Lajmet

Studentët e PMF: Policia në Novi Sad përdori gazin e rrezikshëm CN në kampusin e universitetit

Published

on

Studentët e Fakultetit të Shkencave (PMF) në Novi Sad njoftuan se një analizë e pavarur laboratorike tregoi se më 5 shtator, policia përdori gazin e rrezikshëm CN në kampusin e universitetit atje kundër studentëve, profesorëve dhe qytetarëve, prandaj ata po kërkojnë një hetim kundër atyre që janë përgjegjës për përdorimin e atij agjenti.

Studentët në bllokadën e PMF-së njoftuan në rrjetet sociale se rezultatet e analizave laboratorike konfirmuan se policia përdori gazra CS (2-klorobenziliden malononitril) dhe CN (kloroacetofenon).

Ata deklaruan se gazi CN mund të jetë i rrezikshëm për sytë, të shkaktojë dëmtime në kornea dhe gjithashtu në mushkëri sepse është më toksik, prandaj është hequr nga përdorimi në pothuajse të gjitha vendet. U sintetizua për herë të parë në vitin 1871 në Gjermani, Japonia e përdori atë kundër kinezëve gjatë pushtimit të Tajvanit në vitin 1930 dhe më pas, për shkak të toksicitetit të tij të lartë, u zëvendësua nga gazi CS, shkruan N1.

“Për shkak të toksicitetit të lartë dhe pasojave serioze shëndetësore, gazi CN u zëvendësua plotësisht nga gazi CS në vitet 1970, i cili u bë një mjet standard i kontrollit masiv në praktikën policore dhe ushtri. Mesazhi ynë është i qartë: përdorimi i gazit CN nuk është një mjet kontrolli, por helmim i qytetarëve të vet”, thuhet në deklaratë.

Prandaj, studentët kërkojnë një hetim dhe përgjegjësi penale të atyre që lejuan përdorimin e një gazi kaq të rrezikshëm, dhe u rekomanduan qytetarëve dhe oficerëve të policisë të përdorin maska me filtra, sepse vetëm ato ofrojnë mbrojtje kundër gazrave CN dhe CS.

“Ne u themi anëtarëve të MUP-it dhe të gjitha autoriteteve përkatëse se jemi gati të dorëzojmë një pjesë të mostrave tona të mbledhura për analiza shtesë. Ne nuk kemi frikë nga e vërteta dhe qëndrojmë pas rezultateve tona. A do të tregoni më në fund guxim dhe transparencë apo do të vazhdoni të fshihni atë që publiku ka të drejtë të dijë?”, pyetën studentët në njoftim.

Studentët dyshuan se diçka e pazakontë po ndodhte pasi panë anëtarë të policisë, pas protestës dhe përdorimit të forcës më 5 shtator, duke përdorur fenerë për të mbledhur bombola të shkrepura me agjentë kimikë, thanë studentët e PMF-së.

Ata shtuan se për shkak të kësaj, u vendos që të mblidhen të gjitha provat e disponueshme në mënyrë të organizuar, përfshirë bombolat e gjetura të agjentëve kimikë të hedhur, në mënyrë që t’i nënshtrohen një analize të pavarur dhe në këtë mënyrë të sqarohet nëse është përdorur gaz lotsjellës i zakonshëm apo mjete të tjera me qëllime të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme.

U mblodhën disa dhjetëra bombola pa shenja, disa bombola tregojnë qartë gjurmë të heqjes së shenjave, specifikuan ata në njoftim.

Ata shtuan se të gjitha analizat u kryen duke përdorur të njëjtën metodë të përdorur në të gjitha laboratorët e akredituar në të gjithë botën, duke përdorur kromatografinë e gazit me spektrometri masive (GC-MS).

Gjatë protestës në mbrëmjen e 5 shtatorit, policia ndërhyri brutalisht kundër demonstruesve në kampusin e universitetit në Novi Sad, dhe përveç demonstruesve, disa policë u panë gjithashtu duke vjellë pas gazit lotsjellës. /S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., M.B., E.Sh., A.E., dhe B.N., dhe Z.T., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit në cilësi të personave zyrtarë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar mire se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, me datë 14.07.2019, në Suharekë, të pandehurit B.K., M.B., E.Sh., A.E., dhe B.N., dhe Z.T., në cilësinë e personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të mundësojnë përfitim të dobie për tjetrin dhe shkaktojnë dëm buxhetit, në atë mënyrë i pandehuri B.K., menaxher i kontratës së nënshkruar ndërmjet Komunës së Suharekës dhe operatorit ekonomik “G.” Sh.P.K lidhur me asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ngucat, ka marrë pjesë në përpilimin e raportit, në të cilin janë paraqitur të dhëna të pasakta lidhur me përshkrimin urës metalike. I pandehuri M.B., zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën ku ishte paraparë ndërtimi i urës metalike, për të cilën ishte realizuar pagesa, edhe pse një urë e tillë nuk ishte ndërtuar. I pandehuri E.Sh., drejtor i shërbimeve publike dhe përfaqësues i njësisë së kërkesës, nuk i ka kryer detyrimet e tij lidhur me përgatitjen e detyrës projektuese, specifikimeve teknike si dhe para masës dhe para llogarisë, duke lejuar nënshkrimin e kontratës me mospërputhje ndërmjet dokumenteve projektuese. I pandehuri A.E., në cilësi të hartuesit të projektit, ka përgatitur para masën dhe para llogarinë projektuese në mënyrë të pasaktë, ku ka qenë i paraparë ndërtimi i urës metalike ndërsa nuk ishte i paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa në projekt ishte e kundërta, ishte paraparë ndërtimi i murit mbrojtës, ndërsa nuk ishte paraparë fare ndërtimi i urës metalike. Ndërsa, i pandehuri B.N., monitorues i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe i pandehuri Z.T., mbikëqyrës i përzgjedhur përmes tenderit, kanë nënshkruar raportin dhe kanë përgatitur certifikatën e pagesës, edhe pse ura metalike e paraparë nuk ishte ndërtuar.

Sipas komunikatës, të pandehurit e lartcekur, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën 24,308.00 €, dhe me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e përfaqësuesit të grupit të operatorit ekonomik të lartcekur, ka vepruar në kundërshtim me procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, ka paraqitur raportin në të cilin kishte deklaruar si të kryera punimet për ndërtimin e urës metalike, në vlerë prej 24,308.00 €, edhe pse ura metalike nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dhe ndaj personave zyrtar të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./KP

Continue Reading

Lajmet

Rasti i 53 milionë eurove, Lekaj dhe të tjerët në gjykatë

Published

on

By

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca e radhës e rigjykimit në rastin e njohur si “53-milionëshi” ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sot do të jap dëshminë e tij si dëshmitar Lutfi Zharku.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burgim (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit,

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”./EO

Continue Reading

Lajmet

Zyra e presidentës sqaron deklaratën e Osmanit: Është menduar për rastet dhe jo për numrin e bandave

Published

on

By


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Politico në Berlin ka folur për shumë çështje, në mesin e tyre edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Osmani gjatë intervistës tha se Kosova ka çmontuar mbi 900 banda kriminale, teksa zyra e presidentës përmes një reagimi sqaroi se në fakt ishte fjala për raste dhe jo për banda kriminale.

Në fakt, është menduar për raste e jo për numër bandash.Siç e dini, disa banda serbe të veriut kanë qenë të involvuara në qindra raste të veprave penale.Në asnjë moment Presidentja nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por si vend të rendit e ligjit dhe si vend ku respektohen në vazhdimësi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit“, thuhet në komunikatën nga zyra e presidentës.

Osmani ka thënë se pret mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën edhe në të ardhmen, duke përmendur aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Nëse Gjermania merre një rol udhëheqës, unë mendoj se mund të ndodhë sikurse ka ndodhur në çdo proces të mirë që ka nisur deri më tani”, ka thënë Osmani./KP

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria hap të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian

Published

on

By

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë sot në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare.

Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore), shkruan ATSH.

Ky është grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hap me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Konferenca e 1-rë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Kjo Konferencë vjen pas një vendimi të Këshillit të ministrave të çështjeve Evropiane më 25 mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit, i cili u miratua nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars 2020, si dhe miratimit nga Këshilli më 18 korrik 2022 të Kornizës Negociuese për negociatat me Shqipërinë, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.

Konferenca e 2-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin 1: Themeloret, duke përfshirë fushat dhe kapitujt negociues: Funksionimi i institucioneve demokratike; Reforma e administratës publike; Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria.

Kriteret ekonomike: Kapitulli 5 – Prokurimi publik; Kapitulli 18 – Statistikat; Kapitulli 32 – Kontrolli financiar.

Konferenca e 3-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin VI: Marrëdhëniet e Jashtme, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e Jashtme; Kapitulli 31 – Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes.

Konferenca e 4-t Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt Ndërqeveritare. Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin II: Tregu i brendshëm, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve, Kapitulli 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare, Kapitulli 7 – E drejta e pronësisë intelektuale, Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës, Kapitulli 9 – Shërbimet financiare, Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.

Konferenca e 5-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 22 maj 2025 u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin III: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor.

Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 16 shtator 2025 u mbajt Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që iu kushtua grup-kapitullit IV: Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.

Kapitujt përfshinin: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27), të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit./KP

Continue Reading

Të kërkuara