesë persona. Katër prej tyre, dy gra dhe dy burra shtetas të Kosovës, dyshohet se kishin hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë. Pas intervistimit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Grabitet një lokal në Gjakovë, një person plagoset me armë zjarri

Published

on

Dy persona të maskuar kanë grabitur stoli ari në një lokal në Gjakovë, ndërsa gjatë incidentit një person është plagosur me armë zjarri.

Rasti ka ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:50. Sipas Policisë, dy të dyshuarit kanë hyrë në lokal, njëri i armatosur me pistoletë dhe tjetri me çekan, dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur stolitë e arit.

Gjatë grabitjes, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në këmbë njërin nga viktimat.

Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Pejë për kanosje përmes rrjeteve sociale, i sekuestrohet arma

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Pejë, nën dyshimin se ka kanosur një grua përmes rrjeteve sociale.

Rasti është raportuar më 14 nëntor, rreth orës 02:30. Me vendim të prokurorit, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe 13 fishekë.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjermania shkëlqen ndaj Holandës, Brajan Gruda protagonist me gol dhe dy asistime

Published

on

By

Kombëtarja e Gjermanisë e ka mbyllur fazën e grupeve në vendin e parë, pasi shënoi një fitore bindëse me rezultat 5-0 ndaj Holandës, në një përballje ku spikati futbollisti shqiptar Brajan Gruda, me një gol të shënuar dhe dy asistime.

Gjermanët e dominuan takimin dhe zhbllokuan rezultatin në minutën e 41-të përmes Derry Scherhant, i cili shënoi pas asistimit të Joshua Kimmich. Në pjesën e dytë, “Pancerat” thelluan ndjeshëm epërsinë, duke nisur me golin e Florian Wirtz në minutën e 60-të për 2-0.

Pesë minuta më vonë, Nico Schlotterbeck realizoi golin e tretë pas një asistimi nga goditja e lirë të Brajan Grudës. Mesfushori ofensiv ishte protagonist edhe në minutën e 71-të, duke asistuar sërish për Florian Wirtz që shënoi golin e katërt. Paraqitjen e tij fantastike Gruda e vulosi në minutën e 77-të, kur realizoi golin e pestë dhe përfundimtar pas një topi të kthyer brenda zonës.

Në takimin tjetër të këtij grupi, Greqia mposhti Serbinë me rezultat minimal 1-0, falë golit të Georgios Masouras në minutën e 69-të, pas asistimit të Vangelis Pavlidis.

Pas mbylljes së ndeshjeve, Gjermania, Holanda dhe Greqia e përfundojnë grupin me nga 11 pikë secila, por falë golaverazhit superior, Gjermania renditet në krye të tabelës, ndërsa Serbia mbetet e fundit me zero pikë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara