Lajmet

Stefan Lehne: Nuk jam optimist për planin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Ai tha se palët e paraqesin atë plan si “imponim prej jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij.

Published

on

Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, nuk beson se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’iu jepte fund mosmarrëveshjeve mes tyre.

Palët e paraqesin atë plan si “imponim prej jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij, thotë Lehne në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Për më tepër, shton ai, plani nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe kjo do t’i shkurajojë edhe vendet e tjera që nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte”, shton Lehne, tani analist në Institutin Carnegie Europe.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai thotë se ky asociacion “nuk do të sillte mrekulli” në raportet Kosovë-Serbi, por do ta zhbllokonte procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Lehne – dikur në pozitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për çështjen e statusit të Kosovës – si do ta përshkruanit Kosovën sot, 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë?

Stefan Lehne: Mendoj se Kosova ka bërë shumë përparim në shumë aspekte, por ka edhe shumë të meta. Nuk është vend i rregulluar. Dhe, disa nga gjërat që dëshiron t’i bëjë, janë ende të bllokuara nga çështja e statusit ende të pazgjidhur plotësisht.

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë konkretisht e keni fjalën?

Stefan Lehne: Më konkretisht për perspektivën evropiane. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar. Ka Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit [me BE-në], që ka qenë një fillim i mirë. Do të ketë liberalizim të vizave, që është një përparim i madh, edhe pse shumë i vonuar.

Por, përparimi drejt anëtarësimit në BE, drejt negociatave të zgjerimit, mbetet jashtëzakonisht i vështirë, sepse pesë vende të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. E, që Kosova të lëvizë përpara në këtë proces, duhet dakordimi i të 27 vendeve anëtare.

Radio Evropa e Lirë: Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë mbeten po ashtu të larta, me gjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre qysh nga viti 2011. Tani po bëhet një tjetër përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje – përmes të ashtuquajturit plan të BE-së. Si e shini ju këtë plan?

Stefan Lehne: Siç e dini, ai ndjek pak modelin e dy Gjermanive të fillimit të viteve ’70. Është një ide që nuk është krejtësisht e re. Mendoj se [Wolfgang] Ischinger [ish i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës] ka folur për të në vitin 2007. Por, përpjekjet e tanishme duket se kanë gjetur tërheqje më të madhe, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq është shprehur i hapur në këtë drejtim. Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti e ka pranuar, po ashtu, si bazë për negociata. Por, mendoj se shumë çështje mbeten të hapura. Vuçiq mendon se Asociacioni i komunave [me shumicë serbe në Kosovë] duhet të themelohet përpara angazhimit në këtë proces, ndërsa Kurti i sheh ndryshe prioritetet. Mendoj se ka ende shumë gjëra që duhen zgjidhur.

Por, ajo që është pozitive, është se të dyja palët duket se janë të gatshme të angazhohen në këtë proces në një mënyrë serioze.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ky plan do t’u jepte fund mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Nuk jam i sigurt. Ajo çfarë më shqetëson është se të dyja palët e paraqesin këtë si diçka të imponuar nga jashtë, nga BE-ja, nga SHBA-ja. Ato nuk e paraqesin atë si diçka që, në thelb, është zgjidhje e mirë për problemet. Sipas tyre, është diçka që nuk e duam, nuk na pëlqen, e urrejmë, por duhet ta pranojmë, sepse nuk kemi zgjidhje. Në të kundërtën, rruga drejt BE-së bllokohet, amerikanët nuk do të jenë të kënaqur e kështu me radhë.

Kjo nuk më mbush me shumë optimizëm. Sepse, nëse bëni diçka që ju imponohet prej dikujt tjetër, atëherë nuk ka gjasa që të jeni shumë konstruktivë në procesin e zbatimit. Ka shumë çështje që duhet të zgjidhen dhe kjo e zvogëlon optimizmin tim.

Radio Evropa e Lirë: A do të ishit më optimist nëse ky plan do ta përfshinte edhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Po, mendoj se shkon në këtë drejtim. Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur, të dyja vendet do t’i zbatojnë parimet e Kartës së OKB-së, sa i përket integritetit territorial, pavarësisë, mospërdorimit të forcës kundër njëra-tjetrës, mosbllokimit të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare… Ky padyshim se do të ishte një përparim i madh, por ai nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia. Kjo do të thotë se edhe vendet e tjera, që nuk e kanë njohur Kosovën deri tash, mund të hezitojnë të lëvizin në këtë drejtim.

Mendoj se, në thelb, janë tri motive për mosnjohjen e Kosovës. I pari përfshin vendet që, në përgjithësi, janë skeptike ndaj nismave perëndimore. Do të përmendja Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut… Pastaj janë vendet që kanë një miqësi të veçantë me Serbinë. Kjo, qartazi, është Rusia. Deri në një masë ndoshta edhe Greqia. Dhe vijnë vendet që kanë vetë probleme me pakicat, çështje të pazgjidhura të statusit, kanë arsye të brendshme politike. Këtu e kam fjalën për Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë…

Pra, ka një përzierje motivesh. Dhe unë kam dyshime, që nëse Serbia nuk e njeh qartazi pavarësinë e Kosovës, këto vende që kanë probleme të mëdha të brendshme, si Spanja, Qiproja, do ta bëjnë të njëjtën gjë.

Pastaj është edhe anëtarësimi në OKB. Në parim, nëse Serbia nuk do ta bllokonte më Kosovën nga anëtarësimi në OKB, ky do të ishte një hap i madh përpara për Kosovën. Por, nuk mendoj se Rusia, në këtë kohë, kur është në luftë me botën perëndimore, nuk do ta bllokojë [Kosovën] në Këshillin e Sigurimit. Pra, edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është po ashtu nën presion për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shumë në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, shprehen të shqetësuar se ai do të krijojë një mini-shtet ose një tjetër Republika Sërpska. A do të ishte Asociacioni rrezik për sovranitetin e Kosovës?

Stefan Lehne: Varet tërësisht nga mënyra se si zbatohet. Mendoj se idetë themelore të marrëveshjes së vitit 2013 [për krijimin e Asociacionit] janë plotësisht në përputhje me kapacitetet e Kosovës për të funksionuar si shtet unitar. Do të ishte një lloj autonomie e kufizuar dhe mund të jetë me kompetenca të kufizuara. [Asociacioni] është diçka që Kosova e ka pranuar dhe më pas është bllokuar për arsye të ndryshme të brendshme. Është diçka që Kosova duhet ta zbatojë dhe varet tërësisht nga mënyra se si rregullohet.

Në vitet e fundit nuk e kam përcjellë shumë afër për t’ju thënë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por, është diçka që Kosova duhet ta sjellë në tryezë. Pa lëvizur në këtë drejtim, i gjithë procesi do të bllokohet.

Radio Evropa e Lirë: Problem kryesor në Kosovë janë kompetencat e tij ekzekutive. Si duhet të duket ky asociacion sipas jush?

Stefan Lehne: Nuk dua të futem në detaje dhe spekulime. Mendoj se [duhet të jetë] një autonomi e kufizuar. Sigurisht që duhet të jetë kuptimplotë. Komunat me shumicë serbe do të duhej të ishin në gjendje të organizonin vetë pjesë të përditshmërisë. Por, nuk duhet të jetë një Republika Sërpska, nuk duhet ta ketë mundësinë e bllokimit të funksionimit të shtetit të Kosovës.

Mendoj se ka shembuj të ndryshëm ku funksionojnë struktura të tilla, por varet nga mënyra se si zbatohen. Nuk dua të futem në detaje, sepse ka vite që nuk e kam përcjellë nga afër.

Radio Evropa e Lirë: Por, unë do të doja t’ju pyesja edhe një pyetje në lidhje me këtë. Kryeministri Kurti i referohet Asociacionit si “Ahtisaari Plus” dhe thotë se Kosova tashmë i ofron pakicës serbe mjaft të drejta dhe përfitime. A i ofron?

Stefan Lehne: Në vitin 2013, Kosova ka pranuar që të bëjë më shumë se paketa e Ahtisaarit. Paraardhësit e Kurtit janë angazhuar që të veprojnë në këtë drejtim. Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar e presin këtë nga Kosova. Komuniteti ndërkombëtar është i bindur se mund të bëhet në atë mënyrë që nuk e kërcënon ekzistencën apo funksionimin e shtetit të Kosovës. Çështja është se si do të zbatohet.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë gjasat që Asociacioni ta zgjidhë konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Jo plotësisht. Ka bagazh të madh historik në të dyja anët. Dhe, nuk ka gjasa që Kosova dhe Serbia të jenë miket më të mira në 10-15 vjetët e ardhshëm. Por, është një proces drejt normalizimit. Do ta zhbllokojë rrugën e anëtarësimit në BE si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Do ta lehtësojë shumë bashkëpunimin ekonomik mes dy palëve.

Mendoj se, në përgjithësi, është një gjë shumë pozitive, por nuk pres mrekulli. Nuk shoh një pajtim të madh. Mendoj se problemi është thellë në psikikën kombëtare në të dyja anët. Nuk ka gjasa të kapërcehet shumë shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Kosova njihet nga më shumë se 100 vende. Megjithatë, viteve të kaluara, ritmi i njohjeve është ngadalësuar. Pse mendoni se ka ndodhur kështu?

Stefan Lehne: Mendoj se Serbia ka bërë një fushatë shumë aktive për çnjohjen e Kosovës dhe ka pasur një sukses të kufizuar. Serbia beson se rreth 84 vende e njohin Kosovën, ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se janë 117 vende.

Shumë vende janë sjellë në një mënyrë shumë të paqartë. Kanë dërguar disa sinjale pozitive, pastaj i kanë tërhequr ato, pastaj i kanë konfirmuar… Mendoj se për një vend në Jugun Global kjo nuk është një çështje shumë e rëndësishme. Kur takojnë një ministër serb, thonë diçka tjetër, e kur flasin me një ambasador amerikan, thonë diçka tjetër.

Nuk mendoj se bën ndonjë dallim të madh nëse janë 100 vende apo 110 vende [që e njohin Kosovën]. Dallimin e bëjnë shtetet mosnjohëse të BE-së, sepse ato e bllokojnë përparimin.

Radio Evropa e Lirë: A paraqet ndonjë rrezik për Kosovën fushata e çnjohjeve e Serbisë?

Stefan Lehne: Mendoj se është e bezdisshme për Kosovën. Nuk ndryshon asgjë. Shtetet e rëndësishme, shumica e shteteve perëndimore që e kanë njohur Kosovën, nuk do të zhbinden nga zyrtarët serbë. Nëse Togoja e njeh Kosovën, nuk është shumë e rëndësishme. Pra, nuk mendoj se [fushata e Serbisë] paraqet kërcënim për Kosovën, por besoj se është shumë e bezdisshme.

Mendoj se është e rëndësishme për Serbinë që ta ndalojë këtë. Mendoj se plani që tani është në diskutim, do ta ndalojë këtë. Mendoj se dy palët do të angazhohen që të mos bëjnë ndonjë gjë të tillë në të ardhmen.

Lajmet

Maqedonia e Veriut, 6 vjet pjesë e NATO-s

Published

on

Maqedonia e Veriut sot shënon gjashtë vjet nga anëtarësimi në NATO, pasi në këtë ditë në vitin 2020 u bë anëtarja e 30-të e aleancës. Me këtë, vendi realizoi një nga qëllimet e tij strategjike, i cili është përcaktuar edhe në rezolutën që Kuvendi e miratoi në vitin 1993.

Kuvendi më 11 shkurt 2020 njëzëri ratifikoi Marrëveshjen e Atlantikut të Veriut, pas së cilës, më 20 mars 2020, pasoi edhe nënshkrimi i ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO nga ana e presidentit të shtetit.

Maqedonia e Veriut plotësisht e mbështet avancimin e partneritetit strategjik NATO-BE, duke theksuar rëndësinë e forcimit të konsultimeve politike dhe rritjes së bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët. Këto përfshijnë mobilizimin ushtarak, qëndrueshmërinë, ndikimin e ndryshimeve klimatike në siguri, teknologjitë e reja dhe shkatërruese, sigurinë njerëzore, agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe hibride.

Continue Reading

Lajmet

Rama njofton platformë inovative për analiza më të sakta të gjakut

Published

on

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar instalimin e një platforme inovative automatike me Real-Time PCR në Laboratorin e Imunohematologjisë pranë Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.

“MIRËMËNGJES  dhe me instalimin e platformës inovative automatike me Real-Time PCR… ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend.

Rama theksoi se kjo teknologji e re mundëson tipizim molekular të gjakut, duke rritur saktësinë në përputhshmërinë për pacientët dhe duke ofruar mbështetje për transfuzione dhe transplante më të sigurta.

Continue Reading

Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 27 mars, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

27 mars 1993

Lajmet kryesore:

Lëvizje të shtuara të ushtrisë serbe në Kosovë;

Reagime kundër burgosjes së rektorit dr.Ejup Statovci;

Intervenim i policisë serbe në gjimnazin “Sami Frashëri”;

Informimi i mangët në Kosovë;

Deputeti i Republikës së Kosovës në bisedë informative;

U shënua përvjetori i vrasjes së Ismet Krasniqit;

Krimineli “hero” që provokon qytetarët;

Si ua merr një zyrtar serb tokën shqiptarëve dhe ua jep serbëve;

Në Gjakovë kishës iu kthyen dy hektarë e gjysmë tokë;

Emigrantët nga Shqipëria – “Sa më larg prej shqiptarëve”;

Për organet e instaluara serbe në Kosovë – 35.8 miliardë dinarë.

 

 

27 mars 1995

Lajmet kryesore:

Pjesë nga fjalët përshëndetëse të mysafirëve gjermanë në tubimin e shqiptarëve në Bon;

“Evropa e lirë” për tubimin e shqiptarëve në Bon;

AFP: Manifestime për një Kosovë të lirë;

Shtypi kanadez për protestën e shqiptarëve në Toronto;

Gazeta serbe “V. Novosti” për tubimet e shqiptarëve në Zvicër ;

Tubime të shqiptarëve në Londër dhe në Paris;

Nesër në Kopenhagë mbahet tubimi me moton “Të njihet Republika e Kosovës – shtet i pavarur dhe neutral”;

Forcohet bashkëpunimi Shqipëri – Britani;

Kolona me policë në gjendje gatishmërie parakaloi rrugëve të Podujevës;

Dhunë e policisë serbe në Grejkoc të Suharekës;

Represion i shtuar në komunën e Rahovecit;

Të rinjve shqiptarë u shpërndahen ftesa për shërbim në ushtrinë serbe ;

Policët rrahën Bilall Demirin me kërcënim që ta braktisë Kosovën;

Policia kërkon për t’i arrestuar dy ish-punëtorë të SPB-së së Kosovës;

Protestë e të burgosurve në burgun e Idrizovës;

Bob Doli më i popullarizuari;

Gazeta serbe për tubimin triditësh në Bruksel;

U shpallën 5 recitues më të mirë;

Pesë mijë kilogram miell për skamnorët/

 

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

Suharekë: – Më 22 mars, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpitë e tyre Destan Palushën, Sefer, Elmi dhe Sokol Kokollarin nga fshati Budakovë e Suharekës.

Po këtë ditë rreth orës 12:00, policia me pretekst të kërkimit të armëve, mori edhe Hajrush Behlulin dhe Agim Demirin nga fshati Mushtisht i Suharekës, të cilët në stacionin e policisë në Suharekë u mbajtën rreth 30 orë dhe u keqtrajtuan fizikisht.

Të njëjtën ditë, policia nën të njëjtin pretekst mori edhe Selim Selimaj dhe Hajrush Kokollarin nga fshati Savrovë, të cilët në polici u mbajtën rreth 3 orë dhe u liruan me kusht që t’i dorëzojnë armët.

Më 23 mars rreth orës 11:00, policia në shtëpinë e tij mori Muhamet Kuçin, ish-polic në pension nga Suhareka. Ai i mbajt në polici rreth 4 orë dhe u lirua me kusht që të paraqitet sot në polici së bashku me vëllaun e tij Fadil Kuçin.

Kaçanik: – Më 22 mars rreth orës 11:00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Rifat dhe Ejup Berishës, si dhe atë të Osman Imishtit në fshatin Dubravë të Kaçanikut. Meqë policia nuk gjeti kurrfarë armësh, personat e lartëshënuar i urdhëroi që të paraqiten të nesërmen në stacionin e policisë në Ferizaj.

Më 22 mars në fshatin Gjyrgjedell të Kaçanikut, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Menduh Elezit, Fahri e Ramiz Ismailit, Jahi Manit, Jonuz Idrizit dhe Hashim Belës. Njoftohet se policia pasi bastisi shtëpinë e Rrahim Elezit u kthyen sërish e morën atë dhe e dërguan në stacionin e policisë në Kaçanik, të cilin e mbajtën rreth 24 orë. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish të nesërmen në stacionin e policisë në Ferizaj.

Në të njëjtën mënyrë policia veproi edhe kundër Mustafë Manit dhe Kemajl Belës, kryetar i Aktivit të LDK-së së fshatit Gjurgjedell.

Po këtë ditë, policia serbe rreth orës 7:00 të mëngjesit ishte në shtëpinë e Hasan Hoxhës në Kaçanik, nga i cili kërkuan që të dorëzojë një revole. Policia më pas kërkoi që revolen ta dorëzojë djali i tij Fehmi Hoxha, i cili ishte në polici për të dëshmuar se nuk ka kurrfarë arme. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Kaçanik.

Malishevë: – Më 20 mars, në postkomandën e policisë serbe në Kijevë, policia nën pretekst të kërkimit të armëve keqtrajtoi rëndë Halil dhe Ramiz Krasniqin nga Caralluka. Personat e lartëshënuar janë thirrur që disa herë në polici.

Tash disa ditë me radhë policia nën pretekst të kërkimit të armëve, po i maltreton familjet e Isuf dhe Sinan Paçarizit në fshatin Dragobil të Malishevës.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se shumë familje shqiptare nga komuna e Malishevës nga frika po i heshtin rastet e bastisjeve dhe keqtrajtimeve të policisë serbe.

 

 

27 mars 1997

 

Lajmet kryesore:

Tetëvjetori i rezistencës për mëvetësinë e Kosovës;

Nderim për 22 shqiptarët e vrarë në mbrojtje të mëvetësisë së Kosovës;

PSHDK: Ballkania – koncept individual i A. Demaçit;

Fondacioni Amerikan: Presidenti Berisha duhet ta vendosë me çdo mjet shtetin ligjor;

Filips: Qeveria e Berishës ra viktimë e grusht shtetit të Partisë Socialiste;

OSBE shtyu vendimin për dërgimin e forcave në Shqipëri;

SHBA japin ndihma humanitare për Shqipërinë;

Ekspertët ushtarakë të BE‑së e të OKB-së vëzhgojnë Shqipërinë ;

Italia kthen shqiptarët që nuk i plotësojnë kushtet;

Parlamenti nuk miratoi projektligjin për nxjerrjen e akteve të kundërfirmuara nga sekretarët e shtetit;

Tubime përkujtimore në 16 vjetorin e demonstratave të vitit 1981;

KMDLNJ njofton se Fehmi Haziraj e Isuf Halitaj nuk kanë qenë në shërbim të Serbisë;

U shënua 27-vjetori i Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës;

Podujevë: U lirua Fitim Ferati;

Keqtrajtim për armë në Kamenicë.,

Në foto: Adem Demaçi

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti niset për në Francë, pritet të takojë Macronin

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot, më 27 mars, drejt Francës për një vizitë zyrtare të nivelit të lartë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ngjarja kryesore e kësaj vizite do të jetë takimi i rëndësishëm me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Përveç bisedimeve zyrtare, kryeministri Kurti dhe presidenti Macron do të zhvillojnë edhe një drekë pune, ku pritet të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, proceset integruese të Kosovës dhe zhvillimet politike në rajon.

Kjo vizitë, sipas njoftimi shënon një hap tjetër në forcimin e raporteve diplomatike me Francën, si një partner kyç i Kosovës në Bashkimin Evropian.

Continue Reading

Të kërkuara