Lajmet

Të famshmit që shkatërruan karrierën e tyre nga varësia e drogës

Published

on

Pavarësisht se sa ju bëjnë përshtypje me talentin e tyre, ndonjëherë ju u drejtoheni këtyre individëve me zili për suksesin e tyre. Megjithatë, fama ka një anë të errët.

Varësia nga droga shkatërron jetën, duke ndikuar në marrëdhëniet, karrierën dhe mirëqenien mendore, emocionale dhe fizike të një personi. Askush nuk është i imunizuar nga joshja e këtyre “qetësuesve”. Megjithatë, përdoruesit e famshëm të drogës shpesh zbulojnë se karriera e tyre “ka paguar taksën” e fundit. Nga aktorët e deri tek figurat e tjera të famshme, karriera e këtyre yjeve u shkatërrua nga varësia e drogës.

Që nga koha e Charlie Chaplinit të famshmit e Hollywoodit kanë konsumuar substanca që ndryshojnë mendjen. Por pse personat e famshëm konsumojnë drogë? Teprica e të ardhurave dhe presioni i lartë në punë, kanë ndikuar që ata të kalojnë momente të vështira.

Aktorët që vazhdojnë përdorimin e drogës ndonjëherë e gjejnë veten të bllokuar, pasi regjisorët, studiot dhe aktorët e tjerë nuk dëshirojnë më të punojnë me ta. Edhe të famshmit e tjerë me probleme të drogës kanë shkatërruar karrierën.

Disa prej tyre janë:

  • Charlie Sheen

Charlie Sheen ishte një nga yjet më të njohur në Hollywood. Mirëpo sukseset e tij po zbeheshin gjatë viteve 2000, kur atij filluan t’i referoheshin si një nga njerëzit më të famshëm që shkatërroi karrierën nga varësia ndaj drogës. Ai humbi edhe rolin e tij me pagë të majme në serialin “Two and a half man” dhe sipas burimeve, ai ende po përpiqet ta marrë veten nga e gjithë kjo.

  • Judy Garland

Ylli i dashur i “Magjistarit të Oz” thuhet se u bë e varur nga pilulat dhe alkooli për të përballuar ngjitjen drejt famës dhe oraret intensive të xhirimeve. Për pjesën më të madhe të jetës së saj, ajo vazhdoi të luftonte me problemet e varësisë së drogës derisa vdiq tragjikisht nga mbidoza e barbiturateve.

  • Whitney Houston

Një nga këngëtaret më të njohura të të gjitha kohërave, Whitney Houston, fatkeqësisht kaloi shumë kohë brenda dhe jashtë rehabilitimit, për shkak të varësisë së rëndë ndaj drogës. Vdekja e saj tragjike në vitin 2012 i shkurtoi karrierën e saj të mahnitshme të të kënduarit dhe aktrimit, dhe gjithashtu vuri në pah koston e lartë të abuzimit me substanca narkotike.

  • DMX

DMX ishte në zë për betejën e tij ndaj substancave narkotike për vite me radhë. Fansat janë në dijeni për përpjekjet e tij që të ndalonte konsumimin e substancave narkotike, teksa titujt e revistave nganjëherë talleshin me përpjekjet e tij për t’u shëruar. Reperi dhe aktori i talentuar, i cili është vlerësuar si një nga më të mirët që ka prekur mikrofonin ndonjëherë, është ndarë nga jeta këtë vit nga mbidoza.

  • Amanda Bynes

Në vitet e 90-ta u cilësua si njëra nga aktoret më të suksesshme. Në moshën 13-vjeçare, ajo kishte serialin e saj. Nga ajo kohë, Bynes shijoi jetën e një aktoreje tipike të re dhe të njohur. Megjithatë, mesa duket, abuzimi me substanca narkotike buronte nga çështje psikologjike që ajo kishte me trupin dhe imazhin e saj publik. Burimet pohojnë se ajo shpenzoi miliona në barna dhe forma të tjera të vetë-mjekimit.

  • Britney Spears

Njihet si këngëtarja më e suksesshme e viteve 2000, me hite të shumta që dëgjohen sot e kësaj dite. Por shumë e kujtojnë “rënien” e këngëtares Britney në vitin 2007. Ishte raportuar se gjerësisht sjellja e saj e çrregullt dhe pamja jo e shëndetshme ishte shkaktuar nga abuzimi i substancave. Ajo filloi të shërohej, megjithatë ende nuk mund të ketë kontroll mbi pasuritë e saj, pasi që atë të drejtë e ka marrë babai i saj që nga koha kur ishte e varur nga droga.


Këto histori të njerëzve të famshëm mbi drogën janë shembuj pikëllues se si varësia ndaj drogës mund të “vjedhë” potencialin edhe të njerëzve më të talentuar. Sidoqoftë, shërimi është i mundur, dhe nuk keni pse të përballeni vetëm me të./UBTNews

(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)



Vendi

Kosova i kërkon SHBA-së rikthim të dialogut strategjik e përkrahje për anëtarësim në NATO

Published

on

By

Kosova i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të rikthejë dialogun strategjik me të si dhe përkrahje për anëtarësim në NATO. 

Këto kërkesa liderët e institucioneve i kanë bërë në takimet që i kanë zhvilluar me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët të hënën kanë qëndruar për vizitë në Kosovë. 

Në takim më seantorët, presidentja Justina Shiroka-Pula, ka potencuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ka thënë se synimi parësor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

“Presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta. Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin. 

Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga Shaheen dhe Durbin ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e bazës ushtarake amerikane Bondsteel-it në bazë të përhershme.

“Paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por shqetësuese janë veprimet e deklaratat kërcënuese të Serbisë, përfshirë këtu mbrojtja e hapur dhe e ndërsjellë midis ish-presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq dhe kryekriminelit terrorist Milan Radoiçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.

SHBA-ja e ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën më 12 shtator të vitit 2025. Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi se ky vendim ishte marrë për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Sipas Ambasadës këto veprime kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë dhe kishin kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta. 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

13 tetor 1993

“Amnesty International” proteston rreth pengimit të hyrjes së delegacionit të saj në Kosovë

Agjensia “Rojter” bënë të ditur se më 13 tetor të këtij viti, autoritetet serbe nuk i lejuan hyrjen në Kosovë një delegacioni të organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesty international”. Lidhur me këtë incident “Amnesti International” lëshoi një kumtesë ne të cilën thuhet se ky veprim i autoriteteve serbe është mjaft shqetësues. “Druajmë shumë se autoritetet serbe e benë një hap të ketillë për të fshehur shkeljen e të drëjtave të njerit të cilat janë dukuri e përditëshme në Kosovë, në vend që të ndërmirret diç për të penguar një gjë të tillë.

Ne jemi të vetëdishëm se në mungesë të monitorëve në këtë rajon, shkelja e të drejtave të njeriut bëhet pandërprerë. Policia serbe ushtron një represion të madh kundër shqiptarëve të Kosovës. Shkelja e të drejtave të njeriut bëhet pothuajse e papenguar. Policët serbë janë të lirë t’i sulmojnë qytetarët në stacionet policore, në rrugë apo kudoqoftë tjetër dhe fare pak frigohen nga reagimet zyrtarëve.”

“Tensioni gjithnjë është duke u ngritur në Kosovë”, thuhet më poshtë në komunikatën e “Amnesty Internationa-it”, duke shtuar se “tensionet ndëretnike, hidhërimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut me vite të tëra, të cilave tani u shtohet edhe gjendja e mjerueshme ekononike, i kërcënohen Kosovës me një shpërthim. Autoritetet jugosllave dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrin diç menjëherë për ta penguar konfliktin e hapur”, thuhet në komunikatën e “Amnesty International-it”.

13 tetor 1994

Vozitësi i pandërgjegjshëm lëndoi dy arsimtare të shkollës “Asim Vokshi”

Sot, rreth orës 10,15, në rrugën “Jabllanica” të lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, ndodhi një fatkeqësi komunikacioni, me ç’rast një person i paidentifikuar, me automjetin e tij “Fiat 101” me regjistrim të Prishtinës, shkeli dy arsimtare të shkollës fillore “Asim Vokshi” të kësaj lagjeje.

Derisa ishin duke ecur trotuarit, automjeti me targë të Prishtinës shkeli Sevdie Krasniqin, arsimtare e artit dhe Safete Shalën, arsimtare e matematikës, të cilat menjëherë u dërguan në spitalin e përgjithshëm të Prishtinës. Meqenëse pësoi plagë të rënda Sevdija gjendet në shok-dhomë, ndërsa Safetja është jashtë rrezikut.

Supozohet se shkaktare e kësaj fatkeqësie ishte shpejtësia e madhe e automobilit.

13 tetor 1995

Kriminelët e luftës edhe para drejtësisë zvicerane

Gjykimit të kriminelëve të luftës, në masmediat zvicerane i është krijuar hapësirë që nga koha kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi që të sendërtojë dy gjykata internacionale të cilat do të merren me gjykimin e kriminelëve të luftës nga ish-Jugosllavia dhe Ruanda. Në ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim nuk ka ngelur prapa as Zvicra, e cila, sipas të përditshmes “Le noueveau quotidien”, që bazohet në deklaratën e Jurg van Winjkoop, i ngakur për zhvillim të hetimeve për këso rastesh, ka filluar ndjekjen kundër gjashtë personave të pandehur për të cilët dyshohet se kanë kryer akte të këtilla, e identiteti i të cilave tani për tani nuk ipet publikisht për shkaqe të sigurisë në rrjedhën e hetimeve të cilat mund të japin fillin edhe për të implikuar të tjerë në këto akte.

Lidhur me këtë, Parlamenti i ardhshëm i Zvicrës shumë shpejt do të aprovojë një urdhëresë urgjente për judikaturën zvicerane, sipas të cilës do t’i qesë para drejtësisë ndërkombëtare – në Gjyqin e Hagës, të gjithë ata të cilët do të kapen në territorin e këtij shteti dhe për të cilët ka të dhëna se kanë bërë krime lufte në ish-Jugosllavi dhe Ruandë.

Tashmë dihet se Gjykata Penale Internacionale e ngakuar për gjykimin e krimeve të luftës të kryera gjatë tri vjetëve të fundit në Bosnjë, dje mbajti seancën e parë publike në të cilën dëshminë e vet e paraqiti boshnjaku Munib Ahmetoviq.

Siç bëhet e ditur, Gjykata u thellua në mënyrë të veçantë në rastin e Dragan Nikoliqit, serb nga Bosnja dhe ish-komandant i një kampi të përqëndrimit afër Vlasonicës, i cili fajësohet për krime të rënda kundër njerëzimit.

 

13 tetor 1997

Në Vushtrri një inkasant i KKF-së u thirr për herë të tetë në gjykatën serbe

Më 9 tetor të këtij viti, Halim Morina, inkasant i KKF-së në Vushtrri mori sërish thirrje për t’u paraqitur në gjykatën e instaluar serbe për kundërvajtje në Vushtrri, njofton KI i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Siç dihet, gjykata e instaluar serbe në Vushtrri e akuzon z. Morina për shkak se më 17 shkurt të këtij viti, policia serbe e ka arrestuar atë, derisa po ua shpërndante vendimet e KKF-së disa firmave private në Vushtrri.

Të përkujtojmë se Halim Morina u urdhërua që të paraqitet në këtë gjykatë për herë të tetë.

 13 tetor 1998

Në Carrabreg të Deçanit u gjetën 4 të vrarë

Në Carrabreg të Deçanit u gjetën trupat e katër shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit në këtë fshat.

KI i Degës së LDK-së në Gjakovë, duke u mbështetur në burime nga Carrabregu, njofton se u gjetën të vrarë Cufë Balaj (78), Mone Balaj (75), Ajmane Dautaj (70) dhe një i ri i moshës rreth 18 vjeç, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Ndërsa i riu Arben Tahir Hajdari (22) nga fshati Shaptej, vdiq të dielën në mungesë të ndihmës mjekësore për shërimin e plagëve të marra kohë më parë gjatë sulmit serb.

Njoftimet nga komuna e Deçanit bëjnë me dije se forcat serbe nuk janë tërhequr dhe ato vazhdojnë të jenë të pozicionuara në Sukë të Biteshit, në Baballoq dhe në regjionin e fshatit Voksh. Këto fshatra vazhdojnë të mbahen në rrethim të hekurt dhe popullata nuk lejohet të lëvizë.

Edhe në komunën e Gjakovës ushtria dhe policia serbe po i maskojnë pozicionet e veta. Kështu jo vetëm që nuk ka tërheqje, por pothuaj në çdo objekt industrial po hapen llogore për maskimin e mjeteve të blinduara dhe në objekte po vendoset ushtria. Përgjatë rrugës që të shpie në anën e brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, vazhdimisht po shkojnë mjete të motorizuara të mbushura me ushtarë dhe armatim.

Ndërkohë, banorëve të Dujakës së Gjakovës ushtria dhe policia serbe u kanë dhënë një ultimatum të ri për dorëzim të armëve, edhe pse ky fshat para ca kohe dorëzoi sasi të konsiderueshme të armatimit.

Rahovec: Në Bellacerkë u gjetën dy të vrarë

Të dielën, në Bellacërkë të Rahovecit, në vendin ku që nga fillimi i ofensivës ishte vendosur piostblloku policor, u gjet trupi i karbonizuar i Agim Kelmendit (22) dhe i një të vrari tjetër të paidentifikuar.

KMDLNJ njofton se Agimi është vrarë më 18 korrik, ndërsa trupi tij dhe i të vrarit të paidentifikuar kanë mundur të tërhiqen dhe të varrosen vetëm pas largimit të policisë nga postblloku në Bellacerkë.

Foto: “Amnesty International”

Continue Reading

lajme

Maqedonci: Bazat ushtarake serbe në kufi po kërcënojnë sigurinë e rajonit

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën. Në një intervistë për televizionin polak TVP World, Maqedonci e ka krahasuar këtë pozicionim të forcave serbe me hapat që ndërmori Rusia përpara aneksimit të territorit ukrainas.

Përveç pranisë ushtarake, ministri theksoi se Beograd zyrtar po mbështet edhe grupe kriminale brenda Kosovës, të cilat merren me kontrabandë dhe aktivitete të tjera me synim destabilizimin e vendit. Sipas tij, këto veprime hibride dhe pozicionimi ushtarak përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Maqedonci nënvizoi se institucionet e Kosovës po i ndjekin me shqetësim të madh këto zhvillime, duke vlerësuar se përmes këtyre tensioneve Serbia kërkon të paraqitet si faktor i rëndësishëm gjeopolitike dhe të ndjekë synimet e saj hegjemoniste në rajon. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Trashëgimia kulturore e Kosovës pasurohet me 13 asete të reja nën mbrojtje të përkohshme

Published

on

By

Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në Kosovë është pasuruar me 13 asete të reja, pas një njoftimi të bërë nga Ministria e Kulturës dhe Turizimit. Kjo listë përfshin një gamë të gjerë lokacionesh, nga lokalitetet arkeologjike dhe kalatë, deri te kullat, shtëpitë historike si dhe komplekset industriale e familjare që dëshmojnë periudha të ndryshme historike në vend.

Në mesin e objekteve dhe lokaliteteve të reja të përfshira në mbrojtje janë kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë, Gjyteti i Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalaja e Dafinës në Rahovec, Kulla e Asllanit në Tërdec të Drenasit, shtëpia muze e Latif Berishës në Mitrovicë të Veriut, si dhe kompleksi i familjes Çollaku në Zym të Prizrenit.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ky proces do të vazhdojë me identifikimin dhe vlerësimin e mëtutjeshëm të aseteve që bartin vlera të rëndësishme historike e kulturore, me synim përfshirjen e tyre në mekanizmat përkatës të mbrojtjes shtetërore. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara