Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj incidentit të ndodhur në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli mes përfaqësueseve të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, janë dëgjuar thirrje raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve.
Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetet sociale, Spiropali e ka cilësuar këtë akt si “të papranueshëm”, duke theksuar se ngjarje të tilla janë një kujtesë e hidhur për sfidat që ende qëndrojnë në rrugën drejt një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.” u shpreh Spiropali.
Spiropali theksoi se gjuha e urrejtjes që nxit racizëm dhe konflikt etnik nuk mund të tolerohet, veçanërisht në sport, i cili duhet të shërbejë si platformë për bashkim dhe respekt të ndërsjellë.
Spiropali gjithashtu vlerësoi reagimin institucional në Maqedoninë e Veriut, por theksoi nevojën për një qëndrim edhe më të qartë dhe të fortë nga zyrtarët më të lartë të shtetit.
“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon,” shtoi ajo.
Ndërsa në fund, Spiropali theksoi në postimin e saj se Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në përpjekjen për të promovuar bashkëjetesën ndëretnike, duke lënë pas ndasitë dhe gjuhën e urrejtjes.
Incidenti në Kumanovë ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje problemet me gjuhën e urrejtjes ndaj shqipëtarëve në disa pjesë të rajonit.