Drejtoria e Doganave ka njoftuar se, nga 1 prilli 2025, transportuesit rrugorë dhe hekurudhorë do të kenë detyrimin të paraqesin të dhëna për mallrat që dërgojnë në ose përmes BE-së, përpara mbërritjes së tyre, përmes një Deklarate Përmbledhëse të Hyrjes (ENS). Ky detyrim vlen gjithashtu për transportuesit postarë dhe postat e shpejta, si dhe për palët e tjera që ofrojnë shërbime logjistike.
Eksportuesit shqiptarë duhet të komunikojnë me partnerët e tyre në BE për t’u përshtatur me këto rregulla të reja të sistemit ICS2 përpara datës së afatit, 1 prill 2025, për të shmangur pengesat në kalimin e mallrave që eksportohen në BE ose përmes saj.

Rreth Sistemit ICS2
Sistemi i Kontrollit të Importit 2 (ICS2) i BE-së ka për qëllim të rrisë sigurinë e mallrave që hyjnë në BE, duke zbatuar një procedurë doganore të standardizuar përpara mbërritjes së mallrave, për të gjitha mënyrat e transportit, përfshirë transportin rrugor dhe hekurudhor. Ky sistem do të mundësojë autoriteteve doganore të vlerësojnë më mirë rreziqet që lidhen me mallrat dhe të sigurojnë një mjedis tregtar më të sigurt, duke parandaluar kundërvajtjet doganore.
Çfarë duhet të bëjnë operatorët ekonomik?
Operatorët ekonomikë që kanë një numër EORI dhe janë regjistruar në vendet e BE duhet të sigurohen që të mbledhin të dhëna të sakta dhe të plota nga klientët e tyre dhe të përditësojnë sistemet e IT-së dhe proceset operacionale për të përmbushur kërkesat e ICS2. Ata gjithashtu duhet të kryejnë një test të vetëpërputhshmërisë përpara se të lidhen me sistemin.
Pasojat e mospërmbushjes së kërkesave
Nëse nuk përmbushen kërkesat e ICS2 deri në afatin e caktuar, mund të ndodhin vonesa në kufijtë e BE-së, dhe mallrat mund të ndalohen, duke shkaktuar probleme në procesin doganor.
Për më shumë informacion dhe udhëzime mbi implementimin e ICS2, operatorët ekonomikë mund të vizitojnë faqen e internetit të Komisionit Europian dhe të marrin pjesë në webminarët e organizuara për këtë sistem./UBTNews/