Konjufca: Dhimbjen për të pagjeturit e ndajnë të gjithë.
Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministrin Albin Kurtizhvilluan sot një takim me nënat e personave të pagjetur nga organizata “Thirrjet e Nënave”.
Presidentja Osmani tha se të pagjeturit janë plagë e përbashkët.
“Për institucionet e reja gjetja e më të dashurve tuaj – vajzave dhe djemve të cilët tashmë janë të të gjithë Kosovës, është prioritet. Përkushtohemi dhe ju premtojmë se do të punojmë pandërprerë që t´i gjejmë ata sa më parë të jetë e mundur”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Kryekuvendari Konjufca theksoi se dhimbjen për të pagjeturit e ndajnë të gjithë.
“Ashtu si deri me tani, ne të gjithë e ndajmë dhimbjen me ju. Ju keni dhënë më të dashurit tuaj dhe keni bërë sakrificën më sublime që ne sot të jemi të lirë. Andaj, do të punojmë së bashku për të siguruar drejtësinë e vonuar”, ka theksuar Kryetari Konjufca.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti premtoi angazhim maksimal për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Dhimbja dhe ankthi që ju përjetoni janë të pakrahasueshme. Ne do të punojmë vazhdimisht për të garantuar të drejtën tuaj për të ditur për fatin e më të dashurve tu”, është shprehur Kryeministri Kurti.
Në emër të shoqatës “Thirrjet e nënave”, znj.Nusrete Kumnova falënderoi krerët e shtetit për pritjen dhe mirëkuptimin.
“Të gjithë i kemi shpresat dhe pritjet e mëdha dhe po presim me padurim që të punohet e të veprohet prej së vërteti për të adresuar nevojat dhe kërkesat e nënave dhe familjareve të personave të zhdukur”, ka thënë Kumnova.
Të tre liderët institucionalë, garantuan se do të vazhdojnë të jenë pranë nënave dhe familjarëve të personave të pagjetur dhe se prioritet i tyre do të jetë zbardhja e fatit të tyre si një parakusht për sigurimin e drejtësisë. /UBTNEWS
Gjykata e Lartë e Katalonjës ka rrëzuar të premten dënimin për përdhunim ndaj ish-futbollistit brazilian Dani Alves, duke arsyetuar se çështja kishte mospërputhje dhe kontradikta në dëshmitë e paraqitura.
Alves, 41 vjeç, ishte dënuar vitin e kaluar me katër vjet e gjysmë burg për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë në vitin 2022. Megjithatë, gjykata e apelit vendosi se dëshmia e akuzueses nuk kishte besueshmëri të mjaftueshme, duke theksuar se mungonin prova të qarta për të mbështetur akuzën.
“Dani Alves është shumë i lumtur. Ai është i pafajshëm, kjo është demonstruar. Drejtësia ka folur,” deklaroi avokatja e tij, Ines Guardiola.
Ndërkohë, avokatja e akuzueses, Ester Garcia, paralajmëroi se do ta çojë çështjen në Gjykatën Supreme të Spanjës, proces që mund të zgjasë deri në një vit./S.K/KP/Morung Express/
Paul Pogba është shumë pranë rikthimit në futboll pas një periudhe të gjatë mungese tha trajneri i Monacos, Adi Hütter. Ai zyrtarisht ka konfirmuar se mesfushori francez po përparon ndjeshëm.
“Fizikisht dhe mendërisht po shkon mirë. Është stërvitur për tre muaj dhe është afër kthimit në skuadër,” deklaroi Hütter.
Sipas mediave franceze, Pogba pritet të jetë i disponueshëm më 5 tetor, në ndeshjen e Ligue 1 kundër Nice në Stade Louis II.
Ndërkohë, rikthimi në sfidën e së shtunës kundër Lorient shihet më pak i mundshëm.
Ish-mesfushori i Juventusit nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që prej 3 shtatorit 2023, kur u aktivizua ndaj Empolit.
Pak javë më vonë, ai u pezullua për doping dhe u dënua fillimisht me katër vite jashtë fushave. Megjithatë, në tetor 2024, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv uli ndalimin në 18 muaj, që skadoi më 11 mars 2025.
Pas ndarjes me Juventusin, Pogba refuzoi një transferim në MLS dhe verën e kaluar nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Monacon, e vlefshme deri më 30 qershor 2027.
Klubi monegask e ka regjistruar 31-vjeçarin edhe për Ligën e Kampionëve, ku pritet të rikthehet në tetor.
Ky rikthim do të shënojë një moment të rëndësishëm për kampionin e botës 2018, i cili synon të rifitojë formën dhe të lërë pas periudhën më të vështirë të karrierës së tij./S.K/KP/CNN/
Mesfushori i Inter Miami, Sergio Busquets, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga futbolli në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një karriere gati 20-vjeçare.
37-vjeçari e bëri njoftimin përmes një videoje në Instagram, ku falënderoi Barcelonën, kombëtaren spanjolle, Inter Miamin, shokët e skuadrës, tifozët dhe familjen e tij.
“Ndjej se ka ardhur koha t’i them lamtumirë karrierës sime si futbollist profesionist. “Kanë kaluar pothuajse 20 vjet duke shijuar këtë histori të pabesueshme për të cilën gjithmonë kam ëndërruar”, tha Busquets.
Busquets ishte një figurë kyçe te Barcelona për 14 vite, me mbi 700 paraqitje dhe 32 trofe të fituar, përfshirë 9 tituj të La Ligës dhe 3 Liga të Kampionëve.
Me Spanjën, ai regjistroi 143 ndeshje dhe fitoi Kupën e Botës 2010 dhe Euro 2012.
“Nuk e di se sa gjatë do të luajë Busi, por mendoj se ai është një nga mesfushorët më të mirë në histori… Shpresojmë që ai do të na ndihmojë në fazën eliminatore sepse është një lojtar kyç”, tha trajneri i Inter Miami, Javier Mascherano.
Busquets, i njohur për inteligjencën taktike dhe pasimet e sakta, është aktualisht lojtari me më shumë minuta të luajtura për Inter Miami këtë sezon./S.K/KP/