Lajmet

Statovci: Kosova ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë, nevojitet qartësim i pozicioneve

Published

on

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se Kosova ka bërë mjaftueshëm përpjekje për normalizimin e raporteve me Serbinë. Deputetja e pushtetit këmbëngul se Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Duke komentuar takimin e sotëm ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, Statovci ka thënë se nevojitet qartësim i pozicioneve të të dyja vendeve.

“Padyshimtë që është edhe një dëshmi tjetër e përpjekjeve tona për normalizim të raporteve në mes dy shteteve. Çështja është që kryeministri Kurti ka qenë i qartë në kushtet bazë të cilat janë të nevojshme në mënyrë që të ketë një normalizim, duke e ditur që marrëveshja bazë ka trajtuar elementet bazë të cilat janë elemente kyçe problematike. Është shumë e rëndësishme që të kemi një qartësim të pozicionit të Serbisë në raport me integritetin territorial të Kosovës, në raport me shtetësinë e Kosovës dhe simbolet e Kosovës të cilat e definojnë një shtet. Në kuadër të kësaj kornize ku qartësohet marrëdhëniet mes dy shteteve të punohet edhe në aspektet e tjera të cilat e mundësojnë një integrim të mirëfilltë”, ka thënë Statovci.

Statovci theksoi se është një përpjekje e mëtutjeshme nga Bashkimi Evropian për t’i ndihmuar këtij procesi, mirëpo sipas saj, kjo marrëveshje përcillet me mosbesim ku prej 11 pikave janë shkelur 8 sosh nga Serbia.

“E shohim që është një përpjekje mëtutjeshme dhe institucioneve të Bashkimi Evropian që të punojnë në këtë drejtim mirëpo siç është thënë ky është proces që përcjellët me mosbesim sepse në tavolinë kemi një palë i cili në këtë marrëveshje tetë pika nga 11 janë shkelur, ka përcjellë edhe letër zyrtare duke e qartësuar pozicionin e saj se tërhiqet nga kjo marrëveshje si dhe ka bërë akte terroriste, mirëpo përpjekjet tona për tu treguat akter serioz dhe i interesuar për normalitet të raporteve të cilët i kontribuojnë sigurisë dhe paqes sidomos në këtë kohë që është sfiduese. Vazhdojnë të mëtutjeshme duke i pasur pozicionet e qarta dhe duke i ndihmuar në mënyrë konstruktive këtij procesi”, theksoi ajo.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja është arritur vitin e kaluar, por ende nuk është zbatuar.

Vendi

Kosova dhe Çekia diskutojnë bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore

Published

on

By

Ambasadorja e Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, ka zhvilluar një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Republikës Çeke, Naděžda Goryczková, për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisë kulturore.

Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave profesionale ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve, me fokus të veçantë në konservimin, restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve.

Përvoja e gjatë e Republikës Çeke në ruajtjen e trashëgimisë kulturore u vlerësua si mundësi e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve dhe avancimin e standardeve të institucioneve të Kosovës në këtë sektor. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Fitore dramatike e Trepçës në “Minatori”: Përmbys Splitin dhe mban gjallë garën në FIBA Europe Cup

Published

on

By

Trepça ka regjistruar një fitore të madhe dhe dramatike ndaj skuadrës kroate Split, duke triumfuar me rezultat 94:88 në kuadër të xhiros së shtatë të Grupit A në FIBA Europe Cup. Në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, kampionia e Kosovës, e mbështetur fuqishëm nga tifozët, arriti ta përmbysë rezultatin në çerekun e fundit pas një përballjeje plot kthesa.

Mitrovicasit e nisën takimin me vështirësi, duke e mbyllur çerekun e parë në disavantazh prej tetë pikësh, 19:27. Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm në periudhën e dytë, të cilën Trepça e dominoi 32:19, duke shkuar në pushim me epërsi prej pesë pikësh, 51:46.

Në pjesën e dytë, Spliti u rikthye fuqishëm dhe me një seri prej 12 pikësh radhazi mori kontrollin e lojës (51:58), duke e çuar avantazhin deri në dhjetë pikë gjatë çerekut të tretë. Trepça nuk u dorëzua dhe rreth dy minuta para fundit të kësaj periudhe realizoi një seri 7:0, për ta ngushtuar rezultatin në 67:69.

Përmbysja e madhe ndodhi në çerekun vendimtar. Pesë minuta e 52 sekonda para fundit, Drilon Hajrizi shënoi nga vija e gjuajtjeve të lira për ta kaluar Trepçën në epërsi, 77:76, avantazh të cilin mitrovicasit e ruajtën me kujdes deri në sirenën e fundit për fitoren 94:88.

Më i dalluari te Trepça ishte Jean-Pierre Tokoto me 16 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime. Kontribut vendimtar në çastet kyçe dhanë edhe Drilon Hajrizi, me 18 pikë, dy kërcime e dy asistime, si dhe Andrew Thelwell, i cili realizoi gjithashtu 18 pikë, katër kërcime dhe tri asistime. Në anën tjetër, lojtari më efikas te Spliti dhe në gjithë ndeshjen ishte Nick Johnson me 30 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

Me këtë sukses — i dyti ndaj Splitit pas fitores edhe në Kroaci — Trepça arrin në kuotën e 11 pikëve, me bilanc prej katër fitoreve dhe tri humbjeve. Mitrovicasit barazohen kështu me pikë me vetë skuadrën kroate, duke e lënë krejtësisht të hapur garën për vendin e dytë në Grupin A. /E.A /

 

Continue Reading

Vendi

Kuvendi voton sot për Ligjin e kthyer për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës pritet të rishqyrtojë sot, duke nisur nga ora 10:00, Ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula, me të cilin synohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale. Kjo pikë do të trajtohet në vazhdimin e seancës së mbetur në gjysmë të premten e kaluar, ku shqyrtimi dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Ligji ishte miratuar më herët në dy lexime, por presidentja Shiroka-Pula nuk e kishte dekretuar atë dhe e kishte kthyer në Kuvend pas kërkesës së vetë partisë sponsorizuese, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Tashmë, PDK-ja ka ndryshuar sërish qëndrim, duke kërkuar rrëzimin e vetos presidenciale në mënyrë që ligji të miratohet në formën aktuale dhe më pas të amendamentohet pas hyrjes në fuqi.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, u shpreh se pret që ligji të kalojë në vazhdimin e sotëm të seancës:

“Besoj që në bazë të dakordimit që kemi pasur, ne do të vazhdojmë që të votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe pastaj, sigurisht, pas këtij votimi do të procedojmë me nismën e re ligjore për ndryshimin, duke pasur një bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht me Bashkimin Evropian dhe me të tjerët ndërkombëtarë që do të na ndihmojnë në forcimin e ligjit, forcimin e drejtësisë dhe që do t’i shërbejë mbrojtjes së vërtetë historike dhe mbrojtjes së çlirimtarëve“, tha Lushtaku.

Koordinimi shtetëror për procedurat e Apelit në Hagë

Paralelisht me zhvillimet në Kuvend, presidentja Justina Shiroka-Pula ka pritur të mërkurën grupin punues të ngarkuar me hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e Strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas njoftimit të Presidencës, kryesuesi i grupit punues, Glauk Konjufca, dhe anëtarët e tjerë e informuan presidenten mbi ecurinë e deritashme të punës, si dhe mbi koordinimin ndërinstitucional për mbështetje juridike, institucionale dhe diplomatike.

Presidentja Shiroka-Pula rikonfirmoi përkrahjen e saj për këtë proces me qëllim “dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“.

Edhe ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së dhe nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, e cila është pjesë e grupit punues, e vlerësoi takimin duke falënderuar presidenten për “mbështetjen e parezervë“. Përmes një reagimi në Facebook, ajo bëri thirrje për unitet politik dhe institucional:

“Tani është koha që unitetin politik e institucional ta dëshmojmë me veprime dhe mbështetje konkrete për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel. Do të qëndrojmë pranë tyre në betejën për drejtësi dhe do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën për luftën e drejtë të UÇK-së. Deri në kthimin e tyre të lirë në atdhe“.

Grupi punues u themelua pasi shkalla e parë e Gjykatës Speciale shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, duke i dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.

Pikat e tjera në rendin e ditës të Kuvendit

Përveç Ligjit për Specialen, në vazhdimin e seancës së kaluar deputetët do të votojnë edhe dy propozim-rezoluta:

  • Për shëndetësinë: Rezoluta e dalë nga interpelanca me ministrin Arben Vitia lidhur me mungesën e barnave onkologjike dhe rastin e vdekjes së pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi.
  • Për energjinë: Rezoluta nga mocioni përmbajtjesor mbi planifikimin, çmimet dhe furnizimin me energji elektrike.

Ndërkohë, në seancën e re të rregullt me 12 pika të rendit të ditës, krahas procedurave të zakonshme (miratimi i procesverbalit, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare), pritet të shqyrtohen edhe këto çështje:

  • Buxheti dhe energjia: Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, vendimi i Qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin me energji, si dhe Projektligji për Efiçiencën e Energjisë.
  • Legjislacioni dhe nismat: Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore dhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve.
  • Emërimet dhe komisionet: Zgjedhja e katër anëtarëve në Bordin e RTK-së (dy nga komuniteti shqiptar, një nga ai serb dhe një nga komunitetet joshumicë), emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, si dhe zëvendësimi i një anëtari të LDK-së në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe dhunën në familje.

Continue Reading

Lajmet

Trump dhe Putin zhvillojnë takim të ngrohtë në margjinat e samitit APEC në Kinë

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zhvilluar një takim dypalësh të ngrohtë me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë, të mërkurën në mëngjes me kohë të Kosovës, në kuadër të samitit APEC.

Sipas pamjeve dhe përshkrimeve të momentit, liderët u shfaqën të buzëqeshur dhe miqësorë. Para se të hynte në dhomë, Trump pyeti me shaka te dera ndihmësit e tij: “Kush është ky?“, duke qeshur, përpara se t’i drejtohej Putinit. Pasi hynë, të dy shkëmbyen një shtrëngim duarsh, Trump duket se i pëshpëriti diçka në vesh homologut rus, ndërsa Putin i vendosi dorën në bërryl.

Deklaratat para gazetarëve

Duke iu drejtuar shkurtimisht mediave të pranishme, Trump theksoi se mes tij dhe Putinit ka pasur prej kohësh një „marrëdhënie të shkëlqyer“ dhe shprehu optimizëm për rezultatet e bisedimeve:

“Faleminderit shumë. Presim me padurim takimin tonë. Dhe mendoj se shumë gjëra të mrekullueshme mund të dalin nga kjo, ose të paktën të fillojnë, por mendoj se do të dalin nga kjo“.

Batuta e Trumpit te dera rikujtoi një episod të ngjashëm të mëhershëm të presidentit amerikan, i cili në muajin qershor të këtij viti, sapo kishte hyrë në një takim të G7-s, kishte deklaruar me humor: “Unë jam bosi“. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara