Lajmet

Tensionet në Lindjen e Mesme: SHBA paralajmëron sanksione “të papara në histori” kundër Iranit

Published

on

Shtetet e Bashkuara deklaruan të enjten se mund ta mbajnë bllokadën detare ndaj Iranit për një kohë të pacaktuar dhe se do të rrisin presionin ekonomik mbi Teheranin, në një kohë kur bisedimet për armëpushim kanë dështuar, oferta globale e naftës po bie dhe tensionet rajonale po rriten.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha gazetarëve se ushtria e SHBA-së ka kapacitetin për të mbajtur një prani detare në rajon për të zbatuar bllokadën ndaj Iranit, e cila i ka shkaktuar dëme të rënda ekonomike këtij vendi.

“Marina e Shteteve të Bashkuara mund ta mbajë një bllokadë të tillë për një kohë të pacaktuar sepse do të ndërrojmë anijet me rotacion, siç kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë,” tha Hegseth për gazetarët gjatë një udhëtimi në Panama.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara planifikojnë t’i shkaktojnë edhe më shumë dëm financiar Iranit.

“Ndiqni me vëmendje njoftimet e javës së ardhshme, sepse ne do të aplikojmë masa të tilla që nuk janë parë kurrë në historinë e izolimit ekonomik të një vendi,” tha ai në një intervistë për programin “Rob Schmitt Tonight” në Newsmax.

Me dështimin e marrëveshjes tentative të qershorit për t’i dhënë fund luftës, Irani ka kërkuar të ushtrojë presion mbi Uashingtonin duke marrë kontrollin e ngushticës së Hormuzit.

Irani ka sulmuar disa anije që përpiqeshin të kalonin përmes kësaj rruge detare strategjike, përmes së cilës kalonte një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të botës përpara se të niste lufta në shkurt.

Bi dy anije të kompanisë shtetërore të naftës të Abu Dhabit (Abu Dhabi National Oil Company) u sulmuan teksa po kalonin nëpër ngushticë të enjten mbrëma, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e EBA-së, WAM. Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe e dënoi atë si një sulm iranian.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është nën presion në vendin e tij për t’i dhënë fund një me një luftë që është mjaft jopopullore, ku çmimet e larta të karburantit po ulin nivelin e mbështetjes për të dhe potencialisht po zbehin kontrollin e partisë së tij në Kongres për zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.

Trump ka pohuar vazhdimisht se SHBA ka “kontroll të plotë” mbi ngushticën, gjë që ka nxitur reagimin mohues të Iranit. Teherani ka deklaruar se nuk do të lejojë rihapjen e rrugës detare deri sa të plotësohen kushtet e tij. Këto kushte përfshijnë heqjen e sanksioneve ekonomike dhe lirimin e meve financiare të ngrira iraniane.

Trafiku i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit ra në tetë anije të martën, krahasuar me një mesatare 10-ditore prej rreth 12 anijesh, dhe 130 deri në 140 anije përpara fillimit të luftës.

Shtetet e Bashkuara e hoqën bllokadën e tyre ndaj transportit detar dhe porteve të Iranit për një muaj në mes të qershorit, por që nga ajo kohë e kanë rivendosur atë, duke prerë burimin kryesor të valutës së fortë për Teheranin dhe duke thelluar humbjet e mëparshme nga goditjet e kohës së luftës në infrastrukturën e tij energjetike.

Uashingtoni më parë kishte deklaruar se do ta hiqte bllokadën ndaj Iranit pasi Irani dhe Omani, të cilët ndodhen në të dyja anët e ngushticës, të arrijnë një marrëveshje për të rikthyer transportin tregtar detar. /BCC/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti iu bën thirrje partive për takim: Të diskutojmë emrat për presidentin

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se partitë politike duhet të fillojnë diskutimet edhe për emrat konkretë të kandidatëve për presidentin e ardhshëm, me qëllim që të arrihet një marrëveshje dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.

Ai tha se presidenti i ardhshëm duhet të jetë “konsensual”, gjithëpërfshirës dhe të ketë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në mesin e qytetarëve.

Kurti bëri të ditur se mbrëmë u ka shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, duke u kërkuar takim për të diskutuar për presidentin.

“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, tha ai.

Ai vlerësoi se në Kosovë ka “me dhjetëra” personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë persona që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, që mund të konsiderohen për këtë post.

Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë pasi LDK-ja njoftoi se tërhiqet nga negociatat për poste me LVV-në dhe se nuk kërkon asnjë pozitë institucionale, por do të votojë për një figurë jopartiake për president.

Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja qëndruan edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndonëse për sot nuk është thirrur seancë.

Ata po kërkojnë që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, e cila ka mbetur e ndërprerë në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e legjislaturës së re.

“LVV-ja e ka kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimshëm e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit”, tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në foltoren e Kuvendit.

PDK-ja dhe Aleanca kanë qëndruar në Kuvend edhe gjatë ditëve të kaluara, duke kërkuar që puna e Kuvendit të vazhdojë, ndërsa përplasjet me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë shoqëruar edhe me tensione në sallë.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se para vazhdimit të procedurave për konstituimin e Kuvendit duhet të arrihet një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Kriza institucionale në Kosovë po vazhdon prej përplasjes mbi mënyrën se si duhet të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja doli partia e parë me 53 deputetë, PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me shtatë.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Hamza: Kurti, Haxhiu e Dehari shkelën Kushtetutën, situata ka kaluar në krizë institucionale

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur një konferencë për media nga foltorja e sallës së Kuvendit, ku ka kërkuar thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive dhe ka akuzuar udhëheqësinë aktuale për shkelje të qëllimshme të ligjit me të cilin funksionon shteti.

Hamza deklaroi se kryeministri në detyrë Albin Kurti, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, si dhe kryesuesi i seancës Avni Dehari, kanë kaluar çdo kufi duke shkelur afatet kushtetuese dhe aktvendimet e fundit të gjyqësorit.

“Jemi sot këtu së bashku me deputetët tanë dhe deputetët e Aleancës sepse LVV, Kurti, Haxhiu dhe Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, jo një afat të vendosur nga PDK, jo nga opozita por nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Hamza.

Udhëheqësi i PDK-së nëvizoi se vendi nuk po përballet më vetëm me bllokadë politike, por me një krizë të thellë të vetë institucioneve.

“Sot nuk kemi më vetëm kriza politike, por edhe kriza kushtetuese dhe institucionale. Institucionet po funksionojnë në një terren të pasigurt me shkelje kushtetuese, me shkelje të Rregullores së Kuvendit ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë politike. Kjo nuk është normale dhe nuk do lejojmë të bëhet normale”, përfundoi ai. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Predikuesi islamik nga Bosnja pritet të dëbohet nga Kosova, BIK-u thotë se s’ishte në dijeni për ardhjen e tij

Published

on

Predikuesi islamik nga Bosnje e Hercegovina, Elvedin Peziq, pritet të dëbohet gjatë ditës nga Kosova, pasi një ditë më parë ishte shoqëruar nga Policia e Kosovës para një aktiviteti në Vitomiricë të Pejës.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë (REL) një burim i informuar për organizimin dhe qëndrimin e Peziqit në Kosovë.

Sipas këtij burimi, deri më tani nuk ka informacione të tjera për arsyet e shoqërimit të Peziqit.

Policia e Kosovës ende nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për konfirmim dhe informacione shtesë lidhur me rastin.

Ndërkohë, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë i tha REL-it se BIK-u nuk kishte qenë në dijeni për ardhjen e Peziqit dhe aktivitetet e tij në Kosovë.

Sipas BIK-ut, Peziqi nuk kishte kërkuar leje apo pëlqim për aktivitetin, ndërsa institucioni nuk kishte ofruar mbështetje materiale apo logjistike për vizitën e tij.

BIK-u konfirmoi se ka pasur komunikim me Policinë e Kosovës lidhur me rastin.

“Policia e Kosovës na është drejtuar me shkresë dhe ne jemi përgjigjur”, tha Këshilli i BIK-ut në Pejë, pa dhënë detaje për përmbajtjen e komunikimit.

Këshilli i BIK-ut shtoi se çdo aktivitet fetar në objektet fetare apo në objekte të tjera duhet të ketë lejen ose pëlqimin e institucionit fetar.

Xhemati i një xhamie në Dobrushë kishte shpërndarë në rrjetet sociale njoftimin për aktivitetin e planifikuar të Peziqit.

Peziq u shoqërua të enjten për intervistim informues, para një aktiviteti ku ishte planifikuar të merrte pjesë në Vitomiricë.

Lajmin për REL-in e kishte konfirmuar Rexho Kojiq nga organizata joqeveritare “Vullnetarët e Rinj” nga Kosova, e cila ishte organizatore e aktivitetit.

Kojiq kishte thënë se Peziq ishte transferuar në një stacion policor në Prishtinë dhe se ai kishte hyrë rregullisht në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Kullë, me dokumente të Bosnje e Hercegovinës.

Sipas tij, Policia i kishte thënë se Peziq do të mbahej për gjashtë orë për verifikim të identitetit dhe se nuk kishte nevojë për angazhimin e një avokati.

Kojiq kishte thënë gjithashtu se Peziqi ishte pyetur nëse kishte leje nga Bashkësia Islame e Kosovës për mbajtjen e aktivitetit.

“Ai nuk është hoxhë në ndonjë xhami dhe nuk kishte nevojë për një leje të tillë. Bëhej fjalë për promovimin e një libri”, kishte thënë Kojiq.

REL-i ka kontaktuar edhe Komunat e Pejës dhe Prizrenit, si dhe Bashkësinë Islame të Kosovës, për të kërkuar informacione nëse kanë qenë në dijeni të vizitës së Peziqit, nëse kanë pasur rol në organizimin e aktiviteteve dhe nëse ka pasur ndonjë mbështetje apo financim institucional për vizitën e tij.

Në aktivitet ishte planifikuar të merrte pjesë edhe Mithad Qeman, po ashtu predikues islamik, i cili, sipas Kojiqit, ishte shoqëruar nga Policia, por ishte liruar menjëherë.

Peziq dhe Qeman kishin planifikuar të promovonin një libër në Vitomiricë dhe më pas të zhvillonin një aktivitet në Dobrushë të Istogut. Për të premten ishte planifikuar edhe një aktivitet në Reçan të Prizrenit.

Kush është Elvedin Peziq?

Peziq është një predikues islamik nga Bosnje e Hercegovina, i cili prej vitesh është aktiv në internet dhe njihet për qëndrime konservatore dhe si një nga predikuesit që identifikohen me selefizmin.

Ai ka më shumë se 300 mijë ndjekës në Facebook dhe është aktiv edhe në platforma të tjera, ku publikon ligjërata, këshilla fetare dhe komente për çështje shoqërore.

Qëndrimet e tij janë kritikuar në të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë. Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës kishte reaguar ndaj një deklarate të Peziqit për rolin e gruas në shoqërinë perëndimore, duke vlerësuar se qëndrime të tilla nuk janë në përputhje me mësimet islame për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

Kojiq, megjithatë, kishte thënë për REL-in se, sipas tij, Peziq nuk paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës.

“Po të kishte pasur çfarëdo indikacioni për diçka të tillë, ne nuk do ta kishim mbështetur një tubim të tillë”, kishte deklaruar ai.

REL-i është në pritje të përgjigjes së Policisë së Kosovës për të sqaruar arsyet e shoqërimit, statusin e Peziqit dhe bazën e mundshme ligjore për largimin e tij nga Kosova./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Ndryshon lokacioni i zyrës për fitim dhe humbje të shtetësisë

Published

on

Ministria e Punëve të Brendshme i njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se, nga dita e hënë, 17.08.2026, do të ndryshohet lokacioni i zyrës për pranimin e vendimeve për fitim, ri-fitim dhe humbje të shtetësisë me lirim.

Zyra do të vendoset në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil, kati parë, e cila gjendet në rrugën “Luan Haradinaj”, lokacioni: https://maps.app.goo.gl/9cpMYrsupZZmrfjv9?g_st=am.

Në njoftim thuhet se ndërrimi i lokacionit është bërë me qëllim të ndarjes së kësaj zyre nga objekti i Divizionit për të Huaj dhe krijimit të hapësirave më të përshtatshme për qytetarët të cilët drejtohen për të marrë shërbime.

“Me qëllim të ofrimit të shërbimeve më efikase, Ministria e Punëve të Brendshme ka shtuar stafin mbështetës, që shërbimet të jenë më efikase dhe të zvogëlohen radhët e pritjes. Njëkohësisht Ministria e Punëve të Brendshme ju bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre duke aplikuar edhe Online përmes platformës E-Kosova”, thuhet tutje./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara