Këngëtarja e njohur amerikane, Miley Cyrus, është martuar me partnerin e saj prej katër vitesh, bateristin Maxx Morando, në një ceremoni private të organizuar në Palm Springs të Kalifornisë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja përmes disa fotografive bardhezi të publikuara në Instagram, ku çifti shihet duke u puthur mes dekorimeve me trëndafila të bardhë.
Në disa prej fotografive shfaqen edhe nëna e saj, Trisha Cyrus, dhe motra Noah Cyrus. Ndërsa babai i këngëtares, Billy Ray Cyrus, i cili ishte i pranishëm në ceremoni së bashku me partneren e tij, aktoren Liz Hurley, nuk shihet në fotografitë e publikuara.
Fituesja e çmimeve Grammy, 33-vjeçarja Cyrus, kishte zgjedhur një fustan të bardhë prej mëndafshi, të dizajnuar nga Anthony Vaccarello për shtëpinë e modës Saint Laurent. Ndërsa Morando, 28 vjeç, kishte veshur një kostum të zi nga e njëjta markë.
Në njërën prej fotografive, çifti i sapomartuar pozon pranë një qeni të racës Golden Retriever. Postimi i këngëtares shoqërohej me inicialet “M+M”, një zemër të bardhë dhe datën 21 nëntor.
Ndër personazhet e njohura që uruan çiftin në rrjetet sociale ishin motra e Miley-t, Brandi Cyrus, këngëtarja Doechii dhe stilistja Donatella Versace.
Sipas raportimeve, ceremonia u zhvillua në një resort që dikur ishte në pronësi të këngëtarit të njohur Frank Sinatra, ndërsa të ftuarit kishin një kod të veçantë veshjeje, ku dominonte ngjyra e zezë.
Miley Cyrus kishte konfirmuar fejesën me bateristin gjatë një interviste në emisionin amerikan “Good Morning America” vitin e kaluar. Ajo kishte treguar se Morando i kishte propozuar martesë gjatë një udhëtimi në Azi.
“Unë nuk është e lehtë të më befasosh, sepse më pëlqen ta kontrolloj çdo situatë, por këtë herë isha krejtësisht e befasuar”, kishte treguar këngëtarja.
Edhe Morando kishte zbuluar se ishte përpjekur ta mbante propozimin sekret deri në momentin e fundit, gjatë qëndrimit të tyre në Tokio dhe Kioto.
Kjo është martesa e dytë për Miley Cyrus, e cila më parë ishte e martuar me aktorin australian Liam Hemsworth. Çifti u martua në vitin 2018, pas një lidhjeje rreth dhjetëvjeçare, por u nda në vitin 2019.
Cyrus dhe Morando ishin njohur përmes një takimi të organizuar nga miqtë e tyre. Morando është baterist i grupit muzikor Liily, me bazë në Los Angeles.
D.L