Lajmet

Sveçla: Kosova ka synim paqen e stabilitetin, ndërsa Serbia synon destabilizimin e luftën

Sipas tij, deklarimet se Kosova ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta.

Published

on

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot ka deklaruar se Kosova nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia dhe se Kosova ka synim paqen e stabilitetin, ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën.

Ai ka potencuar se deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi.

“Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë. Nuk jemi të interesuar për luftë por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ndërkaq “ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato”.

“Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlenë edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”, ka shkruar ministri në Facebook.

Ai ka shtuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po tenton të cenojë vlerat demokratike që Kosova ka promovuar.

“Kurdo që lufta kundër krimit po shpërfaq që ushtrimi legjitim i kompetencave në vendin tonë është në dobi të secilit qytetar pavarësisht etnisë, Serbia me në krye Vuçiçin, po tenton me çdo kusht të cenojë vlerat demokratike që shteti ynë ka promovuar dhe do të vazhdojë të mbrojë. Andaj, ne nuk do të ndalemi drejt mbrojtjes së këtyre vlerave demokratike dhe të qenurit pranë të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, pavarësisht tendencave kërcënuese”, ka shtuar tutje Sveçla.

Ndryshe, edhe dy barrikada janë vendosur sot në veri të Mitrovicës.

Lajmet

Kuvendi themelon Komisionin Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të hetosh veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e përgjithshëm të dhunës ndaj grave e fëmijëve në familje.

Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë një mandat punë prej maksimalisht gjashtë muajsh. Udhëheqja i është besuar Burim Ramadanit nga AAK në pozitën e kryetarit, ndërsa zëvendëskryetar do të jetë Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pjesë e këtij trupi hetimor nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. Partia Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani, Lidhja Demokratike e Kosovës nga Doarsa Kica-Xhelili, ndërsa nga radhët e komuniteteve janë caktuar Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Vetëm tri ditë para ngjarjes tragjike, ajo u kishte dërguar letër zyrtare institucioneve për t’i paralajmëruar se jeta e saj ndodhej në rrezik serioz. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

FSK pasurohet me 12 kamionë të rinj ushtarakë

Published

on

By

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar sot 12 kamionë ushtarakë të tipit UNIMOG 5T, 4×4, të blerë për nevojat logjistike të ushtrisë. Në ceremoninë e pranimit morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se me këto prurje të reja, si dhe me 8 kamionët e tjerë KX 8×8 të blerë së fundmi nga “Rheinmetall”, numri i përgjithshëm i mjeteve të pranuara të këtyre kategorive arrin në 35. Ai paralajmëroi se dhjetëra kamionë të tjerë të blerë të këtyre tipave do të arrijnë gjatë vitit 2027.

Sipas Kurtit, një forcë moderne nuk ndërtohet vetëm përmes armatimit, por edhe përmes kapaciteteve që mundësojnë lëvizshmëri dhe furnizim efikas. Mjetet e reja janë të projektuara për terrene të vështira e malore dhe rrisin dukshëm mbështetjen logjistike të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s.

Kreu i Qeverisë e vlerësoi këtë si një javë të suksesshme për ushtrinë, duke kujtuar se pas betimit të 515 rekrutëve të rinj të premten e kaluar dhe nisjes së trajnimit për 209 të tjerë në fillim të javës, pranimi i këtyre kamionëve përmbyll me sukses përpjekjet për fuqizimin e mbrojtjes dhe sigurisë në vend./E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KPK pezullon nga detyra kryeprokuroren e Pejës pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka votuar sot unanimisht për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

Vendimi erdhi pas rekomandimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ngjarja e rëndë ka nxitur reagime të shumta dhe pikëpyetje mbi dështimin e institucioneve të drejtësisë për t’i ofruar mbrojtje viktimës.

Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Vetëm tri ditë para se të vritej, ajo i kishte dërguar një letër zyrtare kryeprokurores Vuçetaj, ku e njoftonte se jeta e saj ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton rishikimin e buxhetit për vitin 2026 midis kritikave të opozitës

Published

on

By

Me 62 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2026. Nga shtatë amendamentet e propozuara gjithsej, mbështetjen e shumicës parlamentare e morën vetëm dy prej tyre, ndërsa të gjitha propozimet e opozitës u rrëzuan.

Miratimi u parapri nga një debat i ashpër në sallë. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e cilësoi propozimin e Qeverisë si një mbulesë për 120 milionë euro të vendosura që në fillim të vitit, duke theksuar se ligji ka probleme procedurale dhe përmbajtësore.

Po nga kjo parti, deputetja Hykmete Bajrami kërkoi sqarime nga Ministria, duke pretenduar se ndryshimi po bëhet për të mbuluar koston e pagës së 13-të. Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, i quajti ndryshimet e propozuara ligjore si dinakëri të ministrit të Financave.

Të gjitha këto pretendime e akuza u hodhën poshtë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mbrojti rishikimin e buxhetit para deputetëve.

Continue Reading

Të kërkuara