Kulturë

Talenti i ri shkëlqen! “Amadeus” feston një vit të suksesshëm me koncert artistik

Published

on

Shkolla e Muzikës “Amadeus” ka mbajtur koncert të jashtëzakonshëm artistik me rastin e përfundimit të gjysmëvjetorit shkollor, përmbylljes së projektit “Nxitja e talentëve të rinj dhe diversitetit kulturor”, si dhe festave të fundvitit.

Koncerti me titull “Da Capo al Fine”, i organizuar nga Ambasada Gjermane dhe Ambasada Franceze, solli në skenë performanca të mrekullueshme nga nxënësit e shkollës, të cilët falë përkushtimit të vazhdueshëm kanë shënuar suksese edhe jashtë Kosovës.

Në këtë mbrëmje u prezantuan Ansambli i Kitaristëve, Orkestra Harkore, Orkestra Frymore, Orkestra Kamertale dhe Kori i shkollës, të cilët dhuruan emocione të veçanta për publikun.  “Profesionalistët e vegjël” të skenës dëshmuan talentin duke interpretuar me sukses vepra nga repertori vendor dhe ai botëror.

Ansambli i Kitaristëve krijoi peizazh të ngrohtë tingujsh që rridhnin natyrshëm me ritmin e veprave, Orkestra Harkore solli ndjeshmëri të veçantë emocionale, e ndërtuar tingull pas tingulli. Orkestra u dallua për elegancën dhe lirshmërinë e tingujve që mbushnin sallën, ndërsa Orkestra ofroi interpretim të rafinuar, të karakterizuar nga precizion i lartë ritmik.

Kulmi i koncertit ishte performanca mbresëlënëse e Korit të shkollës, nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit. Qershia mbi tortë ishte interpretimi i solistes Anna Krasniqi, e cila me zërin e saj të ngrohtë dhe njëkohësisht të fuqishëm i dha jetë veprave me kërkesa të larta vokale.

Gjatë koncertit u interpretuan veprat: “Ding! Dong! Merrily on High” (Traditional French Carol), “You Raise Me Up” – Rolf Løvland, “Die Loreley” – Friedrich Silcher, “Sous le ciel de Paris” – Hubert Giraud dhe “Feliz Navidad” – José Feliciano.

Pjesë e këtij koncerti ishin dirigjenti Gentian Aliu dhe korepetitorja Elsa Gashi. Drejtoresha e shkollës, Hana Petrovci-Fetahu, theksoi se përmbyllja e suksesshme e projektit përbën një arritje të madhe për mbi 100 fëmijë, të cilët kanë performuar në instrumente sfiduese.

“Përveç përfundimit të gjysmëvjetorit, ky koncert shënon mbylljen e një projekti që ka filluar në janar e po përfundon në dhjetor. Projekti kishte për qëllim nxitjen e talenteve të reja nga mosha 7 deri në 17 vjeç dhe u mbështet nga Ambasada Franceze, Ambasada Gjermane, Instituti Francez dhe Goethe-Institut. Ky bashkëpunim i mrekullueshëm na dha besimin për ta realizuar projektin, ku u përfshinë mbi 100 nxënës në mësimet e korit dhe instrumenteve”, u shpreh ajo.

Petrovci-Fetahu vlerësoi sukseset e nxënësve, duke theksuar se shumë prej tyre ishin fillestarë, por arritën të performojnë në skenë brenda një periudhe të shkurtër kohore, shtoi se sukseset në koncerte ndërkombëtare, si në Vjenë e Itali, janë motivim i fuqishëm për vazhdimësi.

Ndërkohë, dirigjenti Vehbi Shosholli e cilësoi këtë vit shkollor si dinamik dhe tejet të suksesshëm. Sipas tij, puna intensive me formacione të ndryshme muzikore dhe koncertet e shumta kanë sjellë një përvojë të jashtëzakonshme artistike.

Edhe solistja Anna Krasniqi e përshkroi koncertin dhe vitin mësimor si një përvojë të paharrueshme, duke theksuar suksesin e saj në një festival ndërkombëtar në Itali, ku arriti të triumfojë dhe të përfaqësojë Kosovën me dinjitet.

Drejtoresha paralajmëroi plane të reja për 2026, duke bërë të ditur se Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve të Prishtinës është pranuar të marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare garuese – një në Spanjë në muajin mars dhe një tjetër në Pragë të Çekisë në muajin korrik të vitit 2026.

“Synimi është që këta talentë t’i prezantojmë më gjerë e ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ajo. /A.Z/UBT News/

Kulturë

Ulpiana drejt një plani të qëndrueshëm konservimi

Published

on

Dje ka nisur punëtoria dyditore për hartimin e Planit të Konservimit për lokalitetin arkeologjik Ulpiana Iustiniana Secunda, duke mbledhur përfaqësues institucionesh dhe profesionistë nga fusha e trashëgimisë kulturore, planifikimit hapësinor, turizmit dhe zhvillimit lokal.

Në hapje, zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, theksoi rëndësinë institucionale dhe kulturore të Ulpianës dhe përkushtimin për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj.

Në vijim, drejtori i CHwB Kosova, Sali Shoshi, vuri në pah rëndësinë e këtij plani për ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në menaxhimin e lokalitetit. Ndërsa drejtoresha e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Zana Rama, theksoi dimensionin shkencor dhe potencialin kërkimor të Ulpianës, ndërsa nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti, nënvizoi lidhjen e komunitetit me parkun arkeologjik dhe rëndësinë e tij për zonën.

Punëtoria vijoi me sesione diskutimi dhe prezantimesh profesionale, ku u ndanë përvoja konkrete dhe modele të suksesshme ndërkombëtare në menaxhimin e lokaliteteve arkeologjike.

Ky proces zhvillohet në partneritet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe CHwB Kosova, me synim krijimin e një kornize gjithëpërfshirëse për ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ulpianës.

Continue Reading

Kulturë

Ministria e Kulturës hap ish-shkollën “Ramiz Sadiku” në Marec

Published

on

Ministria e Kulturës ka njoftuar se ish-shkolla “Ramiz Sadiku” në Marec është transformuar në një hapësirë të re krijuese, e cila do të shërbejë si platformë për art, bashkëpunim dhe angazhim komunitar.

Në hapjen e kësaj qendre të re të krijimtarisë ishin pjesë partnerë institucionalë, përfaqësues të komunitetit dhe bashkëpunëtorë që kontribuan në këtë ndërhyrje.

Fjalën e morën ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, Eric Dietz, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP në Kosovë, Nuno Queirós dhe artisti me famë botërore, Sislej Xhafa.

Ky transformim dëshmon se hapësirat ekzistuese mund të rimendohen dhe të rilindin, duke sjellë energji dhe funksion të ri përmes kulturës dhe kreativitetit.

Në kuadër të hapjes u prezantua performanca artistike “Asgjë për të parë. Gjithçka për të zbuluar”, e realizuar nga Sislej Xhafa në bashkëpunim me studentët e programit Art & Media Digjitale (AMD/UBT), nën udhëheqjen e prof. Burim Berishës, duke ofruar një përvojë kuptimore që lind përmes përjetimit dhe eksplorimit.

Kjo iniciativë është pjesë e projektit “Industritë Kreative”, i financuar nga Dukati i Madh i Luxembourg dhe i zbatuar nga UNDP Kosovë, në partneritet me Minstrinë e Kulturës.

 

Continue Reading

Kulturë

129 vite nga botimi i numrit të parë të revistës “Albania”

Published

on

Më 25 mars 1897, në Bruksel nisi rrugëtimin numri i parë i revistës “Albania”, një nga botimet më të profilizuara të periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Nën drejtimin e Faik Konica, ky organ periodik u shndërrua në një platformë që ndërthuri politikën, letërsinë dhe shkencën.
Më pas, botimi i tij u vazhdua në Londër deri në vitin 1909.
Përmes një qasjeje shumëgjuhëshe, revista u bë një pikë e rëndësishme takimi diplomatik dhe kulturor, me një ndikim të dukshëm në historiografinë shqiptare.
Ajo funksionoi si një enciklopedi e gjallë, ku u trajtuan standardizimi i alfabetit, lëvrimi i gjuhës dhe bazat e kritikës letrare, duke botuar shkrime e recensione për vepra e autorë shqiptarë dhe arbëreshë.
Me kontributet e personaliteteve si Gjergj Fishta, Fan Noli e Andon Zako Çajupi, revista “Albania” ka mbetur një arkivë e çmuar e identitetit tonë kombëtar.

Continue Reading

Kulturë

Ministrja Bogujevci priti arkivat rajonale për 75-vjetorin e Arkivit të Kosovës

Published

on

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, priti sot në takim udhëheqës dhe përfaqësues të arkivave nga vende të ndryshme të rajonit, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës.

U diskutua bashkëpunimi i deritanishëm në fushën e arkivistikës, duke u vlerësuar angazhimi i përbashkët për ruajtjen, promovimin dhe digjitalizimin e trashëgimisë dokumentare. Të pranishmit ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet institucioneve.

U shpreh gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen përmes projekteve të përbashkëta, rritjes së kapaciteteve profesionale dhe avancimit të standardeve në këtë sektor.

Me këtë rast, pjesëmarrësit uruan përvjetorin e rëndësishëm, duke e cilësuar atë si një moment të veçantë për reflektim mbi arritjet dhe për nxitjen e zhvillimeve të mëtejshme në fushën e arkivistikës

Continue Reading

Të kërkuara