Edhe pse të famshëm – ata janë njësoj si njerëzit e tjerë, nuk mund ta parashikojnë se me kë do të dashurohen. Në këtë aspekt, ka ndodhur shpesh që disa të famshëm të përfundojnë të martuar me fansat e tyre më të mëdhenj.
Disa nga këto histori dashurie janë përralla të njerëzve të rregullt që tërheqin vëmendjen e yllit të tyre të preferuar; kurse disa të tjerë fituan po aq famë sikurse yjet me të cilët u martuan.
1) Tom Cruise dhe Katie Holmes Katie Holmes u fliste shokëve të saj për yllin e filmit “Top Gun”, duke theksuar se ajo kishte edhe një poster të Tom Cruise në murin e saj. Pastaj më vonë i tha revistës “Seventeen” se ajo “dikur mendonte se do të martohej me Tom Cruise”. Vetëm pak kohë më vonë, në maj të vitit 2005, Holmes filloi të dilte me Tom Cruise. Çifti u fejua vetëm disa javë më vonë, dhe Holmes lindi fëmijën e tyre, Suri, në vitin 2006. Pavarësisht entuziazmit të tij për Holmes, çifti u divorcua përfundimisht në vitin 2012.
2) Patrick dhe Jillian Dempsey Stilistja e famshme e flokëve, Jillian Dempsey, ia rregulloi flokët Patrick Dempsey për tre vjet të tëra para se ai t’i kërkonte të dilte me të. Romanca e tyre funksionoi shpejt për të kompensuar kohën e humbur dhe tre muaj pas takimit të tyre të parë, u martuan në vitin 1999. Ata kanë qëndruar së bashku që nga ajo kohë, madje edhe janë pajtuar pas një divorci gati disa vjet më parë, siç kishte treguar Patrick.
3) Mariah Carey dhe Nick Cannon I rritur si një adhurues i muzikës dhe pamjes së Mariah Carey, Nick Cannon duhet të jetë ndjerë sikur fitoi llotarinë kur “vajza e tij e ëndrrave” tha “Unë pranoj” [për martesë]. Për fat të keq, Nick nuk ishte i destinuar të ishte gjithmonë bashkëshorti i saj: Çifti filloi procedurat e divorcit në vitin 2016.
4) Anne Hathaway dhe Adam Shulman Midis fansave të saj, Anne Hathaway mund të numërojë producentin Adam Shulman, i cili u bë burri i saj në vitin 2012. Shulman ishte admirues për një kohë të gjatë i aktores, e duket se këtë ai kishte një shans t’ia dëshmonte pasi u takuan përmes miqve disa vjet para se ta kurorëzonin dashurinë me martesë.
5) Wiz Khalifa dhe Amber Rose Reperi Wiz Khalifa dhe modelja Amber Rose ishin të dy të suksesshëm kur filluan të takoheshin, por shfaqja e tyre e dashurisë bëri të ditur se ata kishin qenë të interesuar për njëri-tjetrin qe një kohë. Për shembull, Rose një herë postoi një foto në Instagram të burrit të saj me mbishkrimin “kjo ishte fotografia e parë që pashë ndonjëherë nga ky djalë i pashëm. Tani ai është i gjithi i imi!” Martesa e tyre ishte e shkurtër, por e ëmbël, dhe duket sikur ata ende po brohorisin njëri-tjetrin që nga divorci i tyre në 2016.
6) Justin dhe Hailey Bieber Një brez i tërë fansesh ëndërronin që do të martoheshin me Justin Bieber – dhe njëra prej tyre kishte të drejtë. Hailey Bieber ishte një Belieber e dëshmuar para se ajo dhe këngëtari të fillonin një romancë që rezultoi në martesën e tyre në vitin 2018.
Hailey që kur ishte shumë më e re në moshë, kishte shkruar në Twitter në lidhje me yllin dhe priti në një turmë me fansa të tij për ta parë Justinin jashtë hotelit të tij, dhe përfundimisht arriti ta takonte falë babait të saj të famshëm, Stephen Baldwin.
7) Steve dhe Marjorie Harvey Aktori i humorit, Steve Harvey së pari e pa gruan e tij të ardhshme në rreshtin e parë të një shfaqje komike të Memfisit të vitit 1990, ku ai po performonte. Të dy u takuan shkurtimisht, por nuk do të ndodhte derisa ata të rilidhën më 2005, dhe kështua lidhja e Marjorie Harvey dhe Steve u bë serioze. Ata u martuan dy vjet më vonë dhe që nga ajo kohë kanë një martesë të lumtur.
8) Kim Kardashian dhe Kanye West Pasi pa një foto të vitit 2006 të Kim Kardashian me mikeshën e saj, Paris Hilton, Kanye West u mahnit dhe pyeti një mik nëse ai kishte dëgjuar ndonjëherë për këtë grua “Kim Kardashian “. Pak kohë më vonë, në vitin 2012, kur të dy kishin karrierat e tyre në pika edhe më të larta, ata filluan lidhjen (ndërsa Kim ishte ende me Kris Humphries) dhe u martuan në vitin 2014. Sot, ata kanë katër fëmijë. Megjithëse ata u divorcuan në vitin 2021, pas një sërë skandalesh.
9) Adam Sandler dhe Jackie Titone Adam Sandler u takua me Jackie Titone pasi modelja fitoi një rol të vogël si kamariere në një bar sportiv në filmin e tij, “Big Daddy”. Pas pak kohësh filluan të dilnin, në vitin 2003 u martuan dhe u bekuan me dy vajza. Deri më sot, Jackie mbështet burrin e saj duke u shfaqur në shumë nga filmat e tij.
10) John Travolta dhe Kelly Preston Kelly Preston ishte adhuruese e John Travoltës shumë vite para se aktorët të takoheshin në vitin 1987, për një provë në ekran të një filmi që do të përfundonin së bashku. Kimia nuk ishte e menjëhershme, por lindi pas një afërsie që do të shërbente si themeli i marrëdhënies së tyre romantike kur filloi në vitin 1990.
Ata u martuan një vit më pas. Çifti kaloi dekada ulje-ngritje së bashku para se Preston të vdiste nga kanceri i gjirit në në vitin 2020./UBTNews
(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)
Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.
Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.
Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.
Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/
Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.
E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.
Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.
Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.
Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.
Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/
Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.
Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.
Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.
Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.
Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.
Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.
Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/
Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.
Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.
Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.
Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/