Lajmet
Të ndalet gjuha denigruese ndaj gazetarëve në Kosovë
Shantazhe, fyerje e kërcënime ndaj gazetarëve në Kosovë.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiFederata Evropiane e Gazetarëve, Qendra Evropiane për Liri të Medieve dhe shumë organizata të tjera që angazhohen për mbrojtjen e gazetarëve, i dërguan një letër presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, ku kërkuan nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve. Kjo letër erdhi në Kosovë pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili u shpreh i “alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, (bashkëshort i presidentes Osmani), ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale’. Reagimi pasoi një postim në facebook, të zotit Sadriu, i cili është edhe i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, kundër shkrimeve në disa media lokale rreth shpenzimeve të udhëtimit të presidentes Vjosa Osmani, në kohën kur ajo ishte deputete në parlamentin e Kosovës.
T’i jepet fund gjuhës diskredituese
“Ne u bëjmë thirrje që t’i jepet fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarët dhe individët e lidhur me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e presidentit dhe institucionet e tjera të nivelit të lartë”, thuhet në letrën e publikuar nga Qendra Evropiane për Liri të Mediave. Në këtë letër, thuhet se “në ditët e fundit, në rrjetet sociale ka pasur mesazhe nga politikanët dhe zyrtarët që kanë nxitur publikun kundër gazetarëve dhe reporterëve”.
Mund të rrezikohet siguria e gazetarëve
Qendra Evropiane për Liri të Medieve vazhdon, se komentet kanë rezultuar efektivisht në një mori abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shënjestruar gazetarët dhe aktivistët kritikë të pavarur, veçanërisht gratë. “Për më tepër, përdorimi i termave të tillë si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, kemi frikë se mund të ndikojë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve, duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore”, thuhet në letër.
Organizatat ndërkombëtare theksojnë, se përdorimi i gjuhës denigruese ndaj medieve nga aktivistët politikë, është i rrezikshëm edhe për sigurinë fizike të gazetarëve. “Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve të pavarur është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt që minon vlerat demokratike. Sidomos duke pasur parasysh ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është e një rëndësie të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive politike dhe figurat publike të respektojnë lirinë e mediave dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, u tha në letrën drejtuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.
Reagim i europarlamentares, Viola von Cramon
Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon iu bashkua reagimie. “Media e lirë është një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa frikë”, shprehet von Cramon duke shtuar, se është “duke vëzhguar nga afër fushatën e organizuar denigruese kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”.
Pas të gjitha këtyre reagimeve, Prindon Sadriu, zotëria i parë shkroi në një postim të dytë më të gjatë në facebook se postimi i parë i tij është “devijuar qëllimshëm nga disa”, duke theksuar se “respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pa rezervë”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës iu bëri thirrje edhe gazetarëve që “t’i përmbahen kodit etik” gjatë raportimit, duke theksuar se “roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut”.
Shantazhe, fyerje e kërcënime ndaj gazetarëve në Kosovë
Letra që iu dërgua presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, ku u kërkua nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve, është nënshkruar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve, Indeksi mbi Censurën, Instituti Ndërkombëtar i Medias, Rrjeti i SafeJournalists (ku bëjnë pjesë shoqatat e gazetarëve nga Ballkani dhe dhe fondacioni Daphne Caruana Galizia.
Në raportin e fundit për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch, që u publikua në janar të vitit 2022, u tha ndër të tjera se gazetarët në Kosovë janë në shënjestër të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit dhe se autorët e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë janë mbajtur përgjegjës.
“Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste kanë qenë nën hetime në kohën e shkrimit [të raportit], por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta”, u tha në raportin e Human Rights Watch.DW
You may like
Lajmet
REL: Kosova përballë një prove politike: kompromis apo krizë e re?
Published
12 hours agoon
March 24, 2026By
UBTNews
Kosova duket se po rrëshqet sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme – jo si rezultat i një domosdoshmërie demokratike, por si pasojë e një dështimi të vazhdueshëm politik për të ndërtuar konsensus dhe për të funksionalizuar institucionet.
Edhe pse procesi mbetet teknikisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, sinjalet politike janë të qarta: vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor që rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat – bllokadë.
Analistët paralajmërojnë se, pavarësisht vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme.
“Të gjitha indikacionet tregojnë që, pas përfundimit të afateve kushtetuese – cilatdo qofshin ato – Kosovën e pret një proces i ri zgjedhor”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar efektet e dekretit të presidentes.
Kjo nënkupton që, deri atëherë, nuk mund të shpallet data e zgjedhjeve të reja, por as të vazhdohet seanca për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.
Kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Osmanit u dorëzua nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se procesi për zgjedhjen e presidentit ka një afat 60-ditor për t’u përmbyllur.
Një rrugë e trasuar drejt zgjedhjeve
Sipas Donika Eminit, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, edhe nëse Gjykata vendos në favor të interpretimit të afatit 60-ditor, realiteti politik mbetet i pandryshuar: mungesa e konsensusit e ka bërë zgjedhjen e presidentit pothuajse të pamundur.
“Aktualisht, nuk ka asnjë sinjal për konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.
Mandati i Osmanit skadon në më pak se dy javë.
Zgjedhja e presidentit në Kosovë bëhet nga Kuvendi dhe kërkon shumicë të kualifikuar votash – gjë që e bën procesin të varur nga kompromisi ndërpartiak. Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje.
Disa parti politike po e trajtojnë tashmë skenarin e zgjedhjeve si të kryer.
Kryeministri Albin Kurti shprehet skeptik se zgjedhjet do të sjellin ndryshim real, duke paralajmëruar një “vazhdim të agonisë legjislative dhe institucionale”.
Në anën tjetër, opozita e sheh përgjegjësinë pikërisht te pushteti.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, mungesa e vullnetit nga shumica parlamentare, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, në një kohë kur, sipas tij, “Kosova ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim”.
Gjatë një paraqitje në televizionin Klan Kosova, ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kanë nisur “ngërçin e ri institucional”.
“Në rrethanat e tanishme, të sigurta janë zgjedhjet e reja. Të sigurta”, tha ai.
E, më pesimist u shpreh Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili paralajmëroi mundësinë e dy palë zgjedhjeve brenda vitit, nëse edhe pas zgjedhjeve të reja nuk arrihet marrëveshje për presidentin.
“Ushtruesi i detyrës mund të qëndrojë vetëm gjashtë muaj, që nënkupton afatin deri më 5 tetor. Nëse deri atëherë nuk kemi as president dhe as qeveri, vendi nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të shkojë në zgjedhje”, theksoi Gjini për mediat në Kosovë.
Në këto rrethana, pyetja thelbësore që mbetet, është: çfarë kuptimi kanë zgjedhjet?
Zgjedhje pa ndryshim?
Sipas Eminit, përvoja e viteve të fundit tregon se ciklet e përsëritura zgjedhore nuk kanë sjellë ndryshim substancial në funksionimin e skenës politike.
Edhe zgjedhjet e fundit – të mbajtura më 28 dhjetor, rreth 10 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 – konfirmuan dominimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pa garantuar një kapacitet real për konsensus institucional.
“Zgjedhjet e reja ka shumë gjasa të japin rezultate të ngjashme me ato të mëparshmet. Mund të ketë vetëm lëvizje të vogla në përqindjen që mund të fitojnë partitë politike”, thotë ajo.
Një faktor potencialisht i ri mund të jetë rikthimi eventual i Vjosa Osmanit në skenën partiake, por edhe kjo, sipas Eminit, do të sillte një rikonfigurim të pjesshëm, e jo transformim thelbësor të skenës politike.
Sipas saj, problemi nuk qëndron te vota, por te mungesa e kulturës së kompromisit.
“Nëse situata vazhdon në këtë drejtim, hapësira ku qytetarët përfitojnë nga sistemi politik, mbetet shumë e kufizuar. Kjo mbetet ndoshta pasoja më shqetësuese e gjithë krizës aktuale”, thotë Emini.
Rreziku i një cikli të pafund krizash
Të dy analistët paralajmërojnë se Kosova po hyn në një rreth vicioz, ku zgjedhjet nuk zgjidhin krizën, por e riciklojnë atë.
Muhaxhiri vlerëson se, në teori, do të ishte logjike një rënie e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të mungesës së bashkëpunimit politik, por përvoja e fundit tregon të kundërtën.
“Nuk pres ndryshim të madh. Kështu u mendua edhe vitin e kaluar – dhe ja ku jemi sot”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ndryshimi i vetëm real do të vinte nga një reagim ndëshkues i elektoratit – një “votim transformues” që do t’i jepte fund “çoroditjes politike”.
“Përndryshe, rrethi vicioz do të vazhdojë patrazueshëm”, thotë ai.
Pasojat nuk janë vetëm të brendshme.
Një krizë e vazhdueshme institucionale, paralajmëron Muhaxhiri, rrezikon ta largojë Kosovën edhe nga agjendat integruese të Bashkimit Evropian dhe t’i demotivojë aleatët ndërkombëtarë.
“Zmbrapsja nga projektet evropiane e zvogëlon rëndësinë gjeopolitike të Kosovës dhe e nxjerr atë nga radari i bashkëpunimit”, thekson ai.
Çfarë do të duhej të bënin partitë politike?
“Në një skenar ideal, zgjedhjet e reja do të duhej të shmangeshin”, thotë Emini, duke theksuar se ende ekziston një dritare për kompromis, por vetëm nëse ka angazhim serioz për tejkalimin e ngërçit.
E, nëse vendi shkon në zgjedhje, ato do të kenë kuptim vetëm nëse shoqërohen me një ndryshim të qasjes politike, sipas saj.
“Partitë duhet të hyjnë në procesin zgjedhor me një qëllim të qartë: të punojnë për interesin afatgjatë të vendit, jo për dominim politik apo përfitime të ngushta. Kjo nënkupton gatishmëri për dialog, negociata mbi baza programore dhe fokus në nevojat reale të qytetarëve”, thotë Emini.
Në të njëjtën linjë skeptike është edhe analisti Artan Muhaxhiri, i cili nuk pret ndryshim të qasjes nga Lëvizja Vetëvendosje, por as një alternativë të qartë nga opozita.
Sipas tij, as PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë dëshmuar deri më tani se posedojnë një strategji bindëse për ta sfiduar dominimin politik të Vetëvendosjes.
“Nëse partitë opozitare arrijnë të rrisin mbështetjen dhe të sigurojnë shumicën prej 61 deputetësh, atëherë përgjegjësia minimale politike do të ishte harmonizimi i qëndrimeve dhe bashkëqeverisja në përputhje me fuqinë elektorale”, thekson Muhaxhiri, ndonëse nuk beson se një skenar i tillë është i arritshëm.
Sipas tij, ndalja e ciklit të krizave të njëpasnjëshme institucionale mbetet alternativa e vetme racionale – dhe një detyrim i drejtpërdrejtë për klasën politike.
“Në të kundërtën, çdo opsion tjetër përbën investim në gërryerjen e shtetit dhe përshpejtim të rrugës drejt pashtetësisë”, përfundon ai. /REL/
Lajmet
Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e 31 marsit
Published
14 hours agoon
March 24, 2026By
UBTNews
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar përmes faqes zyrtare se janë shitur tashmë të gjitha biletat për ndeshjen e radhës që do të luhet më 31 mars.
Megjithëse kundërshtari dhe rëndësia e vërtetë e këtij takimi do të përcaktohen vetëm pas sfidës së kësaj të enjteje kundër Sllovakisë, tifozët kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm duke zbrazur sportelet virtuale.
Biletat u shitën me çmime që varionin nga 10 deri në 30 euro, ndërsa për zonën VIP çmimi i një bilete arriti në 100 euro.
Ky entuziazëm i madh lidhet drejtpërdrejt me rrugëtimin e Kosovës drejt ëndrrës botërore.
Nëse ekipi ynë arrin të shënojë fitore në Bratislavë ndaj Sllovakisë, atëherë data 31 mars do të shënojë finalen e madhe të plejofit për kualifikim në Botëror, ku kundërshtar i mundshëm do të jetë Turqia ose Rumania.
Në rast të një rezultati negativ të enjten, kjo ndeshje do të marrë karakter miqësor, por kjo nuk i ka ndaluar aspak mbështetësit besnikë që të sigurojnë praninë e tyre në shkallët e stadiumit për të përkrahur përfaqësuesen në çdo skenar.
Lajmet
Kosova U19 nis kualifikimet për Euro 2027 me barazim ndaj Armenisë
Published
15 hours agoon
March 24, 2026By
UBTNews
Kombëtarja e Kosovës U19 ka ndarë pikët me Armeninë në ndeshjen hapëse të Grupit 2 (Liga B), të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2027.
Ndeshja e zhvilluar në Turqi përfundoi me rezultatin 1-1.
Të përzgjedhurit e Albert Bunjakut kaluan të parët në avantazh në minutën e 19-të përmes Lorik Mehmetit, por pavarësisht dominimit në pjesën e parë, nuk arritën ta gjenin golin e dytë për të siguruar fitoren.
Lajmet
REL: Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së
Published
16 hours agoon
March 24, 2026By
UBTNews
Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit.
Osmani, të cilës i mbaron mandati më 4 prill, nuk i ka emëruar ende anëtarët e rinj të KQZ-së, pavarësisht se afati ligjor po kalon, paralajmërojnë ekspertët.
Kabineti i Osmanit i tha Radios Evropa e Lirë të martën se ajo do t’i emërojë ata “sapo të marrë përgjigje” nga Kushtetuesja.
“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.
Kabineti nuk deshi të tregojë se cilat parti kanë bërë më shumë propozime seç lejohet.
Si emërohen anëtarët e KQZ-së?
KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.
Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.
Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.
Derisa kabineti i presidentes nuk tregoi se kush sa kandidatë ia ka propozuar asaj, raportohet se partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, i ka propozuar tre.
Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha për REL-in se i ka propozuar dy kandidatë, ndërsa partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se e ka propozuar një kandidat.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partia e Kurtit nuk mund t’i propozojë më shumë se dy kandidatë.
“Tash, sa i përket përbërjes së KQZ-së, modeli që aplikon Kosova është strikt, e jo proporcional, që nënkupton se grupet parlamentare me të drejtë përfaqësimi propozojnë nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve. Edhe në situata kur numri i grupeve parlamentare është më i vogël, nuk kalohet në ndarje proporcionale, sepse formula mbetet e njëjtë dhe duhet të zbatohet në mënyrë konsistente”, shkroi Cakolli në Facebook ditë më parë.
Sipas tij, bazuar në përbërjen e tanishme të Kuvendit të Kosovës, “ndarja është e qartë: LVV duhet t’i ketë dy anëtarë, PDK-ja gjithashtu dy, ndërsa LDK dhe AAK nga një anëtar”.
Ai përmendi edhe rastet e mëparshme kur Gjykata Kushtetuese ka sqaruar këtë çështje, duke thënë se në secilën prej dy rasteve për situata shumë të ngjashme, ajo ka konfirmuar zbatimin e modelit të rreptë të përfaqësimit në përbërjen e KQZ-së.
“Madje, rasti i vitit 2021 është veçanërisht ilustrues, kur LVV kishte mbi 50% të votave, por kishte të drejtë propozimi vetëm për dy anëtarë”, shtoi ai.
Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.
Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.
Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.
Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor. /REL/
REL: Kosova përballë një prove politike: kompromis apo krizë e re?
Politika e Keir Starmer mbi luftën në Iran është një recetë për katastrofë
Shiten të gjitha biletat për ndeshjen e 31 marsit
Kosova U19 nis kualifikimet për Euro 2027 me barazim ndaj Armenisë
REL: Presidentja i kërkon sqarim Kushtetueses për emërimin e anëtarëve të KQZ-së
Gllogjani nderon dëshmorët në 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”
Irani godet Izraelin me raketa dhe sfidon hapur diplomacinë e Trumpit ndërsa kriza në Hormuz paralizon rajonin
Osmani kujton nisjen e bombardimeve të NATO-s: Aleancat t’i ruajmë sa lirinë
Sot luan Kosova U19: Dardanët e rinj përballen me Armeninë
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
