Kulturë

Suksesi në jetë qëndron te inteligjenca emotive

Inteligjenca emotive është aftësia për të njohur.

Published

on

Inteligjenca emotive është aftësia për të menaxhuar dhe për të kuptuar emocionet tuaja. Kapërcimi i momenteve të vështira dhe njohja e vetvetes janë vetëm dy prej këshillave që e bëjnë jetën tuaj më cilësore dhe të suksesshme.

Inteligjenca emotive është aftësia për të njohur, për të kuptuar dhe për të kontrolluar ndjenjat tona dhe ato të të tjerëve. Përmes emocioneve, jemi të aftë që të forcojmë edhe intelektin, duke e bërë më të mirë cilësinë dhe rritur vetë suksesin e jetës sonë.

I pari që i ka dhënë një përkufizim është Daniel Goleman, psikologu dhe gazetari shkencor i “New York Times”, i cili në esenë e tij “Emotional Intelligence”, ka deklaruar: “Inteligjenca emotive është aftësia për të kontrolluar ndjenjat dhe emocionet vetjake dhe të të tjerëve, për të bërë dallimin mes tyre dhe për t’i përdorur këto informacione, për të udhëhequr mendimet dhe veprimet vetjake”.

Një studim i kryer nga instituti i teknologjisë “Canergie”, ka demonstruar se, 85 për qind e suksesit ekonomik të një personi varet nga aftësitë emocionale dhe jo nga njohjet e tij akademike. Në këtë mënyrë, koeficienti i inteligjencës kalon në plan të dytë, sepse ai mbetet i pandryshuar për të gjithë jetën.

Ndaj, inteligjenca emotive duhet të konsiderohet si sekreti i suksesit, sepse ajo mund të kultivohet duke na sjellë shumë avantazhe në përditshmërinë tonë. Zbuloni se si mund t’ia dilni:

1. Mos u brengosni

Ankthi demonstron pasiguri. Për të pasur kontroll më të mirë ndaj vetes, duhet të përqendroheni tek emocionet dhe të mësoni që të menaxhoni edhe ato negative. Të njihni dhe të pranoni veten dhe ndjenjat që ju rrethojnë, është një metodë e duhur për të reduktuar deri në minimum situatat e ankthshme.

2. Përmirësoni vetëvlerësimin

Preston Ni, profesori i departamentit të shkencave të komunikimit të kolegjit “Foothill”, ka deklaruar: “Është e vështirë që të ndiheni mirë me veten, kur ju nuk e njihni mjaftueshëm atë. Ndaj, kur ju e rrisni inteligjencën tuaj emotive, kontribuoni edhe te pozitiviteti i vlerësimit të unit tuaj”. Kështu që ju duhet të dini pikat tuaja të forta; cilësitë, por edhe dobësitë, sepse vetëm në këtë mënyrë ju mund të studioni strategjitë për të përmirësuar karakterin tuaj.

3. Menaxhoni emocionet negative

Inteligjenca emotive ju ndihmon që të menaxhoni emocionet tuaja, por në momente të forta stresi dhe presioni, tentoni të mbylleni në vetvete. Zemërimi dhe mbingarkesa emocionale në situata kritike, nuk ju lejojnë të mendoni në mënyrën më të mirë. Ndaj këshilla është që të numëroni deri në dhjetë, përpara se t’i përgjigjeni ose të përballoni një diskutim të rëndësishëm.

4. Ndërtoni marrëdhënie

Lumturia dhe vetëvlerësimi lidhen edhe me raportet sociale, me aftësinë për të pasur marrëdhënie të qëndrueshme dhe të kënaqshme me të tjerët. Komunikimi dhe hapja me të tjerët është një metodë e mirë për të përmirësuar gatishmërinë, dukjen dhe empatinë kundrejt të tjerëve. Pra, duke mësuar njohjen e emocioneve të të tjerëve, ju do të arrini që ta përmirësoni ndjeshëm jetën tuaj.

5. Kapërceni momentet e vështira

Inteligjenca emotive lidhet edhe me aftësinë për të ecur përpara pas një momenti të vështirë. Moslëshimi i vetes dhe përballimi i çdo situate negative, është sekreti për të stimuluar rezistencën tuaj mendore dhe për të mos u ndier asnjëherë të mposhtur. Duhet të jeni të fortë dhe të merrni në konsideratë faktin se, edhe eksperiencat e vështira, mund të jenë konstruktive.

Continue Reading

Vendi

Eliza Dushku nderohet me titullin “Doktor Honoris Causa”

Published

on

Aktorja me origjinë shqiptare Eliza Dushku është nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Lesley University gjatë ceremonisë së diplomimit 2026, për kontributin e saj në art, shëndetin mendor dhe mbështetjen për veteranët.

E njohur për rolet në filmat “Bring It On” dhe “Wrong Turn”, Dushku ka orientuar vitet e fundit angazhimin e saj drejt ndërgjegjësimit për traumën dhe shëndetin mendor, duke mbështetur terapi inovative për trajtimin e PTSD-së.

Ajo është gjithashtu producente ekzekutive e dokumentarit “In Waves and War”, që trajton traumën, luftën dhe procesin e shërimit. Nderimi vlerëson transformimin e saj nga yll i Hollywood-it në një zë të rëndësishëm të aktivizmit social dhe shëndetit mendor.

Continue Reading

Lajmet

Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT sjellin kulturën dhe modernitetin japonez

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Artit dhe Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT do të organizojë një aktivitet të veçantë kulturor dhe akademik në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe Asociacionin e Miqësisë Kosovaro-Japoneze.

Aktiviteti do të mbahet më 26 maj 2026, duke filluar nga ora 11:00, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, dhe do të sjellë diskutime, prezantime dhe ligjërata që ndërlidhin kulturën, artin dhe zhvillimet moderne të Japonisë.

Ngjarja do të hapet me fjalën përshëndetëse të dekanes së Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Prof. Dr. Ariana Gjoni, ndërsa më pas pjesëmarrësit do t’i drejtohen me fjalë rasti Prof. Afërdita Statovci dhe përfaqësuesja e Asociacionit të Miqësisë Kosovaro-Japoneze, znj. Luljeta Arifi.

Pjesë qendrore e aktivitetit do të jetë ligjërata me temën “Japonia në Ditët Moderne”, e cila do të mbahet nga z. Hiroyasu Tanigaki nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, duke ofruar një pasqyrë mbi zhvillimin, kulturën dhe ndikimin modern të Japonisë në botë.

Ky aktivitet synon të forcojë bashkëpunimin kulturor dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe të krijojë hapësira frymëzuese për studentët dhe pjesëmarrësit në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT.

Continue Reading

Vendi

Artistë dhe profesorë nga Evropa bëhen pjesë e webinarit ndërkombëtar të organizuar nga UBT

Published

on

By

“Design, Memory and Identity in Contemporary Culture” – webinar ndërkombëtar që sjell në fokus dialogun mes dizajnit, kujtesës dhe identitetit kulturor.

Më 25 maj 2026, duke filluar nga ora 11:30, do të mbahet online webinari ndërkombëtar me temën “Design, Memory and Identity in Contemporary Culture”, një aktivitet akademik dhe artistik që synon të hapë diskutime të rëndësishme mbi raportin ndërmjet dizajnit, kujtesës kolektive dhe identitetit në kulturën bashkëkohore.

Ky webinar do të bashkojë artistë, dizajnerë, ligjërues dhe profesionistë të njohur ndërkombëtarisht, të cilët përmes perspektivave të ndryshme krijuese dhe akademike do të trajtojnë mënyrën se si dizajni ndikon në formësimin e identiteteve kulturore dhe ruajtjen e kujtesës në shoqërinë moderne.

Në panelin e folësve do të marrin pjesë emra të njohur nga fusha e artit, modës dhe dizajnit:

  • Elisa Poli, një nga profesionistet e njohura në edukimin e dizajnit në Itali;
  • Phlox Van Oppen, e cila njihet për qasjen inovative në tekstil dhe art bashkëkohor;
  • Tiina Burton, me përvojë të gjerë në modën digjitale dhe artin vizual;
  • Dukagjin Muhaxheri, si dhe Dardan Luta, të cilët do të sjellin perspektivën lokale dhe rajonale mbi artin, identitetin dhe kulturën bashkëkohore.

Organizatorja e webinarit, Cennet Lika, ka theksuar rëndësinë e krijimit të hapësirave ndërdisiplinore ku arti, dizajni dhe kultura ndërthuren për të reflektuar mbi sfidat dhe transformimet e kohës moderne.

Përmes diskutimeve dhe prezantimeve të ndryshme, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të eksplorojnë tema që lidhen me kujtesën kulturore, identitetin vizual, modën digjitale, artin bashkëkohor dhe ndikimin e teknologjisë në proceset kreative.

Webinari do të zhvillohet online përmes platformës Microsoft Teams dhe është i hapur për studentë, artistë, profesionistë të dizajnit, studiues dhe të gjithë të interesuarit për kulturën dhe artin bashkëkohor.

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës mbyll me sukses turneun në Amerikën Latine

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka përmbyllur turneun në Amerikën Qendrore dhe Amerikën Latine me një performancë të suksesshme në Bogotá të Kolumbisë.

Sipas njoftimit, mbi 1800 spektatorë në Teatro Municipal Jorge Eliécer Gaitán e përcollën mbrëmjen finale me duartrokitje dhe entuziazëm. Në këtë mbrëmje u prezantua vepra “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloro, e cila krijoi një atmosferë të veçantë në skenën kolumbiane.

Nga institucioni u vlerësua se ky ishte një përmbyllje e suksesshme e turneut, i cili promovoi artin dhe kulturën kosovare në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara