Lajmet
Takimi Kurti-Vuçiq “buzë incidentit”
Bisedimet Kosovë-Serbi kanë qenë jo vetëm të pafrytshme, por shpesh me tensione.
Published
5 years agoon
By
Betim GashiNë Bruksel u mbajt një takim mjaft i ashpër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE. Takimi përfundoi pa shënuar asnjë afrim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas takimit se ky ishte një prej takimeve më të vështira që ka pasur prej fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve. Takimi i përbashkët në Bruksel u mbajt me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe pas konsultimeve në takimet e ndara me delegacionet e Kosovës dhe atij të Serbisë.
Por në fund nuk pati asnjë dakordim për asnjë çështje të shtuar sot. “Delegacioni i Prishtinës kërkonte vetëm njohjen e Kosovës dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiq, i cili gjatë deklaratës së tij shpesh bënte pauza dhe përpiqej të formulonte mendimet.
Takimi pranë incidentit
Por nga deklarata e tij, e më pas edhe e kryeministrit Kurti u pa se bisedimet kanë qenë jo vetëm të pafrytshme, por shpesh me tensione, e që disa persona të afërt me delegacionet e quajtën madje edhe në buzë të incidenteve. “Ishte mirë që kemi pasur një distancë prej dy metrash”, tha Kurti, në pyetjen a ka pasur ndonjë incident. Për dallim prej Vuçiqit, i cili mendon se kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës është një qëndrim ekstrem, Kurti tha se pala kosovare ka qenë shumë konstruktive dhe se “Serbia do të duhej të lirohej nga e kaluara e vet dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.”

Ne kemi pasur qëndrim konstruktiv, tha kryeministri Kurti, i cili në bisedime ishte bashkë me zëvendësin e tij Besnik Bislimi. “Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme Dhe shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Ndërsa takimi i radhës do të mbahet me 25 korrik”, shpjegoi Kurti në fillim duke shtuar se ai ka paraqitur katër kërkesa:
Kërkesat e Albin Kurtit
Që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ta avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të marrëveshjes që kanë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE -në. Që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Që pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e të drejtave të pakicave. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët në Serbi. Dhe që për çështjen e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë, të largohen nga pozita personat që duhen marrë në pyetje për krime, siç janë Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe Zoran Angjelkoviq.
Kryeministri i Kosovës tha se për propozimin e tij të parë nuk ka marrë përgjigje të qartë, ndërsa tri propozimet e tjera janë refuzuar. I pyetur se cili është qëndrimi i tij ndaj kërkesave për themelimin e Asociacionit me shumicë serbe, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë marrëveshjen e mëparshme, në 23 pika. Ndërsa edhe populli i Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik. Ndërsa në pyetjen e DW nëse Kosova do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid, të cilën e ka thënë disa herë ai në prag të bisedimeve të sotme, kryeministri u përgjigj se ata janë në përgatitje të dokumentacionit dhe se për këtë kanë nevojë për koordinim të mëtejshëm.

Pala serbe e quan provokim qëndrimin e Kurtit
Ndërsa presidenti i Serbisë dukej i hutuar pas takimit.Ai tha se Albin Kurti ka ardhur në Bruksel për të thënë “se nuk do të arrijë marrëveshje për asgjë” dhe se gjatë këtij takimi ka pasur “provokime”, “papërgjegjësi” e “joseriozitet të palës serbe”.
“Sinqerisht nuk di çfarë t’iu them. Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër si ky. Vetë kohëzgjatja e takimit flet për atë se cilat ishin rezultatet e këtij takimi. U pajtuam që në fund të korrikut të vazhdojmë dialogun. Shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë paqen dhe stabilitetin, gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, theksoi Vuçiq.
Megjithatë, Vuçiq vazhdoi më pas se janë tri lajme të rëndësishme nga ky takim: E para se delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar dhe nuk duan të diskutojnë për Asociacionin e Komunave Serbe. E dyta, kërkesa e tyre që urgjentisht dhe menjëherë të njohim Kosovën e pavarur. Dhe e treta, fakti që ata e quajnë incident dhe provokim pjesëmarrjen e serbëve në një liturgji në Prishtinë. Këto kërkesa, sikur edhe kërkesën që nga delegacioni për kërkimin e të pagjeturve të largohet Velko Odaloviq, Vuçiqi i quajti si “mungesë e realitetit, seriozitetit dhe përgjegjësi”.
Megjithë mosmarrëveshjet e shumta dhe “takimin buzë incidentit”, siç u shprehën disa nga pjesëmarrësit, palët janë dakord për vazhdimin e bisedimeve. Përfaqësuesit e BE thonë se takimi nuk ka qenë fare i lehtë. “Por me rëndësi është që dialogu ka vazhduar”, theksoi ndërmjetësi Miroslav Lajçak.
Takimi i Lajçak dhe Mathew Palmer me kryeministrin Kurti
BE: Palët konfirmuan dialogun si rrugën e vetme
“Të dy liderët kanë qenë shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë në shprehjen e mendimeve të tyre, se çfarë duan dhe çfarë presin nga dialogu. Për BE është me rëndësi që të dy palët e kanë konfirmuar se nuk ka ndonjë rrugë tjetër për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përveç dialogut”, theksoi Lajçak. Lajçak tha se të dy palët do të vazhdojnë konsultimet për vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e përgjithshëm të raporteve dhe se dialogu do të vazhdojë në fund të korrikut.
Ndërsa shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka bërë të ditur para takimit se ai do të vazhdoj konsultimet edhe me partnerët amerikanë për këtë çështje, pasi pas takimit me delegacioniet e Serbisë dhe Kosovës, ai është takuar edhe me presidentin e SHBA Josep Biden. Shefi i delegacionit serb në bisedime dhe përfaqësuesi i zyrës për Kosovës e Metohi, Petar Petkoviq, në kohën sa po zgjaste takimi doli para gazetarëve serbë dhe tha se ndërkohë ka dhe konsultime të BE-së me SHBA për këtë dialog dhe se pozicioni i Serbisë nuk është i lehtë. Por, siç tha ai, Serbia do të vazhdojë betejën e saj. Takimi i radhës do të mbahet me 25 korrik në Bruksel. DW
Lajmet
Protestë në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës
Published
53 minutes agoon
February 6, 2026By
UBTNEWS
Sot në Prishtinë është mbajtur protestë kundër kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht para ndërtesës së KEDS-it, për të marshuar më pas drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Gjatë protestës janë shfaqur pankarta me mesazhe si: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës” dhe “Rryma rritet, populli digjet”.
Teksa protestuesit qëndronin para ndërtesës së KEDS-it, është hedhur tym i kuq, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një person të moshuar që po merrte pjesë në protestë.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” e kanë cilësuar kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë për 21.3 për qind si proces të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.
Kërkesa për rritje të tarifave është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nga KESCO, KOSTT dhe KEDS.
ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat hyjnë në fuqi më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind.
Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat-orë.
Lajmet
“Trafiku Urban” përsëri në grevë nga 13 shkurti
Published
2 hours agoon
February 6, 2026By
UBTNEWS
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar se nga 13 shkurti 2026 do të hyjnë në grevë.
Në një njoftim për menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes publike thuhet se më 26 janar janë parashtruar kërkesat dhe paralajmërimi për hyrje në grevë.
Meqë nuk ka pasur përgjigje deri më 6 shkurt, punëtorët kanë njoftuar se greva nis më datë 13.
Kërkesat e punëtorëve të “Trafikut Urban” përfshijnë përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, me qëllim që të mos cenohen interesat publikë dhe siguria e qytetarëve.
“Ju rikujtojmë se më datë 26.01.2026 është bërë njoftimi paraprak lidhur me kërkesat e parashtruara dhe paralajmërimin për hyrje në grevë në rast të mosmarrjes së përgjigjes. Duke qenë se deri më datë 06.02.2026 nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare nga organet kompetente, ju njoftojmë se punëtorët do të hyjnë në grevë më datë 13.02.2026. Në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë shërbimet publike me interes të përgjithshëm, garantohet respektimi i minimumit të procesit të punës, në mënyrë që të mos rrezikohet interesi publik dhe siguria e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Trafiku Urban” dhe transportuesit privat në Prishtinë për shkak të borxheve të pashlyera kishin ndërprerë shërbimet për nëntë ditë vitin e kaluar.
Lajmet
Prishtina voton buxhetin- në 2026, mbi 150 milionë
Published
3 hours agoon
February 6, 2026By
UBTNEWS
Mes diskutimeve të shumta, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2026.
Më 33 vota vota “për”, tetë “kundër” dhe asnjë abstenim ka kaluar propozimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për këtë vit.
Buxheti i paraparë për këtë vit për Komunën e Prishtinës është mbi 151 milionë euro.
Ndërsa, Kryetari Përparim Rama, ende nuk e ka prezantuar kabinetin e tij qeverisës për mandatin e dytë, edhe pse kanë kaluar mbi dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.
Para 27 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.
Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë./Kosovapress/
Protestë në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës
31 të vdekur nga sulmi vetëvrasës në një xhami në Islamabad
“Trafiku Urban” përsëri në grevë nga 13 shkurti
Prishtina voton buxhetin- në 2026, mbi 150 milionë
Përvjetori i vdekjes së Kadri Roshit
“Halili dhe Hajria”, 63 vjet nga vënia në skenë e baletit të parë shqiptar
27 vjet nga konferenca e Rambujesë
Kosova me gjashtë xhudistë në Grand Slam-in e Parisit
Tri raste për dhunë në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Të kërkuara
-
Rajoni3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Rajoni2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Aktualitet3 months agoNga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoFushata e klikimeve dhe e votave: Kur rrjetet sociale nuk përputhen me kutitë e votimit
