Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sërish e ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë takimi së shpejti mes udhëheqësve rusë dhe ukrainas, si dhe ka folur për mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Moskës, megjithëse tha se edhe pala ukrainase është në faj.
“Unë dua që lufta të përfundojë. “Ajo që e kam në mendje është shumë, shumë serioze, nëse më duhet ta bëj. Por, dua ta shoh duke përfunduar”, theksoi ai. Ne duam përfundimin e saj. Ne kemi sanksione ekonomike”, u tha Trump gazetarëve të martën në Shtëpinë e Bardhë.
Trump shtoi: “Nuk do të jetë një luftë botërore, por do të jetë një luftë ekonomike. Një luftë ekonomike do të jetë e keqe, dhe do të jetë e keqe për Rusinë, dhe unë nuk e dua këtë”.
Ka kohë që Trump e përdor kërcënimin me sanksione ekonomike apo tarifa të larta kundër vendeve të tjera në çështje ndërkombëtare.
Ai ka paralajmëruar por ende nuk ka vendosur masa ekonomike kundër Moskës, megjithëse SHBA-ja dhe Perëndimi kanë vendosur një sërë sanksionesh të rënda ndaj Rusisë prej se ajo e filloi pushtimi e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Mendoj se, në shumë mënyra, ai [presidenti rus Vladimir Putin] është aty. Ndonjëherë ai është aty dhe [presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk është aty. As Zelensky nuk është plotësisht i pafajshëm. Unë kaloj shumë mirë me të tani, por kemi marrëdhënie shumë më ndryshme sepse tani nuk po ia japim asnjë qindarkë Ukrainës”, tha Trump, duke iu referuar një marrëveshjeje ku anëtarët e NATO-s blejnë armë amerikane për t’u përdorur nga Kievi”, nënvizoi ai.
Trump gjithashtu la të kuptohej për mundësinë e masave kundër Kievit, por nuk dha hollësi.
“Unë kam marrëdhënie shumë të mira me Putinin. Nëse mund t’i shpëtoj mijëra njerëz nga vdekja përmes sanksioneve ndaj Rusisë ose Ukrainës ose kujtdo tjetër, është mirë”, shtoi ai.
Kur u pyet për refuzimin e Putinit për t’u takuar ballë për ballë me Zelenskyn dhe për dyshimet e Kremlinit mbi legjitimitetin e udhëheqësit ukrainas, Trump tha se nuk ka rëndësi çfarë thonë rusët sepse të gjithë po bëjnë shfaqje.
Rusia ka vazhduar me pushtimin e plotë të Ukrainës pa ndërprerje pas takimeve të Trumpit me Putinin në Alaskë, më 15 gusht, dhe me Zelenskyn dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë tri ditë më vonë.
Trump, i cili që prej se e mori detyrën në janar ka kërkuar ta ndërmjetësojë përfundimin e luftës, i përdori ato takime për ta organizuar një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Zelenskyt, të cilët nuk janë takuar që nga viti 2019.
Zelensky – i cili ka kërkuar një takim të tillë me Putinin – më 26 gusht tha se Turqia, vendet e Gjirit ose shtetet evropiane mund të shërbejnë si mikpritës të çdo takimi që ai mund të mbajë me Putinin.