Lajmet

Të pagjeturit, Kosova kërkon përgjigje për nisjen e gërmimeve në lokacione të reja në Serbi

Institucionet e Kosovës presin një dinamikë më të shtuar në këtë proces.

Published

on

Serbia po vazhdon ta mbajë të fshehur fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Megjithatë, institucionet e Kosovës presin një dinamikë më të shtuar në këtë proces, pasi brenda territorit të Kosovës nuk do të ketë informatë ose lokacion që nuk do të ketë gërmime. Kurse në Serbi janë tri deri katër lokacione në të cilën vendi ynë po pret përgjigje për të nisur gërmimet.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, në një intervistë për KosovaPress, tha se në vitin e kaluar, familjarëve u janë dorëzuar eshtrat e 25 personave, derisa është punuar në nëntë lokacione të ndryshme ku edhe janë zhvarrosur dy trupa.

Sipas tij, në tetor të vitit 2021, janë varrosur nëntë trupat e martirëve të vrarë në masakrën e Rrezallës të prillit të viti 1999, derisa këtë vit thekson se si komision kanë një dinamik të shtuar për intensifikimin e të gjitha lokacioneve në Kosovë.

“Derisa vazhdojnë të jenë më shumë se 1 mijë e 600 persona të pagjetur, sigurisht që çdo informatë që mund të klasifikohet dhe të vlerësohet si informatë që mund të kontribuojë në proces, duhet të trajtohet me shumë prioritet… Po bëjmë përpjekje që gjatë këtij viti të ketë një dinamik të shtuar në këtë proces. Kryesuesi i komisionit është në komunikim të vazhdueshëm me kolegë të institutit të mjekësisë ligjore dhe institutit për hetime të luftës, por edhe institucionet e tjera kompetente të Republikës së Kosovës, gjykata kompetente që të kemi një dinamik të shtuar në proces ose të intensifikojmë angazhimin e përbashkët që të gjitha lokacionet e mundura të Republikës së Kosovës të trajtohen dhe të procedohen në kuptimin vlerësues”, thotë ai.

Për zbulimin e territoreve të mbetjeve mortore nga lufta e fundit, Gara tha se në shtetin serb janë tri ose katër lokacione në të cilat komisioni veçse kanë dërguar shkresat te partnerët ndërkombëtarë për lejimin e gërmimeve në atë shtet.

Derisa shton se Kosova mbetet shembull për numrin e lokacioneve të cilat janë trajtuar për vetëm një vit.

“Sfiduese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë, por në këto raste jemi në një komunikim edhe me bashrendim të aktiviteteve të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë që janë pjesë e këtij procesi që të shtohet presioni dhe trysnia ndaj palës serbe që të kemi sa më parë data për fillimin e gërmimeve për lokacionet e shënuara në territorin e Serbisë… Brenda territorit të Kosovës nuk do të ketë informatë ose lokacion, i cili nuk do të trajtohet në kuptimin gërmimeve, domethënë Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë shembull për mënyrën e trajtimit të informatave, për numrin e informatave ose për numrin e lokacioneve që janë trajtuar brenda vitit… Janë të paktën tri apo katër lokacione nëpër të cilat ne tashmë i kemi dorëzuar shkresat zyrtare dhe janë të shënjuara dhe po presim që të kemi një koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, tha Gara për KosovaPress.

Gara shtoi se kërkesat e vazhdueshme të tyre ndaj partnerëve ndërkombëtarë janë që të shtohet presioni mbi palën serbe që të kenë datat se kur mund të zhvillohen gërmimet atje.

“Ndërsa për aktivitete e tjera po bëjmë përpjekje, jemi njoftuar që të kemi një dinamik të shtuar në proces dhe në një koordinim të plotë me familjarët e personave të pagjetur që krahas angazhimit institucional të bëhet përpjekje, të ketë një trajtim më të mirë ligjor për familjarët e personave të pagjetur… Për shtetin e Serbisë kërkesat tona janë të vazhdueshme jo vetëm kërkesat por bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm që të shtohet presioni ndaj palës serbe që të kemi sa më parë datat për fillimin e gërmimeve, ndërsa për lokacionet brenda territorit të Republikës së Kosovës, sigurisht tani me përshtatjen e kushteve të motit do të ketë një agjendë të shtuar për adresimin e informatave tashmë të siguruara të trajtuara paraprakisht, jo vetëm nga komisioni por edhe nga institucionet e tjera kompetente në këtë rast nga instituti i mjekësisë ligjore, sektori i policisë për hetimin e krimeve të luftës, prokuroria speciale e Kosovës dhe gjykatat kompetente”, tha ai.

Lajmet nga UBT

Ekspozita “Objekti Kujtesë” sjell interpretimet kreative të studentëve të vitit të parë të Artit dhe Dizajnit në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, studentët e vitit të parë të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit prezantuan ekspozitën “Objekti Kujtesë”, të realizuar në kuadër të lëndës Skulpturë (Semestri II), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita paraqiti një seri punimesh që eksplorojnë marrëdhënien ndërmjet objektit, kujtesës dhe përditshmërisë, duke transformuar objekte të zakonshme në forma skulpturore me vlera estetike dhe konceptuale.

Përmes përdorimit të materialeve të gjetura, objekteve të përdorimit të përditshëm dhe materialeve të ricikluara, studentët krijuan vepra që tejkalojnë funksionin fillestar të objektit, duke i dhënë atij kuptime të reja dhe dimensione artistike. Çdo punim shpalosi histori, kujtime dhe reflektime personale e kolektive, duke dëshmuar potencialin krijues dhe aftësinë e studentëve për të zhvilluar gjuhë bashkëkohore artistike.

Ekspozita “Objekti Kujtesë” ofroi një hapësirë dialogu mes artit, kujtesës dhe materialitetit, duke nxitur publikun të reflektojë mbi mënyrën se si objektet e përditshme mund të bartin histori, emocione dhe identitete.

Continue Reading

Kulturë

Studentët e vitit të tretë të Artit dhe Dizajnit në UBT hapën ekspozitën “Praktika Artistike si Komunikim”

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Ditët e Artit dhe Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT prezantoi ekspozitën “Praktika Artistike si Komunikim”, e realizuar nga studentët e vitit të tretë në kuadër të lëndës Projekt Individual (Semestri VI), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita solli para publikut një gamë të gjerë projektesh artistike, të cilat pasqyrojnë qasje individuale, kërkime personale dhe eksperimente krijuese të studentëve në mediume të ndryshme bashkëkohore.

Ndryshe nga ekspozitat tematike, kjo ekspozitë nuk u fokusua në një temë të vetme, por krijoi hapësirë për secilin student që të prezantojë vizionin, interesat dhe drejtimin e vet artistik. Përmes veprave të ekspozuara, studentët reflektuan mbi temat, konceptet dhe format e komunikimit që i konsiderojnë të rëndësishme në zhvillimin e praktikës së tyre profesionale.

Ekspozita “Praktika Artistike si Komunikim” dëshmoi potencialin krijues të studentëve të UBT-së dhe rëndësinë e mbështetjes së proceseve të pavarura artistike, duke shërbyer si një platformë prezantimi dhe dialogu mes artistëve të rinj dhe publikut.

Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT vazhdojnë të ofrojnë aktivitete të ndryshme akademike, artistike dhe kulturore, duke promovuar kreativitetin, inovacionin dhe zhvillimin profesional të studentëve.

Continue Reading

lajme

Studentët e vitit të parë të Modës në UBT promovojnë qëndrueshmërinë përmes dizajnit kreativ

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, studentët e vitit të parë të programit të Modës, në lëndën Bazat e Teknikave të Qepjes me Prof. Ardita Rizvanolli, me mysafire në punëtori MSc në Dizajn, Zana Maxhuni, realizuan një punëtori njëditore të fokusuar në riciklimin dhe ripërdorimin kreativ të materialit xhins.

Gjatë punëtorisë, studentët transformuan veshje të vjetra xhinsi në krijime të reja dhe atraktive, duke demonstruar kreativitet, aftësi profesionale dhe vetëdije për rëndësinë e modës së qëndrueshme. Punimet e realizuara u ekspozuan në fund të aktivitetit në hollin e Kampusit në Lipjan, ku tërhoqën vëmendjen e studentëve, stafit akademik dhe vizitorëve.

Kjo nismë synon të inkurajojë qasjet inovative në dizajn, të promovojë riciklimin si praktikë të përgjegjshme dhe të nxisë studentët të eksplorojnë mundësitë krijuese që ofrojnë materialet e ripërdorshme.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT Prizren realizojnë vizitë studimore në Industrinë e Pijeve “Fruti” dhe në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza

Published

on

By

Studentët e programit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT – dega në Prizren, të shoqëruar nga stafi akademik i përbërë nga prof. Arianeta Nura, prof. Dielleza Elshani, prof. Fjolla Ejupi, prof. Luljeta Ajdini dhe prof. Sami Gashi, kanë realizuar një vizitë studimore në Industrinë e Pijeve “Fruti” dhe në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Prizren.

Gjatë vizitës në Industrinë e Pijeve “Fruti”, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset teknologjike të prodhimit të pijeve, kontrollin e cilësisë, standardet e sigurisë ushqimore, si dhe me praktikat moderne që aplikohen në industrinë ushqimore.

Ndërkaq, në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza, studentët u informuan për proceset e trajtimit dhe menaxhimit të ujërave, teknologjitë e përdorura për mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e sistemeve të qëndrueshme për ruajtjen e burimeve ujore.

Kjo vizitë studimore u mundësoi studentëve të lidhin njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve me praktikën profesionale, duke zgjeruar njohuritë e tyre në fushën e teknologjisë ushqimore, bioteknologjisë dhe menaxhimit mjedisor.

UBT vazhdon të krijojë mundësi të shumta për studentët që të përfitojnë përvoja praktike në institucione dhe kompani relevante, duke i përgatitur ata për sfidat dhe kërkesat e tregut të punës.

Continue Reading

Të kërkuara