Live

Sulejman Kllokoqi: Reçaku

Published

on

(Shkëputur nga libri “Me kamerë në shtatë luftëra”, publikuar në vitin 2014 nga Grupi “Koha”)

… Në janar ndodhi kthesa tjetër e madhe, masakra e re në Reçak, dhe aty unë sërish isha protagonist me instinktin tim prej gazetari që dallon ngjarjet e rëndësishme të luftës dhe të politikës, nga ato që shpesh bëhen, për fat të keq, edhe pse janë jo më pak tragjike, vetëm numra dhe rutinë.

Për Reçakun patëm marrë vesh një ditë më herët që në këtë fshat afër qytezës së Shtimjes ka pas luftime  mes policisë dhe UÇK-së. Nga burimet jozyrtare patëm mësuar për vrasjen e një ose edhe më shumë policëve serbë, e supozohej se ka mundur të ketë edhe viktima nga ana e UÇK-së.

Kjo nuk ishte befasi, sepse armëpushimi praktikisht nuk respektohej askund, çdo ditë kishte incidente. Po bëhej e qartë se pas tërheqjes taktike në tetor, Serbia sërish filloi mobilizimet dhe për çdo ditë i shtonte forcat e saj në Kosovë për një ofensivë në muajt e pranverës.

Ne gazetarët e dinim se aty ku ka policë të vrarë serbë, ka gjasa edhe për represalje ndaj popullsisë civile. Ndoshta jo në përmasat e Obrisë së Epërme, por e dija se do të ketë hakmarrje. Në mbrëmje atë ditë unë me disa gazetarë shkova në spitalin e Prishtinës për të verifikuar ngjarjen dhe eventualisht për të kuptuar se sa policë serbë ishin sjellë të vrarë ose të plagosur në spital dhe në morg.

Por, kuptohet, meqë spitali kontrollohej nga serbët, rojet e spitalit nuk patën lënë as të afroheshim, e lëre më të merrnim informata. Me atë rast pamë aty disa makina ambulante të cilat, me gjasë, sillnin viktimat, të vrarët dhe të plagosurit,  por nuk e kishim as idenë se a janë viktimat serbe apo shqiptare, dhe sa ishte numri i tyre.

Sidoqoftë, kureshtja dhe instinkti im prej gazetari nuk më linte rehat. U pata marrë vesh me Visar Kryeziun, që punonte si fotograf për AP,  që të nisemi të nesërmen sa më herët për Shtimje.

Ashtu edhe bëmë. U nisëm në ora 6. Kur mbërrimë në Shtime, nga ku edhe ndahet rruga lokale për në katundin Reçak, kuptuam se atje vërtetë kishte ndodhur një hata. Pas përleshjes me UÇK-në forcat serbe ishin kthyer dhe kanë masakruar fshatarët, shumë veta. Pas masakrës këto forca kriminele ishin larguar.

Ishte 15 janari dhe koha mbante shumë ftohtë.  Në Shtime nuk qëndruam as 10 minuta. U nisëm menjëherë drejt Reçakut. Rruga ishte e hapur, pa postblloqe dhe shpejt arritëm atje, diku pak para orës 7. Katundin e gjetëm në pikëllim të madh; njerëzit ishin të shokuar. Disa kufoma i pashë edhe në katund, por një plak më tha se hataja më e madhe kishte ndodhë disa qindra metra jashtë fshatit, në një shpat të bregut.

  • Ata që nuk janë larguar nga katundi i kanë zanë dhe i kanë pushkatua me rafal, – tregonte plaku me një zë të hollë që i dridhej pak, por në pamje ishte shumë i qetë.

Gjithnjë jam çuditë me pamjet e qeta të shumë nënave dhe burrave shqiptarë, kur tregojnë për këso ngjarje të hatashme. Mu kujtua edhe ai djaloshi i Obrisë, që po kështu na shoqëroi mua dhe Adamin deri te shpija e Deliajve me koka të prera. Athua më vonë i godit tmerri dhe traumat?

U nisa menjëherë në drejtimin që ma tregoi plaku:

  • Andej i keni kufomat një mbi një.

Edhe rrugës deri te vendi i masakrës në çdo 50 metra hasja kufomat e civilëve të vrarë. E kam regjistruar krejt atë rrugëtim me kamerë, dhe më në fund erdha te ajo pjesë e kodrës ku ishte një si shtrat i thatë i përroskës, ku ishin shumë kufoma. Ashtu të shtrirë dhe në pozita të ndryshme, dukej se ishin njëqind e më shumë, por kanë qenë në atë vend diku rreth pesëdhjetë. E ndjeva një zemërim të fortë dhe urrejtje ndaj kriminelëve, por e përmblodha vetëm dhe u koncentrova vetëm në xhirim. E kisha merak kohën, që sa më parë t’i xhiroja pamjet, dhe që pamjet të jenë sa më cilësore dhe sa më informative. Një kuadër i gjatë në lëvizje që tregon në vazhdimësi “vargun” e kufomave, të mbetur në vend të vdekur, pas rafalëve që i pushkatuan. Pas totalit, fotografova edhe detajet, ku shiheshin më qartë kufomat, të mos thuhet pastaj nga propaganda serbe, se viktimat kanë qenë kukulla dhe krejt kjo masakër inskenim. Asnjë uniformë, vetëm civilë!

Kur i mora pamjet e tmerrit, ideja e parë që kisha ishte që të arrija sa më parë në Prishtinë dhe të siguroja bartjen e xhirimit në Shkup dhe nga atje për në Londër, ku pastaj do të distribuohej dhe transmetohej në të gjitha televizionet botërore.  Deviza e WTN-së për këto raste ishte: Xhiro shpejt, por edhe më shpejt dërgoji xhirimet.

Unë e dija shumë mirë edhe nga  përvoja e Bosnjës, (kujtoni vetëm masakrat e Sarajevës në rrugën Vase Miskina, dhe një tjetër pazarin Merkale, si dhe nga rasti i Prekazit dhe Obrisë), se sa fuqishëm kanë ndikuar raportet mediale për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar.

Pas transmetimit të  pamjeve të krimeve serbe, janë ndërmarrë masat, janë ndëshkuar serbët, janë organizuar konferencat dhe janë bërë intervenimet.

Reçaku ishte krim me më shumë viktima se Obria, patjetër duhet të dërgohet në botë… Prisja se kjo sigurisht që do të prek shumë ndërgjegje dhe do të përshpejtojë intervenimin. Tërë kohën nuk më hiqeshin nga mendja ata njerëz të shastisur  të Reçakut që e kërkonin kokën e humbur të viktimës… E ndieja një shpagim në emër të tyre se kjo kasetë që po e bartja do të jetë një hakmarrja ndaj kriminelëve, se ai do të ndëshkohet.

Derisa po kthehesha në Prishtinë, vozitja me një shpejtësi të kontrolluar, pra ngutesha, por me kujdes që të mos bëjë gabime trafiku dhe të mos bie në sy policisë serbe.  Nuk e lajmërova askënd për masakrën nga frika e përgjimit. Nuk u përgjigjesha telefonatave. Thirra vetëm gruan duke i thënë se kinse kisha dalë herët në qytet për riparimin e makinës dhe tani po pija kafen e mëngjesit.

Kur erdhëm te katundi çaglavica lajmëruam ekipet e WTN dhe AP që rrinin në hotelin Grand, se duhet të takohemi dhe se kemi “dhuratë” për ta. Ata do të kujdesen që xhirimet e mia dhe fotografit e Visarit të dërgohet sa më parë për Shkup.

Vetëm pasi që e dorëzova kasetën dhe u sigurova se ajo do të niset menjëherë për Shkup, u çlirova dhe fillova të sillem si në ditët e zakonshme të mëngjeseve në atë kohë të luftës në Prishtinë. I fillova kontaktet e mëngjesit me kolegët, duke i këmbyer edhe informatat për ngjarjen e Reçakut, por në formën sikur nuk kam qenë atje fare, duke plasuar edhe ndonjë dezinformatë të vogël spekulative. E kisha qëllimin që t’i mashtroja përgjuesit, nëse përgjohesha, sepse pas rastit të Obrisë e dija se do të jam në rrezik edhe më të madh nëse shërbimet sekrete serbe do të kuptonin se kam qenë i pari me xhirime edhe në Reçak. Por, edhe dezinformatat në këto raste mund të janë një lloj hutimi për “ata” që na përgjonin. Sepse unë i thosha bashkëbiseduesve se kam dëgjuar për masakrën jo afër Shtimjes, por nga ana e Kaçanikut. E ata më “demantonin, jo, jo, në Reçak.

Kuptohet se kisha shumë frikë, sepse e dija se pas kësaj do të duhej të tërhiqesha nga puna aktive ose të bëhem sa më i padukshëm.

Por atë mëngjes është dashur që ta luaja lojën deri në fund dhe unë, me Visar Rekën, vendosëm që të ktheheshim gjatë ditës sërish në Reçak, aq më parë se informata për masakrën e kishte marrë dheun dhe pritej që edhe shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker, ta vizitojë Reçakun, pak para mesditës.

Dhe, vërtetë, ardhja e Walkerit ia dha atë vulë të fuqishme asaj ngjarjeje tragjike.

Por para se të emitoheshin pamjet e dëshmisë së shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga vendi i krimit, televizionet botërore tashmë e kishin bërë kryelajm masakrën, duke e marrë si bazë xhirimet e mia të atij mëngjesi, ndërkaq që gazetat shfrytëzonin fotografitë e Visarit.

Kur  pas luftës ish kolegu im Hys Shkreli  i cili asokohe jetonte në SHBA, erdhi në Kosovë, më pat thënë se pamjet e masakrës së Reçakut që i transmetoi CNN. ABC, NBC dhe televizionet tjera, kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm në opinion, dhe sipas reagimeve amerikane, kanë qenë dokumenti më i fuqishëm medial i krimeve të Millosheviqit gjatë tërë luftës në Kosovë. Më kot Serbia pastaj përhapte demantet të bazuara në gënjeshtra se kinse maskara ka qenë inskenim, se të masakruarit nuk kanë qenë civilë por ushtarë të vrarë të UÇK-së, si dhe spekulime të tjera, ndër to edhe se e gjithë ngjarja ka qenë një “montazh i Walkerit” etj.

– Nëse deri në rastin e Reçakut opinioni  në Amerikë ka qenë i ndarë 50 me 50 për qind për intervenimin në Kosovë, pas pamjeve të kësaj masakre ai ndryshoi në favor të intervenimit, – më pat thënë Shkreli…

Continue Reading

Aktualitet

ShBA terheq bombarduesit nga baza britanike pas incidentit me dyshime për terrorizëm

Published

on

By

ShBA-ja ka tërhequr të gjithë bombarduesit e saj nga bazë ushtarake britanike RAF Fairford, e cila është në qendër të një hetimi nga policia kundër terrorizmit pas një incidenti të ndodhur aty.

Një deklaratë nga një zyrtar i Pentagonit konfirmoi të dielën se bombarduesit — që besohet të jenë rreth 12 avionë të llojit B-1 — janë kthyer në bazat e tyre amë në Amerikë.

ShBA-ja nuk dha një arsye zyrtare për tërheqjen, por kjo vjen pas një incidenti të rëndësishëm më 27 shtator, kur policia u alarmua për tre “mjete të dyshimta” pranë bazës ajrore.

Pesë burra u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra penale që lidhen me terrorizmin dhe më pas u liruan me kaucion. Një burrë i gjashtë, me shtetësi britaniko-iraniane, u arrestua gjithashtu më vonë dhe u lirua me kaucion.

Burime nga Whitehall nuk e kanë mohuar se vendimi i Uashingtonit erdhi si përgjigje ndaj incidentit në bazën e Gloucestershire. BBC gjithashtu mëson se ky ishte një vendim ushtarak dhe jo politik — i marrë në nivel operacional — dhe i komunikuar nga ushtria amerikane te partnerët britanikë. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka bërë asnjë koment.

Uebsajtet e gjurmimit të fluturimeve treguan se bombarduesit B-1 u larguan nga RAF Fairford të dielën.

Disa ditë pas incidentit, Kryeministri Andy Burnham tha se kishte “indikacione të forte” se Irani kishte dorë në këtë ngjarje, por nuk dha detaje të mëtejshme. Teherani e ka mohuar prerazi çdo përfshirje.

Fillimisht, pesë burra të moshës mes 23 dhe 25 vjeç u arrestuan në orët e para të mëngjesit, pasi u raportua se mjetet e tyre po lëviznin drejt bazës së përdorur nga Forcat Ajrore të ShBA-së (USAF). Të pesë i përkisnin shtetësisë britanike dhe ishin nga Londra.

Ata u arrestuan nën dyshimin për vepra me lëndë plasëse dhe më pas për përgatitje të një akti terrorist, përpara se të liroheshin me kaucion — një vendim që policia e quajti “strategjik dhe të bazuar në përvojë”. Burri i gjashtë, 25 vjeç, u arrestua në Londër të enjten, po ashtu nën dyshimin për përgatitje aktesh terroriste, dhe u liru me kaucion të shtunën.

RAF Fairford është përdorur si bazë operative e përparuar nga USAF për dekada me radhë. Muajt e fundit, ShBA-ja ka kryer fluturime me bombardues B-1 dhe B-52 nga kjo bazë drejt Lindjes së Mesme, pasi Mbretëria e Bashkuar miratoi kërkesën amerikane për ta përdorur atë për sulme mbrojtëse ndaj Iranit.

Në korrik, Irani deklaroi se “çdo bazë e përdorur për agresion kundër territorit iranian përbën një objektive të ligjshëm për forcat tona”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në Fox News se incidenti “përfshin qartë dorën e një aktori të jashtëm”, duke shtuar se kishte kufizime se çfarë mund të deklaronte publikisht.

Presidenti amerikan Donald Trump tha veçmas se ishte “i surprisur” nga lirimi i pesë burrave me kaucion, duke shtuar: “Ne dimë gjithçka për ta, nuk do t’i kishim liruar.”

Shumë nga bombarduesit B-1 të dislokuar në Mbretërinë e Bashkuar ishin të pajisur me bomba precize për depërtimin e bunkerëve dhe objekteve të fortifikuara apo të varrosura, si dhe me raketa ajër-tokë. Çdo mision bombardimi zgjaste rreth 12 deri në 15 orë vajjtje-ardhje, me furnizim me karburant në ajër.

Pentagoni nënvizoi se bombarduesit e tij mbeten të aftë të kryejnë misione “kudo dhe kurdo”, përfshirë përmes fluturimeve që nisën dhe kthehen drejtpërdrejt nga territori i Shteteve të Bashkuara. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Goditet ura e dytë kryesore në Kiev, Klitschko paralajmëron për situatë “dramatike”

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një urë të dytë kryesore në Kiev, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet mbi infrastrukturën kritike në kryeqytetin ukrainas, raporton BBC.

Sulmi të shtunën në mëngjes dëmtoi shtresën e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve në Urën Veriore (Northern Bridge), deklaroi Klitschko, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.

Goditja vjen pasi një tjetër urë kyçe e qytetit, Ura e Jugut, u shënjestrua disa herë nga dronët rusë të enjten dhe të premten. Klitschko më herët paralajmëroi se sulme të tilla po e “shqyejnë Kievin”.

Urat e Veriut dhe të Jugut lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit dhe nuk ishin goditur kurrë më parë para të enjtes, gjë që sinjalizon një fazë të re në strategjinë e Moskës.

Sulmet mbi Urën e Jugut kanë shkaktuar kaos të madh në transport që nga e enjtja, me pezullimin e qarkullimit të metrosë dhe makinave mbi të. Shumë nga banorët e qytetit — i cili numëron rreth tre milionë banorë — mbështeten te metroja për të udhëtuar përmes qytetit.

Në sulmin e së enjtes, një dron rus goditi kabllot e urës Pivdennyi në Kiev.

Duke shkruar në Telegram të shtunën, Klitschko tha: “Goditje në Urën e Veriut. Shërbimet e urgjencës janë rrugës.”

“Qarkullimi në urë nga bregu i majtë në të djathtin për momentin është i bllokuar,” shtoi ai.

Sulmet e mëparshme në Urën e Jugut shtynë këshillin e mbrojtjes të Kievit të mbante një mbledhje krize të premten, pas së cilës Klitschko paralajmëroi se qyteti ndodhet në një “situatë shumë dramatike”, ndërsa Moska po godet “infrastrukturën kritike, logjistikën, strehimin” dhe objekte të tjera kyçe.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po vepron si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës mbi objektet energjetike ruse, me gjithë faktin se ishte vetë Moska ajo që kishte nisur e para sulme të tilla.

Pas sulmit në Urën e Jugut, udhëtarët përshkruan se si pluhuri nga vala e shpërthimit hyri në vagonin e tyre përmes sistemit të ventilimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Putin ka vendosur që “tashmë nuk ka rregulla” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Në një intervistë për Financial Times, ai tha: “Rusët dështuan të na pushtojnë. Kështu që tani po kryejnë sulme masive dhe vrasje masive.”

Ai shtoi: “Ata duan të shkatërrojnë urat tona… qendrat tona të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat, universitetet — gjithçka. Ata duan që njerëzit të ikin nga qytetet e tyre.” /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Piloti hero parandalon tragjedinë në ajër: Detaje nga sulmi dramatik brenda avionit të “FlyDubai”

Published

on

By

Kapiteni indian Smit Machchhar është shndërruar në heroin e ditës pasi parandaloi një katastrofë ajrore me më shumë se 170 pasagjerë në bord, gjatë fluturimit të kompanisë “FlyDubai” nga Dubai drejt Tel Avivit. Ngjarja dramatike ndodhi në ajër kur bashkëpiloti e sulmoi atë me thikë dhe u përpoq të merrte kontrollin për ta rrëzuar me shpejtësi mjetin fluturues.

Pavarësisht plagëve të rënda, kapiteni Machchhar gjeti forcën të reagonte ndërsa avioni po humbiste lartësi me shpejtësi marramendëse. I shtrirë në dyshemenë e kabinës, ai arriti të hapte derën nga brenda, duke u dhënë mundësi pasagjerëve dhe pjesës tjetër të ekuipazhit të ndërhynin me shpejtësi për ta neutralizuar sulmuesin.

Pas marrjes së kontrollit të situatës, dy pilotë rezervë — të cilët po udhëtonin si pasagjerë — morën drejtimin e avionit dhe realizuan një ulje emergjente të sigurt në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite.

Kapiteni, i cili ka një përvojë 17-vjeçare në aviacion, u dërgua menjëhirë në spital dhe aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në Abu Dhabi. Gjatë një video-telefonate me kryeministrin indian Narendra Modi, ai u shpreh se nuk mund të lejonte kurrsesi që pasagjerët të vdisnin. Reagimi i tij është cilësuar si heroik edhe nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa në të gjithë Indinë dhe rrjetet sociale gjakftohtësia e tij po vlerësohet si shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit profesional. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Burnham akuzon Iranin, Trump kundërshton lirimin e të dyshuarve

Published

on

By

Incident i sigurisë pranë bazës ajrore britanike RAF Fairford ka nxitur përplasje diplomatike mes Londrës, Uashingtonit dhe Teheranit. Kryeministri Andy Burnham deklaroi për BBC-në se ekzistojnë “indikacione të fuqishme” se Irani ka gisht në ngjarjen që çoi në arrestimin e pesë personave.

Ngjarja mori një rrjedhë të pazakontë pasi u zbulua se vetë një nga të dyshuarit kishte telefonuar numrin e emergjencës 999 përpara se grupi të prangosej. Megjithatë, të arrestuarit u liruan më pas me kaucion — një vendim që shkaktoi reagime të menjëhershme ndërkombëtare.

Përplasja Uashington – Londër për lirimin e të dyshuarve

Vendimi për lirimin e të arrestuarve u kritikua hapur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

“Do t’ju kisha thënë: ‘Mos i lini të lirë me kaucion’. Jam i surprizuar që i liruan, unë nuk do ta kisha bërë këtë,” u shpreh Trump.

Kryeministri Burnham u përgjigj duke siguruar se të dyshuarit ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë dhe nën kushtet më strikte të mundshme të dorëzanisë:

“Autoritetet e kanë këtë situatë nën kontrollin më të fortë dhe më të rreptë. Lirimi me kaucion nuk do të thotë se ata janë thjesht të lirë siç mund të mendojnë njerëzit.”

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi për Fox News se incidenti “përfshin qartë dorën e një aktori të huaj”, duke nënvizuar se Irani ka kërcënuar hapur interesat amerikane në nivel global.

Reagimi i ashpër i Teheranit

Teherani zyrtar i hodhi poshtë me shpejtësi akuzat. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se udhëheqësit britanikë “po trokasin në derë të gabuar”.

“Mund të konfirmoj besimin e Iranit se lirimi i të ashtuquajturve ‘terroristë që punojnë për shtete të huaja’ thotë vërtet gjithçka për këtë situatë,” shkroi Araghchi në rrjetet sociale.

Pavarësisht reagimit nga Teherani, qeveria britanike bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me shërbimet e inteligjencës amerikane për hetimin e kompleksit ushtarak, i cili mbetet një hetim policor aktiv dhe i nivelit të lartë të sigurisë. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara