Lajmet

Tensionet në veri, Tahiri: Mund të pritet ndëshkim i ri për Kosovën

Tahiri ka shkruar se Kosova jo vetëm që nuk ka fituar, por mund të pritet edhe ndonjë ndëshkim i ri.

Published

on

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë që ndërmjetësohet nga BE-ja,  ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe ndikimet e saj në marrëdhëniet e Kosovës me aleatët.

Tahiri ka shkruar se Kosova jo vetëm që nuk ka fituar, por mund të pritet edhe ndonjë ndëshkim i ri.

“Kosova jo e fituar por e ndeshkuar! mund te pritet ndeshkimi i ri”, shkruan Tahiri

Lajmet

IHMK paralajmëron erëra të forta të enjten, moti ftohet në fundjavë

Published

on

By

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të enjten e kësaj jave vendi do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me erëra të forta dhe luhatje të presionit atmosferik, ndërsa ulje të ndjeshme të temperaturave priten gjatë fundjavës.

Sipas parashikimit të përditësuar të IHMK-së, dita e mërkurë do të nisë me mot të butë dhe temperatura rreth 9 °C, të cilat gjatë ditës do të arrijnë deri në 16 °C, të shoqëruara me reshje të lehta shiu.

E enjtja cilësohet si dita më e paqëndrueshme e javës dhe kërkon kujdes të shtuar. Ndonëse temperaturat do të arrijnë vlera të larta për mesin e nëntorit, nga 15 deri në 18 °C, presioni atmosferik do të zbresë në rreth 999 hPa. Elementi kryesor do të jetë era e fortë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi 30–45 km/h dhe hove edhe më të fuqishme, e cila do të jetë më e ndjeshme nga mesdita deri në mbrëmje. Gjatë ditës priten edhe reshje të lehta me ndërprerje, ndërsa në mbrëmje kalimi i një fronti atmosferik do të ndryshojë drejtimin e erës.

Për shkak të erërave të forta, IHMK-ja u bën thirrje qytetarëve që të sigurojnë objektet e lehta jashtë shtëpive, tabelat reklamuese dhe skelat e ndërtimit, ndërsa shoferët këshillohen për kujdes të shtuar, sidomos në akset rrugore të hapura.

Nga e premtja, moti pritet të stabilizohet dhe të jetë më i pastër e i thatë. Mëngjesi do të jetë më i freskët (8–9 °C), por gjatë ditës temperaturat sërish do të arrijnë rreth 17 °C. Era do të ndërrojë drejtim nga veriu dhe veriperëndimi, duke u dobësuar gradualisht pas orëve të para të ditës, paralelisht me rritjen e presionit atmosferik në 1008–1011 hPa.

Rënie më e ndjeshme e temperaturave parashikohet për fundjavën, kur nga e shtuna vlerat maksimale do të zbresin në 9–11 °C, me mot kryesisht të thatë dhe mundësi për pak reshje të lehta në fund të ditës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Mediat italiane: Mundësi shkëmbimi mes Edon Zhegrovës dhe Folarin Balogunit

Published

on

By

Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa një destinacion i mundshëm për të është Monaco. Në anën tjetër, në Torino po shqyrtohet mundësia e transferimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, në një marrëveshje që mund të përfshijë shkëmbimin e dy futbollistëve.

Sipas Gazzetta dello Sport, duke cituar gazetari Giovanni Albanese, Zhegrova nuk është i kënaqur me trajtimin si rezervist te Juventusi dhe po e sheh me interes mundësinë e transferimit në Monaco, klub që është në kërkim të një futbollisti në pozitën e tij. Në anën tjetër, edhe Balogun nuk po gjen hapësirën e dëshiruar në skuadrën franceze, ku konkurrenca me talentin në ngritje Paris Brunner ia ka vështirësuar aktivizimin. Sulmuesi amerikan e sheh me interes mundësinë për t’u transferuar te Juventusi.

Klubi italian është në kërkim të një qendërsulmuesi për janarin, pasi trajneri Luciano Spalletti kërkon një profil më fizik në repartin sulmues. Një prej objektivave mbetet Alexander Sorloth i Atletico Madridit, ndërsa bisedimet për të pritet të rifillojnë së shpejti.

Megjithatë, ideja e Balogunit ka disa pikëpyetje. Sulmuesi 25-vjeçar është më shumë një lojtar lëvizës sesa një qendërsulmues fizik i tipit Sorloth, të cilin e preferon Spalletti.

Për më tepër, Balogun ka një pagë të përballueshme prej rreth 3.5 milionë eurosh në vit, por Juventusi do ta konsideronte marrëveshjen interesante vetëm nëse Monaco do të pranonte një huazim pa obligim blerjeje.

Kjo do t’i mundësonte klubit torinez ta testonte sulmuesin në Serie A përpara se të vendoste për një investim që mund të arrinte në 45 deri në 50 milionë euro.

Kështu, janari mund të sjellë një lëvizje interesante në aksin Torino–Monte Carlo, me Zhegrovën që kërkon më shumë minuta dhe Balogunin që synon një aventurë të re në Itali. /E.A/ 

 

Continue Reading

Lajmet

Inteligjenca amerikane zbulon plane të Iranit për sulme ndaj zyrtarëve të administratës Trump në Washington

Published

on

By

Informacionet e reja të inteligjencës amerikane tregojnë se Irani po harton plane për të shënjestruar zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump, përmes shpërthimit të një të ashtuquajture “bombe të pistë” ose një arme kimike në Washington DC, kanë bërë të ditur për CNN shtatë zyrtarë amerikanë.

Burime në dijeni të këtyre të dhënave i kanë përshkruar planet iraniane, të paktën në këtë fazë, si përpjekje për të krijuar alternativa veprimi dhe jo si shenjë se një sulm është i pashmangshëm. Megjithatë, dy prej burimeve theksuan se planet e zbuluara janë mjaft konkrete dhe përfshijnë lokacione e objektiva të caktuara, duke nxitur një sërë përgatitjesh emergjente dhe takimesh parandaluese nga autoritetet amerikane gjatë javës së kaluar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, deklaroi se SHBA-ja po monitoron çdo rrezik të mundshëm, duke shtuar se aktualisht “nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan”. Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë e shohin këtë planifikim aktiv të Teheranit brenda territorit të SHBA-së si një shenjë alarmante të gatishmërisë së Iranit për të përshkallëzuar situatën, nën presionin e sulmeve të vazhdueshme ushtarake amerikane dhe bllokadës ekonomike ndëshkuese.

Ndonëse nuk ka prova se Teherani ka vendosur t’i vërë në zbatim këto plane — dhe sipas njërit prej burimeve mbetet ende e paqartë nëse Irani ka personelin e nevojshëm në terren për t’i realizuar — kërcënimet kanë sjellë masa të shtuara sigurie. Si pasojë, Shërbimi Sekret amerikan e zhvendosi javën e kaluar sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, në një objekt banimi ushtarak.

Këto zbulime vijnë në një moment kur bisedimet diplomatike për përfundimin e konfliktit po vazhdojnë me vështirësi, ndërsa presidenti Trump deklaroi javën e kaluar se lufta do të përfundonte “shumë shpejt”. Planet e Iranit për të goditur zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, përfshirë edhe komplotin e zbuluar në vitin 2024 për vrasjen e Trumpit, kanë ekzistuar që nga mandati i tij i parë, por deri më tani ishin përqendruar kryesisht në shënjestrimin e tyre jashtë territorit amerikan.

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli riorganizon përfaqësimin diplomatik në Kosovë: Mbulimi nga ambasadori jorezident bartet te ambasadat në vendet fqinje

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka vendosur të ndryshojë mënyrën e përfaqësimit diplomatik në Kosovë, në kuadër të një riorganizimi të brendshëm që synon transferimin e mbulimit të vendeve pa seli fizike te ambasadat ekzistuese në shtetet fqinje, raporton Periskopi bazuar në një përgjigje zyrtare të përfaqësisë diplomatike izraelite.

Sipas deklaratës zyrtare të palës izraelite, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në shkurt të vitit 2021 — si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit të vi tit 2020 — Izraeli nuk ka pasur ambasadë fizike në Prishtinë, por është përfaqësuar përmes një ambasadori jorezident që vizitonte Kosovën çdo disa muaj.

Me vendimin e ri organizativ, ky model po ndryshon për të mundësuar një afërsi më të madhe diplomatike me vendin. “Si pjesë e një ndryshimi organizativ në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, është vendosur që përfaqësimi i vendeve nga ambasadorët jorezidentë të transferohet te ambasadat fizike në vendet fqinje, për të mundësuar një afërsi më të madhe me vendin përkatës”, thuhet në përgjigjen e përfaqësisë izraelite.

Nga selia diplomatike izraelite kanë bërë të ditur se e njëjta praktikë është zbatuar së fundmi edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Maltën. Megjithatë, ndonëse konfirmohet bartja e përfaqësimit te një ambasadë në rajon, në përgjigjen zyrtare nuk është specifikuar ende shprehimisht nëse mbulimin diplomatik të Kosovës do ta marrë përsipër Ambasada e Izraelit në Tiranë.

Continue Reading

Të kërkuara