Lajmet

Specializohuni në tri shtyllat kryesore të drejtësisë në UBT-në

Published

on

Përballja me dinamikat e sistemit modern ligjor kërkon një nivel krejtësisht të ri përgatitjeje, ku diploma bazë shërben vetëm si hapi i parë drejt një rruge më të gjatë e më ambicioze. Në këtë kuadër, UBT ka konceptuar një platformë elitare të studimeve Master në fushën e Juridikut, e cila është e dizajnuar posaçërisht për ta shndërruar teorinë tradicionale në një mjet të fuqishëm veprimi praktik.

Përmes tri drejtimeve të specializuara të Drejtës Penale, të Drejtës Civile e të Pronës, si dhe të Drejtës Komerciale këto programe u ofron juristëve të rinj dhe profesionistëve në ngritje mundësinë për t’u profilizuar thellësisht në fushën që përputhet më së miri me synimet e tyre profesionale, duke garantuar përshtatshmëri të plotë me kërkesat e tregut vendor dhe atij ndërkombëtar.

Zgjedhja e specializimit në të Drejtën Penale është rruga ideale për ata që e shohin veten në linjën e parë të mbrojtjes së sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ky profil jo vetëm që zbërthen doktrinat përmbajtësore dhe procedurale të legjislacionit vendës dhe krahasues, por u jep studentëve qasje të drejtpërdrejtë në shkencat më bashkëkohore si Kriminologjia, Viktimologjia, Penologjia dhe Mjekësia Ligjore.

Përmes një metodologjie që vë në qendër zhvillimin e aftësive analitike, studentët aftësohen për të udhëhequr hetime komplekse, për të menaxhuar ekipe në simulimin e proceseve gjyqësore dhe për të hartuar me saktësi shkresat kryesore lëndore, nga kallëzimet penale e aktakuzat e deri te formulimi i aktgjykimeve përfundimtare.

Në anën tjetër, për ata që synojnë të bëhen shtylla e sigurisë juridike në marrëdhëniet shoqërore e private, programi i të Drejtës Civile dhe të Pronës ofron përgatitjen e duhur për të përballuar sfidat e përafrimit të legjislacionit të Kosovës me kornizën evropiane. Fusha e pronësisë intelektuale, e drejta e konkurrencës, falimentimi dhe marrëveshjet tregtare ndërkombëtare kërkojnë specialistë të aftë për të zgjidhur ngërçet e një ekonomie në zhvillim.

Angazhimi në këtë drejtim plotësohet natyrshëm nga mundësia e praktikës profesionale gjatë periudhës së studimeve, çka u mundëson studentëve të UBT-së të hyjnë në kontakt të drejtpërdrejtë me avokatë e juristë me përvojë, duke ndërtuar që në bankat e fakultetit rrjetin e tyre të parë të bashkëpunimit profesional.

Po aq i rëndësishëm dhe tejet premtues mbetet edhe drejtimi i të Drejtës Komerciale, i cili i përgjigjet drejtpërdrejt nevojave të botës së biznesit, financave dhe korporatave. Ky program i përgatit studentët për të operuar me siguri në mjedisin e globalizuar të biznesit, duke trajtuar çështje nga krijimi e qeverisja korporative, te hartimi i kontratave komplekse afariste dhe arbitrazhi ndërkombëtar.

Përmes një ndërthurjeje rigoroze mes kërkimit shkencor, analizës së tregut të brendshëm të BE-së dhe simulimeve praktike të kontesteve tregtare, UBT formon liderë ligjorë të pajisur me etikë të lartë dhe vision strategjik, të gatshëm për të mbrojtur interesat e korporatave dhe për të kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Afati i aplikimeve është hapur, këtu gjeni linkun për aplikim.

 

Continue Reading

Vendi

Kuvendi mblidhet sot për seancë, në rend dite tri projektligje dhe raporti i Auditorit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës sot me fillim nga ora 12:00 do te nis seancën plenare, ku sipas njoftimit të Kuvendit në rendin e ditës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, si dhe shqyrtimi i disa projektligjeve.

Deputetët fillimisht do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të këtyre komisioneve për Legjislaturën XI.

Në këtë seancë është paraparë gjithashtu edhe shqyrtimi i parë i tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, ndërsa më pas do të zhvillohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

RENDI I DITËS

  1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
  2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  3. Pyetjet parlamentare,
  4. Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare,
  5. Miratimi i Fushëveprimit të komisioneve parlamentare për Legjislaturën XI.
  6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-021 për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave,
  7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-019 për Regjistrimin e bujqësisë,
  8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-022 për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë,
  9. Shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Continue Reading

Lajmet

Demokratët premtojnë kontroll ndaj Trumpit pas fitores në zgjedhjet mesmandatit: Ditët e nënshtrimit kanë përfunduar

Published

on

By

Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.

“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”

Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.

“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.

Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.

“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/

 

Continue Reading

lajme

Presidentja Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Steven Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata i është ndarë gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, i cili tashmë prej 15 vjetësh ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet strategjik për Kosovën, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Në fund, Shiroka-Pula ka nënvizuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kos: Amendamentet për Specialen rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në BE

Published

on

By

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë me dije se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializeditura, duke paralajmëruar se këto ndryshime ligjore mund të minojnë ecurinë e vendit në integrimin evropian.

Gjatë një deklarate mbi përparimin e Kosovës në procesin e reformave, zyrtarja e lartë e BE-së shprehu shpresën se me Qeverinë e re vendi do të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara, por nënvizoi se iniciativat rreth Ligjit për Specialen mbeten një shqetësim serioz që kërkon diskutime direkte.

Lidhur me hapat e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian, Kos spikati se i takon 27 shteteve anëtare të pajtohen për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.

Sipas komisioneres, BE-ja është e gatshme të veprojë, mirëpo për t’i bindur shtetet skeptike anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim i vazhdueshëm në reforma kyçe, pasi sa më i fuqishëm të jetë ky proces, aq më i forte do të jetë edhe argumenti i Kosovës në rrugëtimin evropian. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara