Ministria e Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës kanë formalizuar bashkëpunimin për vitin 2026 përmes nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi me vlerë rekord prej 1 milion e 150 mijë euro.
Ky financim i konsiderueshëm synon të fuqizojë zhvillimin e sportit në Kosovë, duke mbështetur aktivitetet sportive dhe përgatitjet për garat ndërkombëtare ku pritet të marrë pjesë vendi.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, e vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në forcimin e mbështetjes institucionale për sportin. Sipas tij, Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet një partner strategjik në avancimin e sportit dhe në promovimin e një shoqërie më aktive dhe më të shëndetshme. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vitit 2026, kur Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, si dhe përgatitjet afatgjata për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Prishtinë.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e cilësoi këtë memorandum si më shumë se një marrëveshje financiare, duke e quajtur një garanci institucionale për zhvillimin e sportit dhe sportistëve kosovarë. Ai theksoi se Kosova do të ketë përfaqësim të madh në Taranto 2026 dhe se vendi po përgatitet për rolin e nikoqirit në 2030.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, bëri të ditur se kjo është vlera më e lartë e ndarë ndonjëherë nga ministria për komitetin olimpik. Sipas tij, marrëveshja pasqyron një partneritet të fortë institucional dhe një angazhim serioz për zhvillimin e sportit në vend. Ai gjithashtu njoftoi se një nga projektet kryesore të financuara do të jetë themelimi i “Akademisë së Lojërave Mesdhetare”.
Ky bashkëpunim shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sistemit sportiv në Kosovë dhe ngritjes së nivelit të përfaqësimit ndërkombëtar të sportistëve kosovarë, raporton Kosovapress