Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për ndërlidhjen e teorisë me praktikën dhe avancimin e përvojës profesionale të studentëve, studentët e vitit të dytë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT realizuan një vizitë studimore në korporatën SPEEEX, në kuadër të lëndës Hyrje në Burime Njerëzore, të udhëhequr nga prof. Kujtim Zylfijaj.
Kjo vizitë kishte për qëllim t’u ofrojë studentëve mundësinë për të parë nga afër funksionimin e proceseve moderne të menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe aplikimin praktik të njohurive të fituara gjatë studimeve. Përmes aktiviteteve të tilla, Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi vazhdon të dëshmojë përkushtimin ndaj një qasjeje bashkëkohore të mësimdhënies, e cila i përgatit studentët për tregun dinamik të punës dhe sfidat reale të biznesit.
Gjatë vizitës, studentët u pritën nga përfaqësues të Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Departamentit të Edukimit të korporatës SPEEEX, të cilët prezantuan praktikat më të avancuara të menaxhimit të kapitalit njerëzor në një kompani moderne. Prezantimet përfshinë tema të rëndësishme si përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) në proceset e punës, rekrutimi dhe përzgjedhja e stafit, menaxhimi i performancës dhe shpërblimeve, zhvillimi profesional i punonjësve, motivimi në vendin e punës si dhe ndërtimi i kulturës organizative.
Studentët patën rastin të diskutojnë drejtpërdrejt me profesionistë të fushës, të shtrojnë pyetje dhe të kuptojnë më mirë sfidat dhe praktikat reale të menaxhimit të Burimeve Njerëzore në sektorin privat. Një interes të veçantë zgjuan praktikat inovative që kompania aplikon në zhvillimin dhe mbështetjen e stafit, si dhe integrimi i teknologjive moderne në proceset organizative.
Vizita studimore u karakterizua nga një organizim dhe mikpritje profesionale nga korporata SPEEEX, duke krijuar një ambient inspirues për bashkëbisedim, shkëmbim përvojash dhe orientim profesional për studentët. Pjesëmarrësit vlerësuan lartë përmbajtjen praktike të prezantimeve dhe mundësinë për të parë nga afër standardet profesionale të një korporate të suksesshme.
Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi është i përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të tilla akademike dhe profesionale, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e kompetencave praktike të studentëve dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe industrisë. Vizitat studimore, trajnimet profesionale dhe bashkëpunimet me kompani vendore dhe ndërkombëtare janë pjesë e rëndësishme e misionit të fakultetit për të përgatitur kuadro të gatshme për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.