Ka filluar me shumë gjallëri edicioni i dytë i Javës së Artit dhe Dizajnit në UBT, një ngjarje tashmë tradicionale që i kushtohet krijimtarisë, mendimit kritik dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor në fushën e artit vizual, dizajnit dhe mediave digjitale.

Studentët e departamenteve përkatëse kanë mundësi të prezantojnë publikisht punimet e tyre – nga instalacionet bashkëkohore deri te dizajnet grafike dhe projektet multimediale – në një ekspozitë e cila do të zgjasë deri më 5 qershor 2025 në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan.

Në kuadër të aktiviteteve të kësaj jave, u mbajt edhe një diskutim i veçantë mbi kritikën e artit, me pjesëmarrjen e Shkëlzen Maliqit, njohës i thellë i filozofisë së artit dhe kritikës kulturore, Dardan Lutës, profesor dhe artist vizual, Burim Berishës, artist dhe ligjërues, si dhe Ariana Gjonit, Dekane e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit në UBT.


Diskutimi solli perspektiva të ndryshme mbi rolin dhe ndikimin e kritikës në zhvillimin e artit në Kosovë dhe më gjerë, duke theksuar nevojën për diskurs publik të strukturuar rreth artit, qoftë në media, akademi apo hapësira kulturore. Panelistët ndanë përvojat e tyre mbi zhvillimin e kritikës artistike në kontekstin lokal dhe global, si dhe rëndësinë që ajo ka në formësimin e vlerësimeve, skenës artistike dhe edukimit estetik të publikut.
Në hapje të aktivitetit, Dekania Ariana Gjoni theksoi rëndësinë që kjo javë ka për studentët: “Java e Artit dhe Dizajnit në UBT është një platformë unike që bashkon studentë, profesorë dhe profesionistë kreativë për të prezantuar punën e tyre dhe për të ndarë ide të reja. Ky edicion i dytë shënon përkushtimin tonë për të ndërtuar një komunitet krijues, inovativ dhe ndërdisiplinor që promovon artin dhe dizajnin si forcë ndryshimi në shoqëri”.

Ndërsa profesori Dardan Luta, në fjalën e tij, shtoi: “Ka fryma të ndryshme që mund t’i shohin të gjithë ata që na vizitojnë. Kampusi është kthyer në një vend ku ekspozohen fusha të ndryshme multimediale dhe artistike. Ekspozita zgjat deri të enjten dhe i ftoj të gjithë të mos e humbin këtë përvojë”.
Ekspozita e hapur gjatë gjithë javës ofron një pasqyrë të punëve më të mira të studentëve – që përfshijnë piktura, skulptura, instalacione, projekte digjitale dhe dizajn grafik – dhe është një dëshmi e standardeve gjithnjë në rritje që po kultivohen në këtë fakultet.
UBT, përmes aktiviteteve si Java e Artit dhe Dizajnit, edhe njëherë dëshmon përkushtimin e tij të palëkundur për të krijuar hapësira të reja për dialog, krijimtari dhe përfshirje, duke ndërtuar ura të forta mes studentëve, profesionistëve dhe komunitetit më të gjerë artistik. /A.Zeneli/UBT News/
