Teknologji

Sulmet kibernetike, në agjendën mes superfuqive

Si po u përgjigjen SHBA kërcënimeve kibernetike?

Published

on

Shtëpia e Bardhë thotë se sulmet kibernetike do të jenë një “temë e rëndësishme” në takimin mes presidentëve Biden dhe Putin.

Deri para pak vitesh, programe keqbërëse kompjuterike që përhapen përmes rrjeteve digjitale shiheshin si krim financiar dhe nuk mendohej që do të dilnin një ditë ndër temat kryesore në agjendën e një takimi mes udhëheqësve të dy fuqive botërore.

Por muajin e kaluar kjo temë doli në qendër të prioriteteve gjeopolitike pasi keqbërës digjitalë që besohet se vepronin nga Rusia, penetruan në rrjetin digjital të një kompanie amerikane që operon një tubacion të rëndësishëm nafte, si dhe në rrjetin e një gjigandi global për përpunimin e mishit duke u bërë presion kompanive t’u jepnin miliona dollarë shpërblim për të mos dëmtuar sistemet e tyre operuese.

Megjithëse zyrtarët amerikanë nuk e kanë akuzuar Rusinë për rol direkt në këto incidente, disa ligjvënës thonë se krminelët që operojnë në hapësirën digjitale shpesh veprojnë me dijeninë, në mos me miratimin e Kremlinit. Presidenti Biden ka qenë nën presion ta ngrejë këtë temë me të madhe në takimin me Presidentin Putin.

Në një sulm kibernetik, kriminelët tjetërsojnë informacionin digjital të një kompanie përmes një programi kompjuterik. Ata i kërkojnë kompanisë shpërblim për t’i kthyer të dhënat në funksionim të rregullt, që realizohet përmes një çelësi dixhital që e normalizon sistemin. Shpesh kriminelët e hapësirës digjitale i ofrojnë ndihmë një grupi konkurrent dhe ndajnë bashkë përfitimet. Kjo, thonë zyrtarët, ka çuar në shtim të numrit të ekspertëve të informatikës që përfshihen në këtë biznes të paligjshëm por shumë fitimprurës.

Në vijim, tre pyetje për rolin e Rusisë në këto sulme kibernetike:

Përse flasin rusisht shumë grupe kriminale të hapësirës digjitale?

Firmat e sigurisë kibernetike ndjekin aktivitetin e hakerëve në mbarë botën. Shumë prej tyre besohet se operojnë nga Rusia si dhe republika të tjera ish-sovjetike si Bjellorusia, Ukraina, Kazakistani dhe Letonia, sipas firmës “Recorded Future”.

Kjo kompani mbikqyr aktivitetin e afro 15 grupeve që flasin rusisht. Firma amerikano-izraelite “Check Point” ndjek shtatë grupe të tjera, ndër ta edhe grupe përgjegjëse për sulme të rënda gjatë viteve të fundit, si DarkSide dhe REvil që goditën përkatësisht tubacionin e naftës Colonial Pipeline dhe furnizuesin e mishit JBS në javët e fundit.

Këtë vit u zbulua edhe grupi Babuk, një tjetër rrjet me rusisht-folës, i cili ka sulmuar të paktën pesë entitete të rëndësishme.

Këto grupe rusisht-folëse ndjekin një rregull të pashkruar: Shmangin kompani e institucione në Rusi dhe republika ish-sovjetike gjë që u lë dorë të lirë të sulmojnë të tjerët pa u goditur nga autoritetet ruse. Një tjetër rregull: ata bashkëpunojnë vetëm me grupe të tjera rusisht-folëse.

A ka lidhje mes hakerëve dhe Kremlinit?

Qeveria ruse ka hedhur poshtë akuzat për rol në sulmet e fundit kibernetike në SHBA. Ndërkaq mbetet e paqartë se çfarë lidhjesh ekzistojnë mes Kremlinit dhe këtyre rrjeteve të shantazhit online.

Pas sulmit ndaj tubacionit Colonial Pipeline, Presidenti Biden tha se deri tani “nuk është parë ndonjë provë nga shërbimet e zbulimit për përfshirje nga Rusia, por ka prova se këta aktorë dhe programe të rrezikshme janë në Rusi”.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha gjatë një seance me dëshmi në Kongres se nuk mund të fliste për lidhjet mes Kremlinit dhe këtyre grupeve, po shtoi se “këta hakerë janë individë që ndoshta jo rastësisht godasin viktima që flasin anglisht”.

Ligjvënësit e kanë akuzuar haptazi Rusinë duke thënë se sulme të tilla nuk mund të ndodhin së paku pa miratimin e heshtur të Kremlinit.

Vija ndarëse mes keqbërësve dixhitalë dhe entiteteve shtetërore mbetet e paqartë. Shumë hakerë që veprojnë në Rusi mund të jenë në shërbim të zbulimit rus gjatë ditës dhe në “kohën e lirë” kryejnë sulme kibernetike për përfitim personal, tha ligjvënësi demokrat Marc Warner.

Si po u përgjigjen SHBA kërcënimeve kibernetike?

Pasi sulmet kibernetike janë deklaruar gjerësisht si një kërcënim i ri për sigurinë kombëtare, disa ligjvënës dhe ekspertë të sigurisë po bëjnë thirrje për një përgjigje më agresive nga ana e SHBA. Departamenti i Drejtësisë krijoi kohët e fundit një grup pune të përqëndruar tek programet keqbërëse dixhitale. Ky grup pune arriti të bllokojë pjesën më të madhe të shumës prej 5 milionë dollarësh që kompania Colonial Pipeline u kishte paguar hakerëve për të kthyer në funksionim sistemin. Por ligjvënësit duan rezultate më konkrete në këto përpjekje.

“Duhet të fillojmë të analizojmë mundësinë e hedhjes në sulm dhe t’i godasim këto rrjete,” tha ligjvënësi republikan Michael McCaul gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ekspertët e mbështesin idenë e një qëndrimi më agresiv.

Para takimit Biden-Putin, udhëheqësi rus pat ngritur idenë e një marrëveshjeje dypalëshe për të shkëmbyer dhe ekstraduar kriminelët e hapësirës dixhitale mes SHBA dhe Rusisë. Në takimin e G-7, Presidenti Biden tha se ishte i hapur ndaj idesë së homologut rus.

Më pas, këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan ofroi shpjegime lidhur me deklaratën e zotit Biden, duke thënë se presidenti “nuk po thotë se do të shkëmbejë kriminelë të hapësirës dixhitale me Rusinë,” por se është dakord me idenë se këta individë keqbërës duhet të mbahen përgjegjës në të dy vendet.

Teknologji

WhatsApp sjell përditësime; Status në grupe, skanim dokumentesh dhe thirrje HD

Published

on

WhatsApp po vazhdon të testojë veçori të reja përmes kanaleve të tij beta, dhe së fundmi ka sjellë një sërë risish që pritet të përmirësojnë përvojën e përdoruesve – veçanërisht në iOS.

Tani, treguesit e statusit janë shtuar në bisedat në grup, duke i mundësuar përdoruesve të shohin se cilët anëtarë janë të disponueshëm, pikërisht poshtë emrit të grupit, shkruajnë mediat e huaja.

Përveç kësaj, përdoruesit kanë opsionin të zgjedhin marrjen e pikave kryesore nga grupet, çka ndihmon në kufizimin e njoftimeve të shumta që shpesh krijojnë ngarkesë.

Tjetër risi është aftësia për të skanuar e dërguar dokumente përmes WhatsApp. Aplikacioni tani mund të vendoset edhe si i paracaktuar për mesazhe e telefonata, shkoni te Settings, Default, WhatsApp dhe funksioni aktivizohet menjëherë.

Video thirrjet janë përmirësuar, duke ofruar cilësi më të mirë dhe besueshmëri. Tashmë është e mundur të kaloni shpejt në cilësinë HD nëse shpejtësia e internetit është e kënaqshme, duke garantuar një përvojë vizuale më cilësore.

Continue Reading

Teknologji

Telefoni po riniset automatikisht, kur mund t’ju ndodhë kjo?

Published

on

Pajisjet Android do të rinisen automatikisht në të ardhmen nëse nuk janë zhbllokuar për një kohë të gjatë. Kjo veçori e re e sigurisë do të prezantohet, sipas njoftimeve, për të mbrojtur më mirë të dhënat e përdoruesve.

Opsioni i ri, që është pjesë e përditësimit më të fundit të shërbimeve Google Play, parashikon që telefoni ose tableti do të riniset automatikisht nëse qëndron i bllokuar për tri ditë rresht.

Pas rinisjes, përdoruesi duhet të fusë PIN-in për të hyrë në pajisje – metodat biometrike të zhbllokimit (si gjurmët e gishtave ose njohja e fytyrës) do të çaktivizohen përkohësisht derisa të jepet kodi.

Sipas faqes 9to5Google, kjo veçori do jetë e disponueshme në telefonët e tabletët Android, por nuk do të vlejë për pajisjet në kategoritë Auto, TV dhe WearOS.

Është e rëndësishme të theksohet se nuk bëhet fjalë për një rivendosje në gjendje fabrike, por për një rinisje që e vendos pajisjen në gjendjen para zhbllokimit të parë (BFU – Before First Unlock), duke shtuar një shtresë shtesë mbrojtjeje për të dhënat e përdoruesit.

Apple ka prezantuar funksion të ngjashëm në iOS 18.1 me emrin “Inactivity Reboot”, i cili aktivizohet pas katër ditësh pa aktivitet.

Ende nuk është bërë e ditur se kur kjo veçori do të jetë e disponueshme për të gjithë përdoruesit, pasi përditësimet e tilla të Play Services vijnë gradualisht, brenda një deri në dy javë.

Gjithashtu, nuk dihet nëse përdoruesit do të marrin ndonjë njoftim për arsyen e rinisjes automatike.

Continue Reading

Automobilizëm elektrikë

Audi ndërpret eksportet në SHBA

Published

on

Ndryshe nga shumë prodhues tjerë gjermanë të automobilave, Audi nuk ka fabrika të vetat në SHBA. Të gjitha automjetet Audi për tregun amerikan dërgohen në SHBA prej Gjermanisë dhe disa vendesh tjera.

Tani Audi i ka ndaluar të gjitha dërgesat për në SHBA. Arsyeja janë tarifat doganore të vendosura javën e kaluar për mbarë botën nga presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas një raporti të Automobilwoche vendimi i Audit vlen për automjetet e porositura në SHBA pas 2 prillit. Automjetet kanë mbërritur në SHBA para kësaj data do t’u dorëzohen klientëve sipas planit.

Portali Automobilwoche i referohet një letre të brendshme që u është drejtuar tregtarëve me pakicë të automjeteve në SHBA. Këtë e ka konfirmoi tani edhe një zëdhënëse e kompanisë Audi.

Strategji të reja tregtimi

Kompania Audi i dërgon automjetet e saj në SHBA nga Gjermania, Hungaria dhe Sllovakia. Po ashtu në Meksikë prodhohet modeli “Q5” – që është bestseller në SHBA.

Kompania Audi ka në magazinat e saj në SHBA më shumë se 37,000 makina, këto automjete nuk preken nga tarifat e reja. Për këtë arsye do të pajisen me një shënim të posaçëm kur të shiten.

Audi po mendon tani se si t’u sigurojë shitësve me pakicë mundësi dhe impulse të reja për shitjen e makinave Audi që gjenden në magazina në SHBA. Ata po analizojnë mënyra si mund të minimizohet ndikimi i tarifave të reja doganore tek klientët dhe partnerët tregtarë.

Continue Reading

Teknologji

Konfirmohet data e lansimit të Realme GT7, zbulohen disa detaje

Published

on

Disa muaj pas lëshimit të Realme GT 7 Pro, kompania po përgatitet të lansojë edhe GT7. Në posterin e tij të fundit, prodhuesi i smartfonëve konfirmoi 23 prillin si datën e lëshimit në Kinë.

Data e lëshimit në Kinë është 23 prilli, që do të thotë se mund të presim një paraqitje më të gjerë globale së shpejti.

Flitet se ai do të ketë çipin e ri Dimensity 9400+ (do të jetë një nga telefonat e parë që do ta ketë), një bateri të madhe 7,000 mAh dhe karikim të shpejtë 100 W.

Të paktën këto janë specifikat e konfirmuara zyrtarisht deri më tani.

Zëvendëspresidenti i Realme, Chase Xu, tha gjithashtu se telefoni do të ketë ftohje të avancuar, optimizime të qëndrueshmërisë dhe stabilizim të shkallës së lartë të rifreskimit gjatë lojës.

Continue Reading

Të kërkuara