Lajmet

Tarifa të reja të rrymës në shkurt

ZRRE i ka hequr ato rreth pesë vjet më parë.

Published

on

Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.

Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt.

“Shpresojmë që raportet përfundimtare të publikohen sapo ekspertët e ZRRE-së t’i analizojnë të gjitha të dhënat. Të gjitha palët do të njoftohen në kohën kur raportet do të bëhen publike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

Në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Ky shqyrtim është thënë se ka për qëllim të reflektojë mbi çmimet e ngritura të importit të rrymës, si pasojë e krizës globale energjetike.

ZRRE bën të ditur se tarifat që do të përcaktohen në këtë shqyrtim, do të aplikohen për një vit.

Kjo lë të kuptohet se shqyrtimi i rregullt i tarifave, që zakonisht bëhet në prill të çdo viti, eliminohet.

ZRRE nuk jep ndonjë të dhënë se sa mund të shtrenjtohet rryma. Por, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar tashmë që rritja të jetë 7 për qind.

Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Rikthimi i bllok-tarifave, mundësi për kursim të energjisë elektrike

Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka kërkuar nga ZRRE-ja rikthimin e bllok-tarifave dhe jo rritje të çmimit të rrymës.

Bllok-tarifat kanë qenë pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2017.

Sipas tyre, kur një ekonomi familjare ka shpenzuar më shumë se 600 kilovatë rrymë në muaj, çmimi për të ka qenë më i lartë në krahasim me familjet që kanë shpenzuar nën 600 dhe 300 kilovatë në muaj.

ZRRE i ka hequr ato rreth pesë vjet më parë.

“Bllok-tarifat konsiderohen nga konsumatorët si të komplikuara për t’u kuptuar”, ka thënë ZRRE në atë kohë.

Sipas INDEP-it, rikthimi i bllok-tarifave është një mundësi e mirë për kursimin e energjisë elektrike.

“Ne konsiderojmë që një strukturë tarifore, që bazohet në konsum të energjisë, do të bënte që të mos kemi shtrenjtim të energjisë për disa kategori që nuk shpenzojnë shumë”, thotë Dardan Abazi, ekspert i politikave të energjisë në INDEP.

“Pra, për këto kategori nuk duhet të ketë rritje të çmimit. Por, një çmim i ri duhet të ndodhë në kategoritë e familjeve që shpenzojnë më shumë energji, mbi 600 kilovatë, apo mbi 1,000 kilovatë”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas një analize të INDEP-it të bërë në kohën kur aplikoheshin bllok-tarifat, qytetarët e kanë kursyer energjinë elektrike.

Abazi thotë se në atë kohë, mbi 81 për qind e konsumatorëve nuk kanë shpenzuar më shumë se 600 kilovatë në muaj.

Sipas INDEP-it, struktura tarifore, që ka ndryshuar në vitin 2017, ka nxitur konsumatorët që të shpenzojnë më shumë energji elektrike, duke filluar përdorimin e saj edhe për ngrohje.

Rikthimin e bllok-tarifave e kërkon edhe KEDS-i, duke thënë se kjo strukturë tarifore do ta lehtësonte sistemin, pasi që konsumatorët do të ngroheshin më pak me rrymë.

KEDS, në listën e shpenzuesve më të mëdhenj të energjisë elektrike në vitin 2021, ka identifikuar ngrohjen qendrore me rrymë dhe bojlerin.

Amvisëritë në Kosovë mund të kontrollojnë shpenzimin e rrymës në ueb-faqen e KESKO-së, pasi të regjistrohen me kodin e konsumatorit që figuron në faturë.

Në fund të vitit të kaluar, konsumatorët në Kosovë janë përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, por kjo situatë, sipas KEDS, është stabilizuar.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se me ftohjen e motit, kërkesat për energji elektrike janë rritur.

Për të përmbushur nivelin e konsumit, i cili më datën 11 janar ishte 1232 megavatë në orë, Buzhala thotë se janë duke importuar energji elektrike mbi 500 megavatë dhe atë me çmime të larta.

“Çmimet e importit kanë qenë në rënie nga data 24 dhjetor, 2021, por në dy ditët e fundit kanë filluar të rriten. Varet nga kontrata që realizohet, por, për momentin, çmimi i energjisë elektrike për megavat shkon deri në 270 euro”, thotë Buzhala.

Importi i energjisë elektrike është i pashmangshëm, pasi që termocentralet në Kosovë aktualisht nuk po arrijnë të prodhojnë më shumë se 500 megavatë energji elektrike në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

Continue Reading

Lajmet

Sorensen takohet me Kurtin

Published

on

By

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen është duke zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sorensen gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet edhe me presidenten, Vjosa Osmani.

Vizita e Sorensen vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo e njëjta ende nuk ka gjetur zbatim.

Continue Reading

Lajmet

Më 12 shkurt seanca gjyqësore për vrasjen e policit, Muhamed Lika

Published

on

By

Më 12 shkurt do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar për vrasjen e policit Muhamed Lika, për vrasjen e të cilit tashmë ka një aktakuzë.

Gjykata Themelore në Ferizaj, njofton se seanca do të zhvillohet me fillim nga ora 09:00 kundër të pandehurve H.B., R.M., V.Ç., E.L.,Sh.K. të akuzuar për veprën penale vrasja e rendë dhe D.G., i akuzuar për shkak të veprës penale ‘dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale’.

Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, kati (I), salla numër (I), tek gjyqtari i çështjes Ilir Bytyqi.

Gjithashtu, njoftoheni që kjo seancë është e hapur për publikun, andaj ju ftojmë ta përcjellin të njëjtën”.

Ndërkohë, sipas aktakuzës, më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter Muhamed Lika, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova tregton me Iranin: A do t’i ndiejë pasojat e tarifës së Trumpit?

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin, do të përballen me një tarifë prej 25% për tregtinë që bëjnë me SHBA-në.

Ky vendim vjen në kohën kur Irani po shtyp me forcë protestat antiqeveritare, në të cilat dyshohet se janë vrarë mijëra persona.

Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën, e cila importon disa produkte nga Irani?

Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve në vend presin që efektet të jenë minimale, pasi shkëmbimet tregtare me Republikën Islamike janë të vogla dhe përbëjnë një pjesë të papërfillshme të ekonomisë kosovare.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar, vlera e importeve nga Irani arriti në 17 milionë euro, ndërsa eksporte nuk u regjistruan.

Megjithatë, kjo shifër gati se është dyfishuar krahasuar me pesë vjet më parë.

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në këtë institucion janë të regjistruara
23 biznese nga Irani – pesë nga to janë aktive, 16 pasive dhe dy të shuara.

REL-i kërkoi shpjegime se çfarë veprimtarish ushtrojnë ato dhe është në pritje të përgjigjes.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, shpreh bindjen se politikat e Trumpit, sidomos sanksionet ekonomike, nuk e godasin drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës.

“Eksportet dhe importet Kosovë-Iran janë të papërfillshme, nuk ka investime iraniane në Kosovë dhe nuk ka varësi energjetike apo financiare”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Ekonomia e tij është dëmtuar rëndë si pasojë e keqmenaxhimit të financave publike gjatë viteve, rënies së të ardhurave nga shitjet e naftës dhe sanksioneve të ashpra ndërkombëtare.

Kjo ka shkaktuar rritje të çmimeve dhe dobësim të monedhës vendase, duke nxitur protesta masive, të cilat vlerësohen si kërcënimi më i madh për regjimin islamik në dekadat e fundit.

Sytrime Dervisholli, ish-drejtoreshë e Departamentit të Tregtisë në MINT, shpjegon se tarifa e re prej 25% do të bëjë që produktet iraniane të jenë më të shtrenjta.

Megjithatë, për shkak të volumit të vogël të importit dhe natyrës joesenciale të këtyre produkteve, kompanitë kosovare mund të orientohen drejt tregjeve të tjera, më afër gjeografikisht, shton ajo.

“Nuk mund të them me siguri se cili do të jetë efekti i plotë i këtij vendimi, pasi ende nuk ka sqarime të detajuara mbi mënyrën e zbatimit dhe mbi atë se cilat produkte mund të përjashtohen nga ky vendim. Është më mirë të presim në ditët në vazhdim për informacionin zyrtar që Shtetet e Bashkuara do të publikojnë mbi mekanizmat e zbatimit të këtij vendimi”, thotë Dervisholli për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë tha Trump?

Në një postim në platformën Truth Social të hënën, Trump shkroi:

“Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë prej 25% për të gjithë biznesin që kryhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky urdhër është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”.

Presidenti nuk ka dha detaje përtej këtij njoftimi.

Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.

Të dhënat nga ueb-faqja Trade Data Monitor, të cilat bazohen në statistikat e Administratës Doganore të Republikës Islamike të Iranit, tregojnë se Kina është partneri i tij më i madh i eksportit.

Ajo ndiqet nga Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia e të tjera.

Pothuajse të dhjetë eksportet kryesore të Iranit lidhen me karburantet, por shet edhe ushqime.

Ekspertët në Kosovë paralajmërojnë se nëse kriza në Iran zgjat, ajo mund të ketë ndikime të tërthorta edhe në ekonominë kosovare.

Një nga efektet më të mundshme është rritja e çmimeve globale të naftës dhe energjisë – e ngjashme me pasojat që pati lufta në Ukrainë në tregjet ndërkombëtare.

Rafuna thotë se kjo mund të çojë në karburante më të shtrenjta për qytetarët, rritje të kostove të transportit që ndikon në zinxhirin e furnizimit, si dhe presion shtesë mbi inflacionin – sidomos te produktet bazë.

Kosova, përndryshe, importon shumicën e produkteve – nga ushqimet deri te materiali ndërtimor dhe tekstili.

Vitin e kaluar, vlera totale e importit arriti mbi 7 miliardë euro./REL

Continue Reading

Lajmet

Rinumërohen 21 kuti me vota, këto janë të dhënat

Published

on

By

Pas njoftimit të djeshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me rinumërimin e tërësishëm në disa komuna dhe të pjesshëm në të tjerat, në Qendrën për Numërimin e Rezultateve ka nisur procesi i rinumërimit.

Deri në përditësimin e fundit, të bërë sot në orën 07:30, në QNR janë rinumëruar 21 pako me vota.

Sipas të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 2321 vota (39.33%), e pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me 1815 vota (30.75%).

Partia Demokratike e Kosovës renditet e treta, me 847 vota (14.35%), ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka 700 vota, apo 11.86%.

Deri më tani, rinumërimi gjen partitë e tjera me numër dyshifror të votave.

Procesi i rinumërimit po vijon.

Continue Reading

Të kërkuara