Lajmet

Të paktën 89 emigrantë kanë humbur jetën pasi një varkë u përmbys pranë Mauritanisë

Publikuar

Gati 90 emigrantë që u nisën për në Evropë vdiqën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi varka e tyre u përmbys në brigjet e Mauritanisë në fillim të kësaj jave, njoftoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve.

“Roja bregdetare mauritaniane gjeti trupat e 89 personave në bordin e një anijeje të madhe tradicionale peshkimi që u përmbys të hënën më 1 korrik në brigjet e oqeanit Atlantik”, raportoi agjencia e lajmeve.

Anija ishte nisur nga kufiri i Senegalit dhe Gambisë me 170 pasagjerë në bord, duke e çuar numrin e të zhdukurve në 72.

Roja bregdetare shpëtoi nëntë persona, përfshirë një vajzë pesëvjeçare.

Rruga e Atlantikut është veçanërisht e rrezikshme për shkak të rrymave të forta, me emigrantë që udhëtojnë me varka të mbingarkuara, shpesh të padepërtueshme për det, pa ujë të mjaftueshëm të pijshëm./UBTNews/

Lajmet

​Edi Rama niset drejt Uashingtonit, merr pjesë në Samitin e NATO-s

Publikuar

nga

Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Uashingtonit, për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, në një takim të nivelit të lartë që mbahet prej datës 9 deri më 11 korrik.

Ndërsa feston 75-vjetorin e themelimit të saj, gjatë takimit që fillon të martën, NATO, e përbërë nga 32 vende evropiane dhe të Amerikës së Veriut, janë të angazhuar për të mbrojtur njëri-tjetrin nga sulmet e armatosura, ku në Samit do të theksohet forca përmes solidaritetit.

Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, 12 vende nënshkruan Traktatin e Atlantikut të Veriut në Uashington, DC për të siguruar mbrojtjen e tyre kolektive në një botë të paparashikueshme.

Këtë vit, 32 aleatë të NATO-s do të takohen përsëri në Uashington për të marrë vendime kyçe se si të vazhdojnë të mbrojnë një miliard qytetarët e tyre, ndërsa bota përballet me momentin më të rrezikshëm të sigurisë që nga Lufta e Ftohtë.

“Në Samitin e Uashingtonit, ne do të demonstrojmë edhe një herë unitetin dhe forcën e NATO-s, në mbështetje të Ukrainës dhe për të mbajtur të gjithë njerëzit dhe vlerat tona të sigurta”, ka thënë Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Në Samitin e Uashingtonit, udhëheqësit e NATO-s do të trajtojnë një sërë çështjesh me të cilat përballet Aleanca dhe do të sigurojnë që NATO të mbetet e gatshme për t’iu përgjigjur çdo sfide.

Këtu përfshihet mbrojtja e të gjithë aleatëve, me stërvitje në tokë, në det dhe në ajër; ndihma për Ukrainën, e cila është ende nën pushtimin brutal të Rusisë; bashkëpunimi mes partnerëve, që përfshin Evropën, rajonin Indo-Paqësor dhe organizata të tjera, veçanërisht BE.

Paralelisht me Samitin e Uashingtonit, qyteti do të presë Forumin Publik të NATO-s – një ngjarje që synon të promovojë një kuptim më të mirë publik të politikave, qëllimeve dhe vendimeve të NATO-s përmes dialogut dhe angazhimit me një grup unik dhe të larmishëm të palëve të interesuara./TCh

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës nis sot vizitën në Kosovë

Publikuar

nga

Ambasada e Zvicrës në Prishtinë ka njoftuar se presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, nga sot nis vizitën zyrtare në Kosovë deri më 11 korrik.

“Vizita është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Zvicrës për të forcuar marrëdhëniet e saj bilaterale me Kosovën dhe për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në komunikatën për media.

Krahas takimeve zyrtare, Nussbaumer do të vizitojë edhe SWISSCO-n (misioni paqeruajtës i Forcave të Armatosura zvicrane) në Mitrovicë, për të mësuar rreth punës së saj dhe situatës së sigurisë në veri të vendit.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Kombëtar do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, kryekuvendarin Glauk Konjufca e drejtuesen e diplomacisë, Donika Gërvalla.

“Diskutimet do të fokusohen në bashkëpunimin teknik parlamentar ndërmjet Shërbimeve Parlamentare të Zvicrës dhe Kuvendit të Kosovës, e cila filloi në 2021 me mbështetjen e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është për të ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në fushën institucionale të komunikimit dhe marrëdhëniet me publikun me qëllim rritjen e transparencës së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim për takimin me Konjufcën.

Nussbaumer do të zhvillojë takim edhe me Odën Ekonomike Zvicerane-Kosovare, e cila do të ofrojë një mundësi për të diskutuar mundësitë ekonomike për zviceranët ndërmarrës në Kosovë.

Eric Nussbaumer do të shoqërohet nga anëtarët e Këshillit Kombëtar Marc Jost dhe Cédric Wermuth.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Përmbytjet masive prekin miliona njerëz në Azinë Jugore

Publikuar

nga

Përmbytjet masive kanë përfshirë pjesë të Indisë, Nepalit dhe Bangladeshit ditët e fundit, duke mbytur shumë njerëz dhe duke prekur miliona të tjerë.

Operacionet e shpëtimit në shkallë të gjerë janë duke u zhvilluar, ndërsa autoritetet drejtojnë mijëra njerëz në strehimore dhe dërgojnë ushqim e furnizime për ata që janë bllokuar.

Lumenjtë e mëdhenj duke përfshirë Brahmaputra dhe Koshi, të cilët rrjedhin nëpër disa vende, kanë dalë nga shtrati për shkak të shiut të dendur.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut nuk janë të rralla gjatë sezonit të musoneve (ndryshim i erërave që shpesh shkakton një sezon me shumë shi ose një sezon shumë të thatë) të Azisë Jugore. Por, ekspertët thonë se çështja është përkeqësuar vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike.

Gjatë fundjavës në Nepal, autoritetet thanë se 14 persona kishin vdekur që nga e enjtja, autostradat kryesore ishin të bllokuara dhe disa ura të rrëmbyera nga lumenjtë e fryrë.

Autoritetet vlerësojnë se musoni i këtij viti ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 40 njerëzve deri më tani. Ata u kanë kërkuar banorëve në juglindje të vendit që të jenë në gatishmëri pasi lumi Koshi, i cili rrjedh nëpër Nepal dhe Indi, po rrjedh mbi nivelin e rrezikut.

Të hënën, zyrtarët mbyllën disa shkolla në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai pasi shirat e dendur pushtuan disa rrugë./BBC

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Pjesëmarrësit në “Marshin e Paqes” nisen drejt Srebrenicës

Publikuar

nga

Më 8 korrik, më shumë se 4.000 pjesëmarrës u nisën nga Nezuk, afër Tuzllës, në marshin prej 100 kilometrash drejt Srebrenicës. “Marshi i Paqes” organizohet për të nderuar viktimat e gjenocidit të vitit 1995 të kryer në zonën që ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Pjesëmarrësit do të ecin për tre ditë në rrugët e njëjta që përdorën banorët e Srebrenicës, teksa tentuan të kalonin në Tuzlla apo Kladnje në korrik të vitit 1995.

Pjesëmarrësit planifikojnë të arrijnë në Potoçari më 10 korrik, në mënyrë që një ditë më pas të marrin pjesë në ngjarjet që shënojnë përvjetorin e gjenocidit dhe funeralet kolektive në Qendrën Memoriale për Srebrenicën në Potoçari.

“Marshi i Paqes” organizohet që nga viti 2005 dhe numri i pjesëmarrësve është rritur çdo vit.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje është që të ndërtojë, përmirësojë dhe nxisë kulturën e përkujtimit të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë.

Gjatë ecjes treditore, pjesëmarrësit do të ecin mbi 30 kilometra në ditë. Rruga është e shënjuar dhe pjesëmarrësve u jepet ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore, nëse është e nevojshme.

Në korrik të vitit 1995, trupat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në Srebrenicë dhe qytetet përreth.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Atëbotë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti se Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burim të përjetshëm./REL

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara