Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se si institucion nuk kanë marrë asnjë njoftim nga përfaqësuesit e trajnerit Franco Foda apo ndonjë palë tjetër për largim të mundshëm.
Të mërkurën, mediat arabe kanë raportuar se Al-Wahda ka nisur bisedimet me Fodan për ta punësuar si trajner.
Në një postim në Facebook, Ademi ka thënë se pret nga Foda t’i përmbushë obligimet kontraktuale që ka me Kosovën.
“Pas raportimeve se përzgjedhësi Franco Foda është pranë largimit nga posti i tij në Kombëtaren tonë, dëshiroj të informoj opinionin publik se as unë, si President, dhe as FFK-ja si institucion, nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e përzgjedhësit Foda apo nga ndonjë palë tjetër. Foda aktualisht ka obligime kontraktuale me ne dhe presim që ato obligime të përmbushen, veçanërisht tani, në këtë fazë të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror, drejt së cilës shkojmë me optimizëm dhe dëshirë të madhe për sukses”, ka shkruar Ademi.
Al-Wahda, ekip me bazë në Abu-Dhabi, është prej ekipeve më të suksesshme në Emiratet e Bashkuara Arabe.
59-vjeçari Foda erdhi te Kosova në shkurt të vitit 2024 dhe ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesja dardane ka shënuar rezultate pozitive që nga ardhja e gjermanit.