Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë njoftuar që respektimi i masave anti-covid duhet të jetë i pranishëm në secilin dyqan, përfshirë edhe markete e vogla ushqimore.
Në kuadër të marketeve duhet të respektohen këto masa të higjienës : dezinfektimi dhe ventilimi i shpeshtë i ambienteve të punës, pajisja e punëtorëve me mjete personale mbrojtëse (maska , doreza, dezinfektues), marrja e masave për distancimin shoqëror dhe shmangien e kontakteve si për punonjësit ashtu edhe për klientët dhe lejimi në market i një numri të kufizuar të kilientëve (varësisht nga hapësira e marketit).
Në “Merdian Express” në Prishtinë janë të vendosura shenjat dhe udhëzimet për masat mbrojtëse.
Menaxheri i këtij marketi thotë se stafi i tyre e kanë rregull vendosjen e maskave dhe respektimin e rregullave të tjera.
“Ne si staf e kemi rregull respektimin e masave kundër Covid 19. Çdo punojnës është i obliguar ta mbajë maskën dhe t’i respektoj masat. Disa nga klientët i respektojnë masat duke mbajtur maskat mbrojtëse e duke e ruajur distancën, ndërsa disa të tjerë jo. Mbi 70 % i respektojnë masat”’, thotë ai.
“Sa i përket numrit të klientëve, në market lejohen të hynë 50 klientë”.
Dyqanet ushqimore respektojnë në masë të madhe këto masa.
Në hyrje të marketit “Ersa” kërkohet që të mbahet distancë 1m-1.5m. Po ashtu në bazë të udhëzimeve të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë kërkohet që të hyhet me maska dhe doreza.
Shitësi i marketit thotë se masat po respektohen në masë të madhe. Një numër nuk po i respekton masat, sipas tij.
“Punojnësit e marketit mundohen t’i respektojnë masat anti-covid, edhe pse ndonjëherë nuk i mbajnë maskat në mënyrën e duhur. Edhe tek klientët është njësoj, disa i respektojnë e disa jo”.
Në marketin “BBK Freeshop” shitësja thotë se masat kundër Covid 19 në përgjithësi respektohen.
“Masat anti-covid respektohen, por jo edhe aq shumë. Një pjesë e mirë e klientëve, thuajse të gjithë janë të pajisur me maska”, thotë ajo.
Për dallim nga marketet paraprake, në këtë market nuk janë të vendosura shenja dhe udhëzime te hyrja e lokalit për respektimin e masave, pavarësisht se klientët i respektojnë.
Megjithëse kontrollet janë të vogla në mungesë të inskeptorëve të mjaftueshëm pë rinspektim, respektimi i masave anti-covid të paktën në kryeqytet është në nivel të kënaqshëm./UBNEWS
(Florinda Kelmendi, studente Media dhe Komunikim UBT)
Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka takuar zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe trajtimin e rasteve të ndjeshme.
Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.
Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /
Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.
Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.
Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.
Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.
Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.
“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.
Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.
Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.
Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.
Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.
Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/