Lajmet

Szunyog: Kosova ka shënuar progres, por ka ngecje në sundimin e ligjit

Szunyog ka thënë se deri në fund të këtij viti do të merret një vendim për liberalizimin e vizave.

Published

on

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes Shtëpisë së Evropës organizoi një panel diskutimi me organizatat e shoqërisë civile të  titulluar “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka në të për Kosovën?”.

Në këtë debat ku u diskutua për progresin e Kosovës dhe atë se çfarë mund të bëjnë akterët e ndryshëm, me theks të veçantë organizatat e shoqërisë civile për të ndihmuar këtë proces, morën pjesë Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Arbëresha Loxha Stublla nga GLPS dhe Taulant Hoxha nga KCSF.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Szunyog, duke folur për Raportin tha se Kosova qëndron pothuajse njëjtë me të gjitha vendet e rajonit. Por sipas tij, Kosova ka ngecur mbrapa në sundimin e ligjit dhe implementimin e agjendës për energjinë. Ndikim në Raportin e Zgjerimit 2022, sipas tij, ka pasur edhe lufta në Ukrainë.

“Raportimi na ka gjetur në një situatë më ndryshe sesa viteve të kaluara, duke marrë parasysh rrethanat gjeopolitike, pra luftën në Ukrainë. Kosova udhëhiqet nga një parti që ka shumicën e vendeve në Parlament dhe raportimi njëvjeçar ka ndodhur pa u ndërruar Qeveria”, ka deklaruar ai.

“Performanca e Kuvendit duhet të ketë progres më të madh. Kriza energjetike ka prekur edhe Kosovën dhe kemi pritur që agjenda e energjisë të implementohet, por kjo nuk ka ndodhur. Një fushë tjetër ku Kosova ka ngecur mbrapa është sundimi i ligjit, duhet të kemi një sistem më funksional me rezultate më të mira. Nëse i analizojmë raportet e gjashtë vendeve të Ballkanit, mund ta shohim se Kosova ka ngjashmëri të mëdha me këto vende”.

Szunyog ka thënë se deri në fund të këtij viti do të merret një vendim për liberalizimin e vizave. Ai shtoi se është i lumtur që kryeministri Albin Kurti, ka thënë se deri më 2024 do të duhej të arrihej një marrëveshje me Serbinë. Sipas tij, ky proces lidhet ngushtë edhe me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Dialogu është një çështje e cila nuk u përmend ende sot, por është thelbësore në progresin e Kosovës. Kosova duhet të punojë më shumë në procesin e dialogut. Presidenca çeke e ka futur liberalizimin e vizave të Kosovës në agjendë. Besoj që vendimi do të merret deri në fund të këtij viti”, deklaroi ai më tej.

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi tha se do të fokusohen në dy fusha në drejtësi dhe ekonomi, duke shtuar se zhvillimi ekonomik edhe përkundër polemikave do të jetë sipas parashikimeve të Qeverisë. Madje ai tha se do të përqendrohen edhe në reformimin e administratës publike, duke kërkuar edhe mbështetjen dhe vlerësimin e BE-së për progresin në Kosovë.

“Ambasadori e përmendi veçorinë e këtij raporti – lufta në Ukrainë, kjo na ka prekur në dy mënyra, me rritje të çmimeve dhe kriza energjetike. Prioritetet tona fokusohen në dy shtylla, në drejtësi dhe ekonomi. Te ekonomia mund ta përmendim zhvillimin ekonomik, edhe pse ka shumë dezinformata, të dhënat e institucioneve e kanë treguar këtë. Sundimi i ligjit nuk mund të rregullohet brenda ditës, i duhet kohë që të bjerë në binarë. Në 12 muajt e ardhshëm, përveç krizës energjetike, që është prioritet i çdo Qeverie, Kosova duhet të fokusohet në reformimin e administratës publike. Ne e kemi strategjinë për energjinë, që është e njëjta me ato të vendeve evropiane. Puna është kryer, vetëm nuk është aprovuar. Problemi në Kosovë është se vazhdimisht ka probleme në blloqet ku prodhohet energjia elektrike dhe se kemi jo-stabilitet edhe në kërkesën për energji”, deklaroi ai.

Bislimi shtoi se Kosova këtë vit do të aplikojë statusin për e vendit kandidat për Bashkim Evropian. Në këtë konferencë ai foli edhe për takimin me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë më i hapur ndaj progresit të Kosovës. Ndoshta Kosova është shumë e vogël për një progres kaq të madh. Si ka mundësi që një nxënës që është ‘notuar’ keq po performon më mirë sesa një nxënës që është notuar më mirë?. Këtë vit do ta dërgojmë edhe aplikimin për statutin e kandidatit. Takimi në Bruksel ka qenë tek e tek, vetëm unë me zotin Lajçak. Asgjë që është thënë në media nuk përkon me atë që ka ndodhur. Petkoviqi nuk ka qenë fare në Bruksel, siç mediat kanë raportuar”, deklaroi Bislimi.

Arbresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLSP), tha se projektligjet e nxjerra nga Qeveria që kanë të bëjnë me reformën në administratë publike nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Ajo pati kritika për Qeverinë, duke thënë se edhe pse e ka shumicën nuk po mund të sigurojë koriumin në Kuvend. Sipas saj, është shënuar progres në fushën e menaxhimit të migrimit, në luftën kundër terrorizmit, në lirinë e medias etj.

“Përkundër faktit që kjo Qeveri ka shumicën, ka mungesë të kuorumit në Kuvend. Kohezioni politik brenda Kuvendit është shumë i rëndësishëm. Është shënuar progres në fushën e menaxhimit të migrimit, në luftën kundër terrorizmit, në lirinë e medias etj. Ne si GLPS konsiderojmë që projektligjet e nxjerra nga Qeveria karshi reformës së administratës publike nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Problem tjetër është numri i madh i pozitave të ushtruesve të detyrave në institucione”, deklaroi ai.

Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), tha se fokus i institucioneve viteve të fundit ka qenë liberalizimi, prandaj edhe ka pasur pengesa në procese. Ai ka kërkuar përparim në të drejtat e punëtorëve dhe në pakon e Kodit Civil.

“Fokusi i Kosovës ka qenë gjithmonë në liberalizimin e vizave, prandaj mund të themi se në vitet e fundit kemi pasur një ‘përgjumje’ në këtë proces. Mendoj se duhet të bëjmë përparim në dy fusha, në të drejtat e punëtorëve dhe në pakon e Kodit civil, sepse janë fusha që e prekin të gjithë shoqërinë”, shtoi ai.

Panelistët kanë theksuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që t’i adresojnë sfidat dhe të zbatojnë politikat dhe rekomandimet që dalin nga Raporti i Zgjerimit.

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

lajme

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Të kërkuara