Lajmet

Të ndalet gjuha denigruese ndaj gazetarëve në Kosovë

Shantazhe, fyerje e kërcënime ndaj gazetarëve në Kosovë.

Published

on

Federata Evropiane e Gazetarëve, Qendra Evropiane për Liri të Medieve dhe shumë organizata të tjera që angazhohen për mbrojtjen e gazetarëve, i dërguan një letër presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, ku kërkuan nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve. Kjo letër erdhi në Kosovë pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili u shpreh i “alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, (bashkëshort i presidentes Osmani), ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale’. Reagimi pasoi një postim në facebook, të zotit Sadriu, i cili është edhe i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, kundër shkrimeve në disa media lokale rreth shpenzimeve të udhëtimit të presidentes Vjosa Osmani, në kohën kur ajo ishte deputete në parlamentin e Kosovës.

T’i jepet fund gjuhës diskredituese

“Ne u bëjmë thirrje që t’i jepet fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarët dhe individët e lidhur me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e presidentit dhe institucionet e tjera të nivelit të lartë”, thuhet në letrën e publikuar nga Qendra Evropiane për Liri të Mediave. Në këtë letër, thuhet se “në ditët e fundit, në rrjetet sociale ka pasur mesazhe nga politikanët dhe zyrtarët që kanë nxitur publikun kundër gazetarëve dhe reporterëve”.

Mund të rrezikohet siguria e gazetarëve

Qendra Evropiane për Liri të Medieve vazhdon, se komentet kanë rezultuar efektivisht në një mori abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shënjestruar gazetarët dhe aktivistët kritikë të pavarur, veçanërisht gratë. “Për më tepër, përdorimi i termave të tillë si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, kemi frikë se mund të ndikojë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve, duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore”, thuhet në letër.

Organizatat ndërkombëtare theksojnë, se përdorimi i gjuhës denigruese ndaj medieve nga  aktivistët politikë, është i rrezikshëm edhe për sigurinë fizike të gazetarëve. “Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve të pavarur është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt që minon vlerat demokratike. Sidomos duke pasur parasysh ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është e një rëndësie të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive politike dhe figurat publike të respektojnë lirinë e mediave dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, u tha në letrën drejtuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

Reagim i europarlamentares, Viola von Cramon

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon iu bashkua reagimie. “Media e lirë është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa frikë”, shprehet von Cramon duke shtuar, se është “duke vëzhguar nga afër fushatën e organizuar denigruese kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”.

Pas të gjitha këtyre reagimeve, Prindon Sadriu, zotëria i parë shkroi në një postim të dytë më të gjatë në facebook se postimi i parë i tij është “devijuar qëllimshëm nga disa”, duke theksuar se “respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pa rezervë”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës iu bëri thirrje edhe gazetarëve që “t’i përmbahen kodit etik” gjatë raportimit, duke theksuar se “roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut”.

Shantazhe, fyerje e kërcënime ndaj gazetarëve në Kosovë

Letra që iu dërgua presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, ku u kërkua nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve, është nënshkruar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve, Indeksi mbi Censurën, Instituti Ndërkombëtar i Medias, Rrjeti i SafeJournalists (ku bëjnë pjesë shoqatat e gazetarëve nga Ballkani dhe dhe fondacioni Daphne Caruana Galizia.

Në raportin e fundit për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch, që u publikua në janar të vitit 2022, u tha ndër të tjera se gazetarët në Kosovë janë në shënjestër të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit dhe se autorët e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë janë mbajtur përgjegjës.

“Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste kanë qenë nën hetime në kohën e shkrimit [të raportit], por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta”, u tha në raportin e Human Rights Watch.DW

Continue Reading

Lajmet

Merz: Evropa po e nënvlerëson kërcënimin që vjen nga Rusia

Published

on

Friedrich Merz thotë se Evropa mund të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën pa para nga SHBA-ja. Ai paralajmëron se Rusia jo vetëm që dëshiron territore në Ukrainë, por po përpiqet të destabilizojë edhe shoqëritë evropiane.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Bloomberg-ut, Francine Laqua, Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) foli, ndër të tjera, për luftën në Ukrainë, ndryshimet në politikën amerikane nën Donald Trumpin dhe kërcënimin e nënvlerësuar që Rusia paraqet për shoqëritë evropiane.

I pyetur nëse ishte i përgatitur për një botë në të cilën Shtetet e Bashkuara do të ishin aleate të Rusisë kundër Ukrainës, Merz theksoi se SHBA-ja ka ndërprerë plotësisht financimin për Ukrainën që nga fillimi i vitit 2025. Sipas tij, për gati dy vjet, mbështetja financiare është siguruar nga Koalicioni i të Gatshmëve, i përbërë nga vende evropiane dhe disa vende joevropiane.

“Kjo tregon se ne mund t’ia dalim vetë”, tha Merz, duke shtuar: “Është një barrë e madhe për buxhetet shtetërore dhe një sfidë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, por ne po e përballojmë dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën derisa kjo luftë e tmerrshme të përfundojë.”

Merz tha se në çdo takim përpiqet ta bindë Presidentin amerikan Donald Trump se një Evropë e qëndrueshme dhe një Bashkim Evropian i fortë janë gjithashtu në interes të Shteteve të Bashkuara. “Është në interes edhe të amerikanëve”, theksoi Kancelari.

Ndryshimi i qasjes amerikane

I pyetur pse administrata amerikane po ndjek këtë qasje, Merz tha se nën drejtimin e Trumpit, SHBA-ja ka ndryshuar mënyrën e saj të të vepruarit në politikën globale.

“Motoja ‘Ta bëjmë Amerikën Sërish të Madhe’ nuk do të thotë asgjë më shumë sesa: ne veprojmë në mënyrë të pavarur dhe të tjerët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Përgjigjja e Evropës është: ne e kuptojmë këtë. Edhe ne do të veprojmë në mënyrë të pavarur dhe në interesin tonë.”

Gazetarja e pyeti se si do të funksiononte mbështetja për Ukrainën nëse SHBA-ja nuk jep ndihmë financiare.

“Ne i kemi rritur shpenzimet për mbrojtjen në kuadër të NATO-s në pesë për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po e bëjmë këtë brenda Bashkimit Evropian dhe së bashku me aleatët tanë evropianë. Po ashtu, po bashkëpunojmë ngushtë me Kanadanë, e cila sot është më e orientuar drejt Evropës se kurrë më parë. Ne kemi aleatë të vërtetë në botë”, tha Merz.

Ai theksoi se Gjermania është ndër kontribuuesit më të mëdhenj në mbështetjen e Ukrainës për mbrojtjen e saj, gjë që e ka bërë vendin objektiv kritikash dhe sulmesh politike. Kur u pyet nëse qytetarët gjermanë vazhdojnë ta mbështesin këtë politikë, Merz u përgjigj: “Po, ende e mbështesin. Rreth 60 për qind e qytetarëve janë në favor të kësaj politike, ndonëse ka edhe kritikë.”

Merz nuk pret që mbështetja për Ukrainën të zbehet në të ardhmen e afërt, megjithëse një gjë e tillë mund të ndodhë në një moment. “Shpresoj shumë që të kontribuojmë në përfundimin e kësaj lufte. Ky është qëllimi ynë kryesor, jo zgjatja e saj”, tha ai.

 

Shqetësimi nga nënvlerësimi i kërcënimit rus

Kur Francine Laqua e pyeti nëse kjo nënkuptonte përfundimin e luftës sipas kushteve të Ukrainës dhe jo sipas atyre amerikane apo ruse, Merz u përgjigj: “Ukraina është një shtet sovran dhe kushti themelor është ruajtja e integritetit të saj territorial. Kjo nuk vihet në diskutim.”

Në fund të intervistës, i pyetur se çfarë e shqetëson më shumë, Merz tha se është “nënvlerësimi i kërcënimit që Rusia paraqet për shoqëritë evropiane”.

Ai theksoi se lufta në Ukrainë është vetëm një pjesë e një problemi shumë më të gjerë. “Panorama e përgjithshme tregon se Rusia po përpiqet të destabilizojë të gjithë rendin politik në kontinentin evropian. Është e qartë se shumë njerëz, përfshirë edhe në vendin tim, e nënvlerësojnë këtë rrezik.”

“Njerëzit nuk e kuptojnë se cili është qëllimi i vërtetë i Rusisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për pushtimin e territoreve në Ukrainë. Ambiciet e saj janë shumë më të gjera”, theksoi kancelari. “Njerëzit në Kremlin kanë frikë nga demokracia, nga shoqëritë e hapura dhe nga suksesi i integrimit evropian. Ata duan ta minojnë këtë sukses dhe tashmë po punojnë për ta arritur këtë.”

Sipas Merzit, shumë njerëz, edhe në Gjermani, vazhdojnë ta nënvlerësojnë këtë kërcënim, i cili shihet çdo ditë. I pyetur nëse sjellja e Shteteve të Bashkuara kontribuon në këtë situatë, Merz u përgjigj: “Shtetet e Bashkuara janë gjeografikisht shumë larg Rusisë. Ky është kontinenti ynë. Rusia është një fuqi evropiane dhe kontinenti evropian po kërcënohet. Kjo është ajo që më shqetëson më së shumti.”

Burimi: Deutsche Welle

Continue Reading

Lajmet

Një person vdes në fabrikën e tij afër Drenasit

Published

on

Një person ka vdekur dje, pas lëndimeve që ka pësuar në vendin e tij të punës në një kompani private, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas saj, viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima është pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e punës. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti dhe trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Ndërkohë, mediat, duke u thirrur në burime familjare, kanë njoftuar se viktima është Raif Aliu (47) nga Likoci i Skenderajt, që humbi jetën të martën në ambientet e kompanisë “Prima-Fix”, në Korroticë të Epërme të Drenasit.

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familja brenda një dite

Published

on

Vazhdojnë edhe më tej statistikat e larta të rasteve të dhunës në familje. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë njoftuar katër raste të tilla.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur në Ferizaj.

Aty, është arrestuar një i dyshuar, pasi që, pas një mosmarrëveshje në familje, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.  Palët janë intervistuar  dhe  me   vendim të prokurorit i dyshuari  është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë. Viktima, një i mitur, ka pësuar dhunë nga babai i tij dhe për këtë ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në Fushë Kosovë, është raportuar se, pas një mosmarrëveshje në familje, viktima femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima e rastit ka pranuar tretman mjekësor dhe me kërkesën e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit  me vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje.

Rasti i katërt ka ndodhur në Lipjan. Aty, një i dyshuar ka sulmuar babanë e tij.

I dyshuari, është shoqëruar në stacionin policor dhe për shkak të gjendjes së tij mendore, në konsultim me prokurorin, është dërguar në QKUK për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 2500 tiketa në trafik – shifra të larta të dënimeve nga policia

Published

on

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka shqiptuar 2501 tiketa në trafik. Një shifër kjo e lartë për një 24-orësh.

Në raportin e saj ditor, policia ka dhënë edhe statistikat e tjera, për zhvillimet në 24 orët e fundit.

Sipas raportit, kanë ndodhur 26 aksidente trafiku  me të lënduar dhe 29 aksidente me dëme materiale.

Janë arrestuar 20 persona, në mbajtje janë dërguar shtatë, dy persona janë në ndalim policor, derisa në vuajtje të dënimit janë dërguar tre persona.

Continue Reading

Të kërkuara