Lajmet

Kurti: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin na çon pashmangshëm në zgjedhje të reja

Published

on

Lajm në zhvillim:

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar pas seancës konstituive se ndonëse subjekti i tij i ka votat e nevojshme për ta votuar kryetarin e ri të Kuvendit, një hap i tillë pa një dakordësi më të gjerë politike do ta dërgonte vendin sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Kurtit, garantimi i zgjedhjes së presidentit është kusht kyç për të shmangur krizën e re elektorale.

“Ndonëse i kemi votat për të votuar një kryeparlamentar të ri, çfarëdo konstituimi i organit ligjvënës, pa një marrëveshje që garanton edhe zgjedhjen e presidentit, pashmangshëm na shpie në zgjedhje të reja,” u shpreh ai.

Kreu i LVV-së ritheksoi nevojën për dialog të drejtpërdrejtë me krerët e partive të tjera parlamentare për të arritur një paketë të plotë marrëveshjeje për të gjitha institucionet kryesore të vendit.
“Andaj insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje dhe liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin,” deklaroi Kurti.

Në përmbyllje, Kurti u bëri sërish thirrje udhëheqësve politikë që të ulen në tryezën e bisedimeve, duke nëvizuar se nuk dëshiron që procesi i votimit të presidentit të mbështetet vetëm te deputetët e LVV-së dhe ata të komuniteteve joserbe.

Pas përplasjeve në Kuvend: Opozita fajëson Lëvizjen Vetëvendosje për krizë, LVV-ja i përgjigjet me akuza për sulme

Zhvillimet e sotme dhe ndërprerja e seancës në Kuvendin e Kosovës kanë nxitur një seri reagimesh të ashpra mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Derisa Lëvizja Vetëvendosje akuzon opozitën për sulme ndaj kryeministrit, përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së e shohin Lëvizjen Vetëvendosje si përgjegjësen kryesore për bllokadën dhe përshkallëzimin e situatës.

Basha: Kurti i fton për diskutim, këta sulmojnë e ofendojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka kritikuar ashpër sjelljen e opozitës përballë ftesave të kryeministrit Albin Kurti për dialog.
“Albin Kurti i fton partitë për diskutime që të arrihet një marrëveshje, ndërkaq këta sulmojnë e ofendojnë. Edhe kush? Këta që Radojçiqin e pritshin në kryeministri e Listën Serbe e mbanin në Qeveri,” deklaroi Basha.

Basha i është referuar një takimi të mëparshëm në Qeveri mes kryeministrit të atëhershëm nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq — i cili sot kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë për sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023 dhe për krime lufte në Gjakovë.

Jehona Lushaku-Sadriu: Pamje e keqe e Kuvendit, LVV po tregon papërgjegjësi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka cilësuar ngjarjen e sotme si një imazh mjaft të dëmshëm për institucionin më të lartë ligjvënës në vend.

“Pamje e keqe e Kuvendit. Deputetët duhet ta konstituojnë Kuvendin,” u shpreh Lushaku-Sadriu pas përfundimit të seancës.

Ajo ka hedhur fajin drejtpërdrejt mbi Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për papërgjegjësi totale në përmbushjen e detyrës së saj kushtetuese për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit.

Arian Tahiri: LVV po refuzon propozimin e kryetarit për të prodhuar krizë politike

Nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, deklaroi se dita e sotme përbën një moment regresiv për vendin, duke theksuar se që nga mbrëmja e djeshme është cenuar rëndë rendi kushtetues.

LVV ka vota për ta zgjedhur kryetarin. Ata refuzojnë të propozojnë emër dhe provojnë që të prodhojnë krizë politike,” tha Tahiri gjatë deklaratës së tij për mediat.

Sipas Tahirit, refuzimi i shumicës për të proceduar me propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit është një përpjekje e qëllimshme për të thelluar ngërçin politik në vend.

Deputetja e AAK-së gjuan me vezë drejt Kurtit, përplasje fizike mes deputetëve

Menjëherë pas përfundimit të fjalës së Kryeministrit Albin Kurti, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, është afruar drejt foltores dhe ka gjuajtur me vezë në drejtim të tij. Ky veprim ka nxitur reagimin e menjëhershëm të deputetëve nga grupe të ndryshme politike, të cilët janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar shtyrjet fizike mes vete. Për shkak të përshkallëzimit të tensioneve dhe pamundësisë për të vazhduar punimet, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vendosur të ndërpresë seancën.

 

Tensione dhe ndërprerje në Kuvend: Kurti kërkon kohë shtesë për marrëveshje, dështon sërish konstituimi

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish mes tensioneve të ashpra në sallën plenare. Dështimi i dytë radhazi për të konstituar legjislaturën e re erdhi pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk prezantoi asnjë emër për pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për konsultime politike.

Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti deklaroi se kërkon mirëkuptim për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

“Nuk duhet të shkojmë sërish drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja. Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë për bisedime politike,” u shpreh Kurti nga foltorja.

Deklarata e Kurtit dhe vendimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për të ndërprerë punimet menjëherë pas kësaj kërkese, nxitën reagime të menjëhershme dhe përplasje fizike e verbale mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit.

Opozita akuzoi kryesuesin për abuzim me detyrën dhe bllokim të qëllimshëm të procesit.

Kryesuesi Avni Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të caktohet në një moment të dytë, ndërsa mbetet e paqartë se si do të kapërcehet bllokada pa një dakordësi mes subjekteve politike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arratiset nga duart e policisë një shtetas i Shqipërisë në Fushë-Kosovë

Published

on

Një burrë me shtetësi të Shqipërisë është shpallur në kërkim policor pasi është arratisur derisa ishte i privuar nga liria në Fushë-Kosovë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 15:00. Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria”, ndërsa hetimet për lokacionin e tij dhe rrethanat e ngjarjes po vazhdojnë./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shtatë persona të arrestuar për dhunë në familje në disa qytete të Kosovës

Published

on

By

Disa raste të dhunës në familje dhe kanosjes janë regjistruar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, duke çuar në arrestimin e shtatë personave në rajone të ndryshme të vendit.

Në Prishtinë janë regjistruar dy raste. Në njërin rast, një burrë është arrestuar pasi ka kanosur me thikë një grua, ndërsa gjatë kontrollit policia i ka gjetur një thikë dhe 0.36 gramë marihuanë, duke e dërguar në mbajtje. Po ashtu në kryeqytet është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një burrë tjetër për një rast të mëparshëm të dhunës në familje.

Në Pejë, policia ka arrestuar një burrë të dyshuar për ushtrim të dhunës dhe kanosje ndaj një gruaje. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Klinë, ku një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Në Lipjan janë arrestuar dy burra pas një përleshjeje fizike mes vete pas një mosmarrëveshjeje, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Fushë-Kosovë është iniciuar rast ndaj një burri me shtetësi të Shqipërisë, i cili ndodhet në kërkim policor nën dyshimet për dhunë në familje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen dy persona për ngacmim seksual në Fushë-Kosovë

Published

on

By

Dy burra janë arrestuar në Fushë-Kosovë me dyshimin se kanë ngacmuar seksualisht dy gra.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, pas intervistimit nga hetuesit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të shtetit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Italia nisin punën për marrëveshje për bashkëprodhimin e filmave

Published

on

Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.

Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.

Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara