Lajmet nga UBT

Studio master në Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT

Studentët e UBT-së përfitojnë kompetenca të avancuara në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës.

Published

on

UBT ofron programin Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në nivelin master të studimeve, program ky që ka nxjerrë shumë ekspertë dhe profesionistë të fushës së ndërtimit dhe infrastrukturës.

Përmes këtij programi, studentët e UBT-së përfitojnë kompetenca të avancuara në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës, me gërshetimin e teknologjisë së ndërtimit që ka siguruar UBT enkas për studentët, si dhe laboratoret e materialeve që iu shërbejnë studentëve në hulumtimet e tyre përgjatë studimeve.

Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT është një nga fakultetet më të mëdha në shkallë vendi dhe më gjerë, dhe është i pozicionuar në rangun e fakulteteve homologe rajonale dhe evropiane.

Bazuar në standardet më të njohura ndërkombëtare, ky program studimi studentëve u ofron cilësi dhe lidership përmes profesionistëve më të mirë të ndërtimtarisë që ka Kosova e që janë në UBT.

lajme

UBT zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar përmes programit Erasmus+ me Universitetin e Zadarit në Kroaci

Published

on

By

Në kuadër të programit Erasmus+ dhe angazhimit të vazhdueshëm për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, përfaqësuese të UBT-së, Prof. Assoc. Dr. Alma Lama, dekane e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Prof. Ass. Dr. Denis Celcima, dekane e Fakultetit të Psikologjisë, si dhe udhëheqësja e departamenteve të Dizajnit dhe Modës, Prof. Afërdita Statovci, realizuan një vizitë zyrtare në Universitetin e Zadarit në Kroaci, një nga institucionet akademike më të vjetra në Evropë, i cili këtë vit shënon 600-vjetorin e themelimit.

Gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e universitetit, u prezantuan historiku, zhvillimi dhe arritjet e të dy institucioneve.

Delegacioni i UBT-së prezantoi rrugëtimin e institucionit që nga themelimi, programet akademike, fakultetet, procesin e ndërkombëtarizimit, partneritetet strategjike, si dhe pozicionimin e UBT-së në rangimet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Universiteti i Zadarit prezantoi traditën e tij të pasur akademike, programet studimore dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Diskutimet u fokusuan në mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet fakulteteve, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike.

Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive dhe konstruktive. Përfaqësuesit e Universitetit të Zadarit shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me UBT-në, duke rekomanduar identifikimin e iniciativave konkrete, projekteve të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit që do t’i japin përmbajtje dhe qëndrueshmëri partneritetit të ardhshëm institucional.

Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike ndërkombëtare dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin e UBT-së në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira akademike. 

Continue Reading

Vendi

Rektori Hajrizi në Universitetin e Oksfordit: Prezanton modelin e UBT-së për të ardhmen e arsimit të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, UBT Smart City dhe Aleancën Globale me Coursera

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar të marrë pjesë në Samitin Ndërkombëtar për të Ardhmen e Arsimit, të organizuar nga Coursera në ambientet e Saïd Business School, University of Oxford, ku u mblodhën liderë të arsimit, ekspertë të teknologjisë, drejtues universitetesh dhe partnerë globalë për të diskutuar transformimin e arsimit në epokën e Inteligjencës Artificiale (Coursera Summit 2026: The Future of Higher Education).

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë forum prestigjioz përfaqëson një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për institucionin, i cili gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga modelet më inovative të arsimit të lartë në botë.

UBT ishte ndër institucionet e ftuara për të ndarë përvojat dhe praktikat e saj si një shembull konkret i integrimit të teknologjisë, inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale në proceset akademike dhe në përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.

Tema qendrore e forumit ishte roli i Inteligjencës Artificiale në të ardhmen e arsimit dhe mënyra se si universitetet duhet të përshtaten me transformimet e shpejta teknologjike. Në këtë kontekst, UBT u prezantua si një nga partnerët strategjikë të Coursera-s dhe si një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërmjet arsimit, industrisë dhe teknologjisë.

Gjatë punëtorive të organizuara në kuadër të forumit, rektori Hajrizi prezantoi ekosistemin inovativ të UBT-së, duke shpalosur mënyrën se si Inteligjenca Artificiale është integruar në mësimdhënie, kërkim shkencor, inovacion, zhvillim profesional dhe ndërveprim me industrinë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me qasjen unike të UBT-së, e cila kombinon arsimin akademik me teknologjitë më të avancuara dhe me nevojat reale të tregut të punës.

Një nga temat që tërhoqi interes të veçantë ishte partneriteti strategjik ndërmjet UBT-së dhe Coursera-s, përmes të cilit studentëve të UBT-së u ofrohet qasje në mbi 14,000 kurse, programe trajnimi, certifikime profesionale dhe micro-credentials nga universitetet dhe kompanitë më prestigjioze në botë.

Ky bashkëpunim u mundëson studentëve që, përveç diplomës universitare, të fitojnë edhe certifikime të njohura ndërkombëtarisht, duke zhvilluar kompetenca të reja profesionale dhe duke rritur mundësitë e tyre për punësim në tregun lokal dhe global.

Në prezantimin e tij, rektori Hajrizi theksoi se universitetet e së ardhmes duhet të shkojnë përtej modelit tradicional të edukimit dhe të krijojnë mundësi të vazhdueshme për zhvillimin e aftësive, rikualifikimin dhe certifikimin profesional të studentëve.

Ai nënvizoi se UBT tashmë ka ndërtuar një model që lidh arsimin, teknologjinë, inovacionin dhe industrinë në një ekosistem të vetëm UBT Smart City, të mbështetur fuqishëm edhe nga Inteligjenca Artificiale.

Përveç prezantimeve dhe diskutimeve tematike, forumi shërbeu edhe si një platformë e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të UBT-së.

Gjatë takimeve të zhvilluara me drejtues universitetesh dhe institucione akademike nga vende të ndryshme të botës, rektori Hajrizi krijoi ura të reja bashkëpunimi, të cilat pritet të konkretizohen në projekte të përbashkëta kërkimore, programe akademike, shkëmbime studentore dhe iniciativa inovative në fushën e arsimit dhe teknologjisë.

Ftesa e UBT-së në një forum të këtij niveli nuk është e rastësishme. Ajo vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucionit në transformimin digjital të arsimit, investimeve në teknologji, zhvillimit të modeleve inovative të mësimdhënies dhe krijimit të partneriteteve strategjike me organizata dhe institucione lidere në botë.

Këto arritje kanë bërë që UBT të konsiderohet një nga institucionet më dinamike dhe më të orientuara drejt së ardhmes në Evropën Juglindore, duke u renditur ndër universitetet më inovative në botë.

Kompetencat, shkalla e lartë e punësimit dhe karriera e suksesshme e studentëve dhe alumnëve të UBT-së tashmë njihen në mbarë botën. Për këtë arsye, UBT është vlerësuar dhe renditur lart për reputacionin e saj akademik dhe profesional.

Për Kosovën, prezantimi i UBT-së në Universitetin e Oksfordit përfaqëson një dëshmi të qartë se një institucion nga Kosova tashmë është pjesë aktive e diskutimeve dhe zhvillimeve globale për të ardhmen e arsimit dhe teknologjisë.

Ai konfirmon se modelet inovative të zhvilluara në UBT, në Kosovë, po tërheqin vëmendjen e universiteteve, organizatave dhe platformave më prestigjioze ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në këtë forum riafirmon pozicionin e UBT-së si lider në transformimin e arsimit përmes teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, duke vazhduar të krijojë mundësi të reja për studentët, akademikët dhe shoqërinë në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së sjellin shfaqjen muzikale “DREAM” në kuadër të Javës së Dizajnit

Published

on

Studentët e Fakultetit të Muzikës Moderne në UBT kanë prezantuar me sukses shfaqjen muzikale “DREAM”, e cila u realizua në kuadër të aktiviteteve të Javës së Dizajnit në këtë institucion.

Performanca artistike u zhvillua si pjesë e lëndës “Performance në Skenë” dhe u interpretua nga studentët e grupit të Vokalit të vitit të parë dhe të dytë, nën mentorimin dhe udhëheqjen e profesoreshës Fatlume Bunjaku.

Shfaqja solli para publikut një program të pasur muzikor dhe artistik, ku studentët patën mundësinë të shfaqin talentin e tyre, kreativitetin dhe aftësitë skenike të fituara gjatë procesit të studimeve. Përmes interpretimit live, ata demonstruan jo vetëm përgatitjen akademike, por edhe zhvillimin e tyre artistik në skenë.

Në këtë aktivitet morën pjesë studentë, profesorë dhe dashamirës të artit, të cilët patën mundësi të ndjekin një performancë që ndërthurte muzikën, interpretimin vokal dhe shprehjen artistike, duke krijuar një atmosferë të veçantë kulturore në kuadër të Javës së Dizajnit.

Shfaqja “DREAM” shërbeu gjithashtu si një projekt përmbyllës për studentët e përfshirë, duke shënuar finalizimin e një etape të rëndësishme të vitit akademik dhe duke u ofruar atyre eksperiencën e drejtpërdrejtë të performancës para publikut.

Përmes këtij aktiviteti, studentët patën mundësinë të përjetojnë nga afër dinamikën e skenës profesionale, duke forcuar aftësitë e tyre artistike dhe vetëbesimin në interpretim.

UBT, përmes aktiviteteve të tilla, vazhdon të promovojë zhvillimin kreativ dhe profesional të studentëve, duke krijuar hapësira ku ata mund të shfaqin potencialin e tyre në fusha të ndryshme artistike dhe kulturore.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Koncert Koral në Kuadër të Javës së Artit dhe Dizajnit dhe 25-Vjetorit të UBT-së

Published

on

By

Në kuadër të Javës së Artit dhe Dizajnit dhe shënimit të 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, u mbajt një koncert koral i veçantë, i cili solli para publikut fuqinë e muzikës, artit dhe bashkëpunimit artistik.

Të pranishmit patën kënaqësinë të shijojnë performancën e Korit të Fakultetit të Muzikës së UBT-së, nën dirigjimin e profesoreshës dhe dirigjentes së nderuar, Lindita Isufi. Me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, kori prezantoi një program të pasur artistik, rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe dashurisë së studentëve për muzikën.

Pjesa e parë e koncertit iu kushtua krijimtarisë shqiptare, duke sjellë interpretime të veprave:

  • Dashnor tu bana – Shime Deshpali
  • Ishin dy kunata – Rafet Rudi
  • Po vijnë krushqit – Tish Daija
  • Unë biri yt Kosovë – Feim Ibrahimi

Përmes këtyre veprave u pasqyruan tradita, kultura dhe identiteti ynë muzikor, duke përcjellë emocione të veçanta te publiku.

Në pjesën e dytë, kori solli disa nga këngët më të njohura të repertorit ndërkombëtar:

  • Creep – nga Radiohead
  • Mamma Mia – nga ABBA
  • Siyahamba
  • Shkon djali termale – Çesk Zadeja

Koncerti dëshmoi edhe një herë rëndësinë e artit dhe muzikës si ura komunikimi ndërmjet kulturave, duke bashkuar zërat, emocionet dhe shpirtin krijues në një harmoni të vetme.

Në përfundim, Kori i Fakultetit të Muzikës së UBT-së falënderoi publikun për praninë, mbështetjen dhe duartrokitjet e ngrohta, duke e bërë këtë mbrëmje artistike një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Continue Reading

Të kërkuara