Lajmet

Studiuesit amerikanë thonë se vaksinat e Pfizer dhe Moderna sigurojnë mbrojtje nga Covid-19 për disa vjet

Published

on

Sipas një studimi amerikan, vaksinat e ARN-së ofrojnë mbrojtje afatgjatë.

Studiuesit amerikanë kanë gjetur prova se vaksinat e ARN-së aktivizojnë një përgjigje të qëndrueshme imune të trupit.

Sipas një studimi të botuar në revistën “Nature”, vaksinat e ARN-së si ato të BioNTech/Pfizer dhe ajo e Moderna-s mund të mbrojnë nga SARS CoV-2 për disa vjet.

Sipas studimit, një vaksinim përforcues fillimisht nuk është i nevojshëm. Sigurisht, parakushti është që struktura e koronavirusit të mos ndryshojë thelbësisht si rezultat i mutacioneve.

Studimi ekzaminoi vetëm efektet afatgjata të vaksinave mARN, jo ato të vaksinave të tjera të miratuara siç janë vaksinat vektoriale.

Në studim u vëzhguan vetëm vaksinat e ARN-së, jo vaksina të tjera të aprovuara ose ekzistuese siç janë ato të AstraZeneca-s

Efektet afatgjata të qelizave B

Ekipi hulumtues i drejtuar nga udhëheqësi i studimit Ali Ellebedy nga Universiteti i Uashingtonit në St. Louis të shtetit Misuri të SHBA studioi kryesisht të ashtuquajturën “qendra germinale (e mikrobeve)” që formohet në nyjet limfatike pas një infektimi ose vaksinimi.

Të ashtuquajturat limfocite B ose shkurtimisht qelizat B janë këtu vendimtare. Ato bëjnë pjesë në grupin e e rruazave të bardha të gjakut (leukocitet) dhe vetëm ato mund të prodhojnë qeliza plazmatike që sekretojnë antitrupa. Limfocitet B dhe limfocitet T së bashku formojnë të ashtuquajturin “sistem imunitar adaptiv” -që mund të përshtatet me patogjenë të rinj ose të ndryshuar.

Kur qelizat B aktivizohen nga këta patogjenë, antigjene të huaja për trupin, ato mund të zhvillohen në qeliza plazmatike ose qeliza të kujtesës që prodhojnë antitrupa. Dhe sa më gjatë të qëndrojnë në trup këto limfocite B, aq më mirë mund të përballet sistemi imunitar me variantet e virusit.

Qendra germinale është aktive për një kohë jashtëzakonisht të gjatë

“Studimet tona tregojnë se vaksinimi kundër SARS-CoV-2 i njerëzve i bazuar në mARN shkakton një përgjigje të vazhdueshme të qelizave GC-B që mundëson gjenerimin e imunitetit të fortë humoral,” përmbledh studimi. Pjesa e përgjigjes imune që ndërmjetësohet nga përbërësit joqelizorë të lëngjeve të trupit përkufizohet si “përgjigja imune humorale”.

Një studiues me një kostum mbrojtës në një fabrikë vaksinash BioNTech.

Vaksinat e ARN-së janë të ndërlikuara për t’u prodhuar, por shumë efektive në luftën kundër SARS CoV-2. Studimi tregoi se sa i fortë ishte reagimi imunitar: zakonisht qendrat germinale, të mikrobeve janë veçanërisht aktive 14 ditë pas infektimit ose vaksinimit, por më pas aktiviteti zvogëlohet shpejt. Në të 14 pjesëmarrësit në studim, të cilët ishin vaksinuar me një vaksinë mARN, qendra germinale ishte akoma shumë aktive 15 javë pas dozës së parë të vaksinimit dhe numri i qelizave të kujtesës nuk ishte zvogëluar.

Qelizat imune të përhershme kundër Coronas?

Qysh në shkurt, studiuesit treguan në një studim se ata që ishin shëruar, ende mbanin qeliza imune kundër SARS-CoV-2 në palcën e kockave të tyre, tetë muaj pas infektimit.

Këto dhe studime të tjera sugjerojnë që ata që janë shëruar mund të kenë limfocite B të kujtesës që mbeten në trup për një vit. Kur ata që janë shëruar gjithashtu janë vaksinuar, ata madje mund të formojnë qeliza imune të përhershme kundër SARS-CoV-2.

Një efekt i ngjashëm afatgjatë mund të gjendet gjithashtu tek njerëzit që janë vaksinuar me një vaksinë mARN, sipas studiuesve të udhëhequr nga imunologu Ellebedy nga Universiteti i Uashingtonit.

Nëse SARS-CoV-2 nuk ndryshon rrënjësisht në strukturë dhe përbërje me kalimin e kohës për shkak të mutacioneve, do të kishin nevojë për një përforcim në formë të një vaksinimi vetëm njerëzit me një sistem të dobët imunitar, siç janë të moshuarit ose pacientët që duhet të frenojnë sistemin e tyre imunitar me medikamente.

Vendi

Baleti Kombëtar i Kosovës hap Festivalin e Baletit Klasik dhe Modern në Shkup me “Carmina Burana”

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës do të jetë pjesë e Festivalit të Baletit Klasik dhe Modern në Shkup, ku është ftuar të hapë edicionin e sivjetmë me shfaqjen “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloros.

Shfaqja do të mbahet më 6 qershor 2026, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar në Shkup, duke shënuar një tjetër prezantim ndërkombëtar të trupës së baletit kosovar.

Nga Baleti Kombëtar i Kosovës kanë bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë festival përbën një nder të veçantë dhe një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në shkëmbimin kulturor dhe artistik në rajon. Sipas tyre, ky aktivitet shërben gjithashtu për të frymëzuar gjeneratat e reja të baletit dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet artistëve.

Në njoftim thuhet se programi i festivalit i kushton vëmendje të veçantë edhe promovimit të artistëve të rinj, duke u ofruar atyre mundësinë të ndajnë përvojat skenike me publikun dhe profesionistët e fushës.

Pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në këtë festival vjen si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për promovimin e artit skenik dhe prezantimin e vlerave artistike të vendit në skenat rajonale dhe ndërkombëtare.

Continue Reading

Vendi

Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

By

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar katër raste të dhunës në familje, sipas raportit të Policisë.

Rasti i parë është shënuar në Podujevë, ku është intervistuar një grua nën dyshimin se, pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, ata janë përleshur mes vete.

Sipas raportit, lidhur me këtë rast, me urdhër të prokurorit të rastit kanë nisur hetimet.

Ndërkaq, në Pejë raportohet se një grua është sulmuar nga një e dyshuar, po ashtu grua.

Edhe për këtë rast, Policia ka nisur hetimet.

Në rastin e tretë, në Gjakovë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec, një grua ka pranuar trajtim mjekësor pasi dyshohet se është sulmuar nga një burrë.

Palët janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Aktualitet

REL: Firma investuese zotohet se do t’i respektojë proceset publike pas protestave ndaj projektit në Zvërnec

Published

on

By

Kompania e lidhur me investimet e parapara të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, në Shqipëri, tha për Radion Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

Kjo përgjigje erdhi pasi REL-i iu drejtua kompanisë së lidhur me Kushnerin, Affinity Partners, pas protestave tashmë disaditore në Shqipëri kundër një projekti turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

“Jemi të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet më të mëdha private në historinë e rajonit”, shtoi ai.

Protestat në Zvërnec kundër punimeve për një projekt turistik në zonën Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë nisën javën e kaluar. Kjo zonë është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Protestat vazhduan edhe të martën në kryeqytetin Tiranë, me thirrje për anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarë të shumtë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë në Tiranë më 2 qershor, për të protestuar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, në jugprëndim të Shqipërisë.

Banorë të zonës, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis, pronësinë e tokës dhe transparencën e investimit.

Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online.

Por, kryeministri Rama e ka mbrojtur projektin dhe ka thënë se ai nuk do të ndalet për sa kohë është kryeministër.

Rama tha po ashtu se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka bllokuar një transaksion prone të lidhur me projektin. SPAK-u nuk e ka konfirmuar publikisht bllokimin e ndonjë transaksioni.

SPAK-u më 1 qershor konfirmoi se ka nisur një hetim lidhur me Zvërnecin, por nuk dha hollësi se çfarë po hetohet saktësisht.

Projekti ka marrë vëmendje edhe për shkak të deklarimeve të mëhershme të Kushnerit. Në mars të vitit 2024, ai tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Kompania e Kushnerit mori statusin e investitorit strategjik në dhjetor të vitit 2024 për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Rama.

Sa i përket Zvërnecit, Rama tha të martën se Kushner “nuk ka bërë kërkesë për të qenë investitor strategjik”. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Objekti Kujtesë” sjell interpretimet kreative të studentëve të vitit të parë të Artit dhe Dizajnit në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, studentët e vitit të parë të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit prezantuan ekspozitën “Objekti Kujtesë”, të realizuar në kuadër të lëndës Skulpturë (Semestri II), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita paraqiti një seri punimesh që eksplorojnë marrëdhënien ndërmjet objektit, kujtesës dhe përditshmërisë, duke transformuar objekte të zakonshme në forma skulpturore me vlera estetike dhe konceptuale.

Përmes përdorimit të materialeve të gjetura, objekteve të përdorimit të përditshëm dhe materialeve të ricikluara, studentët krijuan vepra që tejkalojnë funksionin fillestar të objektit, duke i dhënë atij kuptime të reja dhe dimensione artistike. Çdo punim shpalosi histori, kujtime dhe reflektime personale e kolektive, duke dëshmuar potencialin krijues dhe aftësinë e studentëve për të zhvilluar gjuhë bashkëkohore artistike.

Ekspozita “Objekti Kujtesë” ofroi një hapësirë dialogu mes artit, kujtesës dhe materialitetit, duke nxitur publikun të reflektojë mbi mënyrën se si objektet e përditshme mund të bartin histori, emocione dhe identitete.

Continue Reading

Të kërkuara