Lajmet

Takim lamtumirës për Mehajn, Kurti: Me insistimin e tij pagat në FSK u rritën për 30%

Kurti vlerësoi lartë punën e ministrit Mehaj.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti mbrëmjen e së hënës në “Ballkonin e Hapur”, ka organizuar pritjen lamtumirëse për ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, në të cilën ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeverisës, diplomatë të shumtë, përfaqësues të lartë të KFOR-it, udhëheqës të ndryshëm të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë të Kuvendit të Republikës e bashkëpunëtorë të afërt.

Në këtë pritje, Kurti përmes një fjale rasti vlerësoi se prej se u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi, thuhet në komunikatën për media.

“Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën”, tha kryeministri derisa shtoi se “buxheti për ushtrinë sot është mbi dy herë më i madh sesa para dy vjetëve, duke shënuar rritje nga 67 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 141 milionë euro sa e kemi sot”.

Sipas tij, “me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake. Ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur”.

Duke e vlerësuar për punën e tij si ministër, Kurti tha se ish-ministri Mehaj ka bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar, bashkëpunim ndërministror i cili sipas kryeministrit ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.

“Arritjet e ish ministrit Mehaj janë dëshmuar edhe në bashkëpunimin e tij të dendur dhe të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Mbrojtjes dhe e FSK-së e ka rritur dukshëm profilin ushtarak të Republikës në rang botëror, duke realizuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe misionin ndërkombëtar në Ishujt Falkland. Dhe, pas tërmetit shkatërrues në Turqi, në shkurtin e këtij viti, ekipi i FSK-së nisi menjëherë në një mision të kërkim-shpëtimit. E gjatë këtij misioni, ushtarët tanë arritën të shpëtojnë disa jetë njerëzish, duke përfshirë aty edhe dy fëmijë”, tha Kurti.

Më tej, Kurti tha se “suksesi i ish-ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë”.

Kryeministri gjithashtu veçoi se ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.

Në fund të fjalës së tij Kryeministri Kurti e ka falënderuar ish ministrin Mehaj me fjalët “Armend, në emrin tim, dhe në emrin e të gjithë Qeverisë, të faleminderit përzemërsisht për punën dhe shërbimin tënd gjatë këtyre dy vjet e pesë muajve të fundit. Faleminderit që, edhe pse fizikisht larg Kosovës, kurrë s’ke qenë larg me mendje e me zemër. Dhe kurrë se ke harruar se sa shumë i kemi borxh atdheut tonë, Republikës së dashur të Kosovës. Faleminderit”.

Ndërkaq, ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se i beson motos e cila thuhet në ushtri ‘Krah për krah’, “nëse ecim krah për krah atëherë i arrijmë edhe qëllimet e përbashkëta”.

Pasi falënderoi kryeministrin për fjalët dhe besimin e dhënë ai tha se ka bërë vetëm punën e tij pasi siç tha ai “këtë ia kemi borxh atdheut dhe çdo dëshmori të kombit”. Më tej ish ministri Mehaj tha se qëllimi i përbashkët i të gjithëve është integrimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Lajmet

​Stadiumi ikonik botëror del në shitje për shkak të krizës financiare

Published

on

Një nga stadiumet më të famshme në botë, Maracana në Rio de Janeiro, është vënë në shitje nga autoritetet braziliane për shkak të problemeve financiare të shtetit.

Sipas raportimeve nga “Marca”, qeveria e Rio de Janeiros e ka përfshirë stadiumin ndër 62 asetet shtetërore që pritet të shiten, për të mbledhur fonde dhe për të shlyer një borxh prej rreth 1.7 miliardë paund ndaj administratës qendrore të Brazilit.

Maracana, që ka pritur dy finale të Kupës së Botës: një në vitin 1950 dhe në vitin 2014 i kushton shtetit afro 140 mijë paund për ndeshje në mirëmbajtje.

Presidenti i komisionit që mbikëqyr propozimin, Rodrigo Amorim, tha se shitja mund të sjellë mbi 279 milionë paund të ardhura dhe se mirëmbajtja e stadiumit është bërë e papërballueshme për buxhetin publik.

Stadiumi me kapacitet 78,838 vende, që përdoret nga klubet Flamengo dhe Fluminense, është pjesë e identitetit sportiv të Rios dhe ka pritur gjithashtu ceremonitë olimpike dhe koncerte të mëdha.

Megjithatë, vendimi për ta privatizuar ka shkaktuar zemërim të madh publik, pasi shumë e shohin Maracana-n si një simbol kombëtar të futbollit brazilian.

Propozimi për shitjen e tij pritet të votohet nga Asambleja Legjislative e Rios në javët e ardhshme./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Ky pritet të jetë trajneri i ri i Zhegrovës te Juventusi

Published

on

Juventusi është pranë emërimit të Luciano Spallettit si trajneri i ri, pas shkarkimit të Igor Tudor, me një strukturë kontrate që tashmë po merr formë.

Sipas informacionit të raportuar nga “La Gazzetta dello Sport” marrëveshja pritet të jetë afatshkurtër, por me bonuse stimuluese.

Spalletti thuhet se është pranë arritjes së një akordi që do ta lidhte me klubin deri në qershor në fund të sezonit aktual.

Elementi kyç i marrëveshjes do të ishte një klauzolë e qartë: rinovim automatik i kontratës nëse Spalletti arrin ta kualifikojë Juventusin në Ligën e Kampionëve (duke përfunduar sezonin në katër vendet e para). Kjo strukturë pasqyron prioritetin e menjëhershëm të klubit-shpëtimin e sezonit dhe sigurimin e futbollit evropian fitimprurës, ndërsa njëkohësisht ruan fleksibilitetin për planifikimet afatgjata.

Një takim midis Damien Comolli dhe trajnerit pritet të zhvillohet sot, dhe nëse gjithçka shkon mirë, italiani do të jetë shumë afër emërimit zyrtar./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Xhaka vrapon më së shumti në Premier League, Reinildo e quan ëndërr paraqitjen përkrah tij

Published

on

Futbollisti i Sunderlandit nga Mozambiku, Reinildo ka thënë se është ëndërr e realizuar paraqitja e tij përkrah mesfushorit Granit Xhaka.

Të hënën mbrëma Sunderlandi ka prezantuar të dhënën se Xhaka është lojtari që ka vrapuar më së shumti këtë edicion në Premier League.

Mesfushori shqiptar tashmë ka arritur shifrën e 100.83 kilometrave të kaluara. Ai po ashtu nuk ka munguar në asnjërën nga nëntë ndeshjet e deritashme.

Bashkëlojtari i Xhakës, Noah Sadiki, është i dyti në listë me 100.14 kilometra. Të tjerët kanë më pak se 100 kilometra.

Për të veçantat e Xhakës, ku nuk përfshihet vetëm vrapimi, ka folur 31-vjeçari Reinildo, që ka bërë karrierë edhe tek Atletico Madridi e Lille.

“Graniti është lojtar shumë i madh dhe të flas për të është e veçantë. Ai ka mendësi aq të mirë. Është ndryshe, në nivel shumë të lartë. Ai ka aq shumë kualitete, jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj. Ai na shtyn para në stërvitje. E ndan me ne përvojën, është e veçantë. Jam shumë krenar që luaj me të, është ëndërr”, ka thënë Reinildo./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Rusia bën ofertë për ta organizuar EURO 2032, pas shqetësimeve rreth stadiumeve në Itali

Published

on

Në shtatë vjet, Kampionati Evropian i Futbollit për meshkuj 2032 do të mbahet në Itali dhe Turqi, dhe së fundmi raportohet se Rusia ka bërë një ofertë surprizë për të organizuar EURO 2032.

Megjithatë, së fundmi janë shfaqur dyshime për stadiumet italiane, për frikën se stadiumet italiane nuk do të jenë gati për shkak të infrastrukturës së vjetër.

Për shkak të këtyre shqetësimeve, është bërë e ditur se Rusia po e vendos veten si kandidat për të marrë rolin e një prej vendeve pritëse.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, presidenti i Federatës së Futbollit të Moskës, Alexander Dyukov, i tha faqes ruse “Sport.ru”:

“Italia ka një problem me stadiumet. Nëse humbin organizimin e stadiumeve, ne jemi këtu. Rusia është e gatshme të organizojë Euro 2032 në vend të Italisë”, ka thënë ai.

Është sugjeruar se vetëm një nga 10 stadiumet e propozuara në Itali është miratuar nga UEFA.

Megjithatë, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, UEFA dhe FIFA pezulluan të gjitha ekipet kombëtare dhe klubet ruse nga të gjitha garat.

Rusia bëri gjashtë ankesa ndaj vendimit, por të gjitha u hodhën poshtë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Në gusht, presidenti i organit qeverisës të ligës italiane, Ezio Simonelli, shprehu shqetësimet e tij se vendi mund të humbasë të drejtën e organizimit.

“Jam shumë i shqetësuar për Euro 2032. A rrezikohet kandidatura? Shpresoj të jetë vetëm shqetësimi im, por kur presidenti i UEFA-s thotë se stadiumet tona janë në gjendje koma dhe EURO është pas gjashtë vitesh, rrezikojmë të mos bëjmë një përshtypje të mirë ndërkombëtare. Është turp, megjithatë, që përveç Udine, Bergamo dhe Torinos, pjesa tjetër e stadiumeve tona janë në gjendje koma. Ceferin i kritikoi fuqishëm stadiumet italiane dhe unë pajtohem me të”, tha ai.

Muajin e kaluar, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, foli po ashtu për ndalimin aktual.

“Ndalimi për ekipet ruse, mendimi im është tre e gjysmë vjet. A ka përfunduar lufta? Jo. Pra për tani, nuk e di. Duhet të them se me situatën në Rusi dhe Ukrainë, ka pasur një presion politik shumë të fortë. Tani është më shumë presion nga shoqëria civile sesa nga politikanët, sepse politikanët, kur bëhet fjalë për luftëra dhe viktima, janë shumë pragmatikë. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë. Ka bisedime për gjithçka, por personalisht, jam kundër përjashtimit të sportistëve”, tha ai/S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara