Serbia edhe një herë po përballet me akuza se operativë të dyshuar rusë kanë trajnuar qytetarë nga Moldavia në territorin serb, me qëllim që ata të nxisnin trazira masive para zgjedhjeve parlamentare që mbahen këtë fundjavë.
Më 22 shtator, autoritetet moldave thanë se kanë kryer 250 bastisje dhe kanë arrestuar dhjetëra persona si pjesë e një hetimi lidhur me një plan të dyshuar dhe të koordinuar nga Federata Ruse përmes elementeve kriminale.
Ata theksuan se shumica e të dyshuarve ishin trajnuar në Serbi. Deri më tani, Serbia as nuk e ka mohuar e as pranuar këtë pretendim.
Eksperti moldav për politika publike dhe të sigurisë nga instituti WatchDog.MD, Andrei Curararu, tha se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar për këtë hetim dhe gjetjet e tij.
“Të njëjtat seanca trajnuese po përsëriten, vetëm që këtë herë në Serbi, por po flasim për një organizatë të ngjashme dhe përfshirjen e personave me të kaluar të ngjashme”, tha Curararu.
Kjo është hera e dytë që autoritetet e Moldavisë pretendojnë se Serbia është mikpritëse e qytetarëve moldavë, të cilët, nën patronazhin e strukturave ruse, pretendohet se po trajnohen për të nxitur trazira në Moldavi.
Hera e parë kur u bën këto pretendime ishte para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe referendumit në tetor të vitit 2024, kur Bosnja dhe Hercegovina po ashtu u përmend.
Në anën tjetër, Prokurorët zbuluan se një grup personash, nga mosha 19 deri në 45 vjeç, të cilët udhëtuan për në Serbi, ku dyshohet se u trajnuan për të thyer kordonët e policisë, për të rezistuar ndaj forcave të rendit, për të përdorur shkopinj gome, pranga dhe madje armë zjarri, në disa raste.
Për çdo seancë trajnuese supozohet se ata merrnin rreth 400 euro.
Në total, 111 persona janë të përfshirë në këtë rast penal. Gjatë bastisjeve u sekuestruan pasaporta, kartela SIM, kartela të huaja bankare dhe armë.
Shtatëdhjetë e katër persona u dërguan në paraburgim.
Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Moldavisë (SIS), Alexandru Musteata, deklaroi se personi që koordinonte trajnimet në Serbi prezantohej si punonjës i shërbimeve speciale ruse dhe se përdorte nofkën Bes (djall, në rusisht), por identiteti i tij i vërtetë ende nuk është përcaktuar.
Edhe Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, deklaroi më 23 shtator se Komisioni Evropian është në dijeni për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare në Moldavi përmes blerjes së votave dhe metodave të tjera.
“Jemi në dijeni për këtë gjë dhe sa i përket këtij rasti të veçantë, jemi duke e shikuar: kush, kur dhe si ishte e mundur që kjo të ndodhte”, tha Kos./S.K/EO/Pamfleti/