Kuriozitete

Teknologjitë që do të ndryshojnë të ardhmen

Një prej teknologjive të tilla është avioni me hidrogjen.

Published

on

Produktet e qumështit të prodhuara në laborator

Ju mund të keni dëgjuar për “mishin” e kultivuar në laborator. Por ç’mund të themi për ushqimet e tjera me bazë shtazore? Një numër kompanish bioteknike në rritje, po shqyrtojnë mundësinë e bulmetit të prodhuar në laborator, përfshirë qumështin, akulloren, djathin dhe vezët.

Dhe më shumë sesa një kompani mendon se e ka arritur tashmë këtë gjë. Industria e qumështit nuk është aspak miqësore me mjedisin. Ajo është përgjegjëse për 4 për qind të emetimeve të karbonit në atmosferë, më shumë sesa emetimet e udhëtimeve ajrore dhe transporti detar të marra së bashku.

Krahasuar me mishin, qumështi nuk është aq i vështirë për t’u prodhuar në një laborator. Në vend se ta prodhojnë atë nga qelizat burimore, shumica e studiuesve përpiqen ta prodhojnë atë në një proces fermentimi, duke synuar të prodhojnë proteinat e qumështit.

Disa produkte kanë dalë tashmë në treg në SHBA, nga kompani të tilla si “Perfect Day”. Ndërkohë, studiuesit po punojnë për mocarelën e prodhuar në laborator, që shkrihet në mënyrë të përsosur mbi një picë, ashtu si dhe djathërat e tjerë dhe akulloret.

Avionët me hidrogjen

Emetimet e karbonit janë një shqetësim i madh kur flitet për fluturimet komerciale. Por ekziston një zgjidhje e mundshme edhe për këtë problem. Një projekt rreth 15 milionë paundnë Britaninë e Madhe ka zbuluar planet për ndërtimin e një avioni që furnizohet me energjinë e prodhuar nga hidrogjeni .

Projekti “Fly Zero” po drejtohet nga Instituti i Teknologjisë Ajrore në bashkëpunim me qeverinë britanike. Ideja është prodhimi i një avioni me madhësi mesatare, që furnizohet me hidrogjen të lëngshëm. Ai do të kishte kapacitetin për të fluturuar me rreth 279 pasagjerë në bord deri në gjysmën e perimetrit të botës pa u ndalur. Nëse do të mund të realizohet kjo teknologji, do të kemi fluturime me zero emetime karboni në atmosferë dhe pa ndalesa midis Londrës dhe Amerikës Perëndimore, apo Londrës dhe Zelandës së  Re me një ndalesë të vetme.

“Binjakët” dixhitalë që analizojnë shëndetin tuaj

Në sagën e famshme “Star Trek”, ku lindën shumë nga idetë tona për teknologjinë e së ardhmes, qeniet njerëzore mund të ecnin në “medbay” dhe të skanonin të gjithë trupin e tyre në mënyrë dixhitale për shenja sëmundjesh apo lëndimesh.

Arritja e kësaj në jetën reale, thonë ekspertët e kompanisë “Q Bio”, do të përmirësonte gjendjen shëndetësore të njerëzve, dhe do të lehtësonte ngarkesën e mjekëve. Kompania amerikane ka ndërtuar një skaner, që do të matë qindra biomarkera në rreth 1 orë, nga nivelet e hormoneve tek dhjami i grumbulluar në mëlçinë tuaj, nga shënuesit e inflamacionit deri tek çdo lloj kanceri.

Ai synon t’i përdorë këto të dhëna për të prodhuar një avatar dixhital 3D të trupit të pacientit – i njohur si binjaku dixhital – që mund të gjurmohet me kalimin e kohës dhe të përditësohet me çdo skanim të ri. Shefi ekzekutiv i “Q Bio”, Xhef Kadic shpreson se kjo shpikje të çojë në një epokë të re të mjekësisë parandaluese, të personalizuar, në të cilën sasitë e mëdha të tëdhënave të mbledhura do të  ndihmojnë jo vetëm mjekët që t’i japin përparësi pacientëve të caktuar, por do të zhvillojnë mënyra më të sofistikuara për diagnostikimin e sëmundjes.

Universet e realitetit virtual

Pasi bëri ndryshimin e emrit, kompania e njohur dikur si Facebook njihet sot si Meta.

Kjo shënon lëvizjen e Zuckerberg dhe ekipit të tij të madh drejt metaversit, një internet i aksesuar kryesisht përmes realitetit virtual dhe atij të shtuar.

Si pjesë e kësaj lëvizjeje, Meta do t’i  kushtojë më shumë kohë pajisjeve për të hyrë në këtë botë të re. E promovuar në vitin 2021, Meta ka zhvilluar një lloj kufje të re “Project Cambria”. Në dallim nga “Oculus Quest 2”, kjo nuk do të jetë një pajisje për konsumatorin e zakonshëm.

Përkundrazi, ajo synon të ofrojë përvojën më të mirë të realitetit virtual. Cambria është e përqendruar në gjurmimin e përparuar të syve dhe fytyrës, ka një rezolucion më të lartë, fushëpamje më të gjerë, dhe madje përpiqet t’i bëjë kufjet dukshëm më të vogla. Midis Meta, Google, Sony dhe shumë kompanive të tjera të mëdha të teknologjisë, realiteti virtual do të ketë përmirësime drastike gjatë 2 viteve të ardhshme.

Kapja e Drejtpërdrejtë e Ajrit

Nëpërmjet procesit të fotosintezës, pemët kanë mbetur një nga mënyrat më të mira për të reduktuar nivelet e dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë. Megjithatë, një teknologji e re mund të kryejë të njëjtin rol si pemët, duke thithur dioksid karboni në nivele më të larta.

Kjo teknologji njihet si Kapja e Drejtpërdrejtë e Ajrit (DAC). Ajo përfshin thithjen e dioksidittë karbonit nga ajri dhe ruajtjen e CO2 në vrima të thella gjeologjike nën tokë, ose përdorimin e tij në kombinim me hidrogjenin për të prodhuar lëndë djegëse sintetike.

Ndërsa kjo teknologji ka një potencial të madh, për momentin është  shumë e ndërlikuar, pasi modelet aktuale kërkojnë një sasi të madhe energjie. Nëse mund të reduktojë nivelet e energjisë në të ardhmen, DAC mund të jetë një nga përparimet më të mira teknologjike për të ardhmen e mjedisit.

Funeralet e gjelbra

Vdekja e njeriut priret të jetë një proces që prodhon shumë karbon. Djegia e një trupi thuhet se çliron rreth 400 kg dioksid karboni në atmosferë. Cila është zgjidhja? Në shtetin e Uashington në SHBA, trupat e pajetë vendosen në dhoma së  bashku me lëvore pemësh, kashtë dhe komponime të tjera që nxisin dekompozimin natyror.

Brenda 30 ditëve, trupi i të ndjerit shndërrohet në një tokë pjellore e cila mund të shpërndahet në një kopsht ose pyll. Në vitin 2019, aktori i ndjerë Luk Perri u varros me një “kostum kërpudhash” të dizajnuar nga start-up “Coeio”. Kompania pretendon se kostumi i saj, përbehet nga kërpudha dhe mikroorganizma të tjerë që ndihmojnë dekompozimin e trupit dhe neutralizojnë toksinat që çlirohen kur dekompozohet një trup./bota.al

Kuriozitete

Hulumtimi: Qentë mund të dallojnë njerëzit që ju trajtojnë keq

Published

on

Një studim i kryer në Japoni ka treguar se qentë janë shumë më intuitivë sesa mendohej më parë. Hulumtimi zbuloi se ata janë në gjendje të dallojnë njerëzit që tregohen të pasjellshëm ose mizorë ndaj pronarit të tyre dhe shpesh reagojnë me rezervë ose mosbesim ndaj tyre.

Studiuesit vunë re se qentë vëzhgojnë me kujdes ndërveprimet mes “prindit” të tyre njerëzor dhe të tjerëve, duke formuar një opinion emocional për secilin person bazuar në sjelljen e tij.

Ky zbulim tregon se qentë jo vetëm që ndjejnë emocionet, por edhe “gjykojnë” situatat shoqërore, duke reaguar sipas mënyrës se si trajtohet i zoti.

Hulumtimi shton gjithashtu se qentë mund të kuptojnë fjalët, të përjetojnë xhelozi dhe të krijojnë lidhje emocionale të thella me njerëzit e tyre të dashur.

Continue Reading

Kuriozitete

Cilat vende i kanë pagat minimale më të larta dhe më të ulëta në Evropë?

Published

on

Miliona punëtorë në gjithë BE-në vazhdojnë të fitojnë pagë minimale. Pragjet kanë për qëllim të sigurojnë një standard bazë jetese për punëtorët, megjithëse nivelet shpesh nuk kanë arritur të rriten me inflacionin.

Në një analizë të Euronews, i cili i referohet të dhënave të Eurostatit, që nga korriku i vitit 2025, paga minimale mujore para zbritjeve në BE varionte nga 551 euro në Bullgari në 2,704 euro në Luksemburg.

Kur përfshihen vendet kandidate për në BE, ku bën pjesë edhe Shqipëria, rezulton se Ukraina ka pagën minimale më të ulët, me vetëm 164 euro.

Pesë vende të BE-së; Italia, Danimarka, Suedia, Austria dhe Finlanda, nuk kanë fare pagë minimale kombëtare.

Edhe pse Luksemburgu renditet në krye dhe Ukraina në fund, kur rregullohet për fuqinë blerëse, si krahasohet paga minimale në të gjithë Evropën, vend pas vendi?

Siç tregon grafiku më poshtë, ka dallime të konsiderueshme në pagat minimale në të gjithë Evropën dhe Eurostati i grupon vendet në tre nivele page.

Euronews ka shtuar një kategori të katërt që grupon vendet me paga minimale nën 600 euro dhe përfshin vendet kandidate për në BE.

1- Grupi më i lartë: Mbi 1,500 €

Përveç Francës, e cila ofron 1,802 euro, të gjitha vendet e tjera në grupin më të lartë paguajnë mbi 2,000 euro në pagë minimale mujore. Përveç Luksemburgut, këto përfshijnë Irlandën (2,282 euro), Holandën (2,246 euro), Gjermaninë (2,161 euro) dhe Belgjikën (2,112 euro).

2- Grupi i mesëm: Midis 1,000 dhe 1,500 €

Disa vende në grupin e mesëm janë pak mbi pragun prej 1,000 eurosh.

3- Grupi i ulët: Midis 600 dhe 999 €

4-Grupi shumë i ulët: Nën 600 €

Disa vende, përfshirë një anëtar të BE-së, kanë paga minimale nën 600 euro. Ky grup më i ulët përbëhet kryesisht nga vendet kandidate për në BE. Ai përfshin Maqedoninë e Veriut (584 euro), Turqinë (558 euro), Bullgarinë (551 euro), Shqipërinë (408 euro), Moldavinë (285 euro) dhe Ukrainën (164 euro).

Pagat minimale pasqyrojnë ndarjen Lindje-Perëndim

Siç tregon harta më poshtë, ekziston një ndarje e fortë gjeografike në pagat minimale nominale në të gjithë Evropën. Kjo është më e dukshme midis Evropës Perëndimore dhe Lindore. Në përgjithësi, katër grupet e pagave pasqyrojnë rajone të ndryshme të BE-së.

Vendet në grupin më të lartë janë kryesisht në Evropën Perëndimore dhe Veriore. Grupi i mesëm përfshin disa vende nga Evropa Jugore dhe Qendrore. Grupet e ulëta dhe shumë të ulëta përbëhen kryesisht nga vendet e Evropës Lindore, Ballkanit dhe vendet kandidate për në BE.

 

Continue Reading

Kuriozitete

Jeta e egër përballë flakëve – Si mbijetojnë kafshët pas zjarreve në pyje?

Published

on

Gjatë zjarreve shkatërrimtare që përfshinë Kaliforninë në janar të vitit 2025, mediat u mbushën me pamje dramatike të ndërtesave të rrënuara, komuniteteve të shkatërruara dhe kafshëve të egra të plagosur që përpiqeshin të mbijetonin në mes të shkatërrimit.

Por, ndryshe nga njerëzit, për të cilët rreziku më i madh është gjatë vetë zjarrit, për jetën e egër sfida më e madhe vjen pas flakëve.

Ekspertët vërejnë se megjithëse shumë kafshë arrijnë të shpëtojnë nga zjarri, ditët dhe javët që pasojnë janë kritike.

Ushqimi, uji dhe strehimi bëhen burime të rralla, dhe për shumë specie, mbijetesa bëhet pothuajse e pamundur.

Disa kafshë janë të përshtatura për të jetuar në mjedise që ndjekin një zjarr pyjor, por rritja në intensitetin e shpeshtësinë e zjarreve po e kalon kapacitetin adaptues të tyre.

Habitatet e shkatërruara nënkuptojnë mungesë të resurseve thelbësore e zhvendosje të detyruar në zona urbane, ku rreziku për kafshët është edhe më i madh.

Shkencëtarët theksojnë një cikël shqetësues siç është humbja e biodiversitetit, e cila vjen si pasojë e zjarreve, mund të përkeqësojë vetë kushtet që çojnë në zjarre të tjera. Apeli i komunitetit shkencor është i qartë thotë se nevojitet ndërhyrje e menjëhershme për restaurimin e habitateve, ruajtjen e biodiversitetit dhe parandalimin e fatkeqësive të ardhshme, jo vetëm për jetën e egër, por edhe për sigurinë e njerëzve.

Continue Reading

Kuriozitete

Tsutomu Yamaguchi – i mbijetuar dy herë nga bombat atomike

Published

on

Tsutomu Yamaguchi, i lindur më 16 mars 1916 në Nagasaki, mban titullin unik si personi i vetëm që është njohur zyrtarisht nga qeveria japoneze si i mbijetuar nga të dy bombardimet atomike në Hiroshima dhe Nagasaki.

Më 6 gusht 1945, Yamaguchi ndodhej në Hiroshima për një udhëtim pune për kompaninë Mitsubishi Heavy Industries.

Rreth 3 km larg qendrës së shpërthimit, ai u godit nga valët tronditëse, humbi dëgjimin në njërin vesh, u verbua përkohësisht dhe u dogj rëndë në anën e majtë të trupit. Pavarësisht plagëve, gjeti strehim gjatë natës dhe u kthye në Nagasaki ditën tjetër.

Më 9 gusht, pasi u paraqit në punë, ku rrëfeu përvojën në Hiroshima, përjetoi edhe bombardimin e dytë. Edhe këtë herë ndodhej rreth 3 km larg nga qendra e shpërthimit dhe mbijetoi me më pak lëndime fizike, por pati ethe dhe të vjella nga ekspozimi ndaj rrezatimit.

Në vitin 1957, Yamaguchi u njoh zyrtarisht si ‘hibakusha’ (i mbijetuar) nga bombardimi në Nagasaki. Vetëm në mars të vitit 2009 qeveria japoneze pranoi zyrtarisht që ai kishte mbijetuar nga të dyja bombardimet, status që u konfirmua më 24 mars 2009.

Yamaguchi e kaloi pjesën e mbetur të jetës së tij duke avokuar për çarmatimin bërthamor, duke shkruar kujtime dhe poezi, si dhe duke marrë pjesë në një dokumentar të shfaqur në OKB më 2006 që përfshinte 165 të mbijetuar të dyfishtë (‘nijū hibakusha’).

Ai ndërroi jetë më 4 janar 2010 në Nagasaki, në moshën 93-vjeçare, nga kanceri në stomak. Historia e tij, nga mbijetesa e dy bombardimeve atomike të ndara, deri te angazhimi ndërkombëtar kundër armëve bërthamore, është dëshmi e forcës njerëzore e kujtesë e dhimbshme e tmerrit që sjell lufta bërthamore.

Continue Reading

Të kërkuara