Kronikë e zezë

Të shtëna me armë, drogë dhe disa arrestime në Kosovë, Policia sekuestron armë e substanca narkotike

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të përdorimit të armëve dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve në rajone të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit, ku janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar armë, municion e substanca narkotike.

Në Podujevë, pas të shtënave me armë zjarri në një aheng familjar, policia arrestoi një të dyshuar, të cilit i konfiskoi një pistoletë me gas dhe tre fishekë. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt.

Një rast i ngjashëm u raportua edhe në Malishevë, ku një person dyshohet se kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u gjet një pistoletë me gas, karikator dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt. Edhe në Vushtrri, pas të shtënave në një aheng familjar, policia konfiskoi dy pistoleta, njëra prej tyre me gas, si dhe gjashtë gëzhoja. I dyshuari u intervistua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt.

Në Brezovicë, një person u arrestua pasi dyshohet se kishte kanosur me armë zjarri tre persona pas një mosmarrëveshjeje. Gjatë kontrollit, policia i konfiskoi një pistoletë me 18 fishekë, ndërsa me urdhër të prokurorit ai u dërgua në mbajtje.

Sa i përket rasteve që lidhen me narkotikët, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, gjatë një kontrolli rutinë, u gjetën 1.2 gramë kokainë, 0.7 gramë ekstazi dhe 32.4 gramë hashash. Substancat u sekuestruan, ndërsa rasti është iniciuar dhe po hetohet.

Në Fushë Kosovë, policia arrestoi dy persona, pasi gjatë kontrollit u gjetën 2.28 gramë kokainë. Gjatë bastisjes në banesën e njërit prej tyre u sekuestruan edhe 2.28 gramë të tjera kokainë, 29.7 gramë heroinë dhe një peshore digjitale. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit u dërguan në mbajtje.

Ndërkohë, në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, një shtetas i huaj u arrestua pasi në bagazhin e veturës së tij u gjetën 2.6 gramë marihuanë. Ai u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Një tjetër rast u regjistrua në Suharekë, ku katër persona u arrestuan pasi gjatë kontrollit policor u sekuestruan 25.39 gramë marihuanë, një telefon celular, një shufër metalike dhe një pako rizlla. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit u dërgua në mbajtje, ndërsa tre të tjerët u liruan në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës njoftoi se të gjitha rastet janë duke u trajtuar në koordinim me prokuroritë kompetente.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Përmbytjet në Stamboll: 14-vjeçari humb jetën nga rryma elektrike, mbi 2.500 raportime për motin e keq

Published

on

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Stamboll të Turqisë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë vërshimeve.

Sipas mediave turke, i mituri me inicialet M. I. shkeli në një pellg uji në parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të distriktit Fatih. Ai u dërgua pa ndjenja në spital, por ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Janë raportuar më shumë se 1.200 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe dhjetëra raste të personave të bllokuar nga uji i rrëmbyeshëm.

Shërbimet emergjente kanë pranuar gjithsej 2.518 raportime të lidhura me kushtet e këqija atmosferike.

Sipas të dhënave, reshjet kanë prekur 808 objekte banimi, 280 ambiente biznesi dhe 76 automjete. Shtëpi, dyqane, rrugë dhe nënkalime janë përmbytur, ndërsa shumë automjete kanë mbetur të bllokuara në ujë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdon rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës argjentinase

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të enjte nga ora 13:00, do të vazhdojë seanca e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij, shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë në vitin 2023.

Në seancën e mbajtur të hënën, Nika është deklaruar sërish i pafajshëm për akuzën, duke thënë para trupit gjykues: “I pafajshëm 100 për qind”.

Më 19 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Postoi foto me armë në rrjete sociale, dy persona shoqërohen në polici në Suharekë

Published

on

Dy persona janë shoqëruar në stacionin policor në Suharekë, pasi njëri prej tyre kishte publikuar në rrjetet sociale një fotografi me armë zjarri.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 7 tetor, rreth orës 10:30, në fshatin Krushic. Gjatë rastit është bërë e ditur se pistoleta me gaz i përkiste të dyshuarit tjetër.

Arma, së bashku me një karikator, është konfiskuar nga policia.

Me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy të arrestuar në Ferizaj për dyshimin për shitblerje të narkotikëve

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rrugën “Ali Aliu” në Ferizaj, nën dyshimin për shitblerje të substancave narkotike.

Sipas raportit policor, rasti është regjistruar më 14 tetor, rreth orës 20:10, kur njësia policore ka kontrolluar dy automjete. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar 2.93 gramë marihuanë, 65 euro para të gatshme dhe një telefon.

Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara