Lajmet

S’pati njohje nga Serbia as në vitin 2020, dialogu konsiderohet i dështuar

Published

on

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet i dështuar gjatë vitit 2020. Megjithëse ishte proklamuar se mund të jetë vit i marrëveshjes finale, një gjë e tillë nuk u arrit, ani pse u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet dy vendeve në Uashington.

Disa prej partive politike thonë se Kosova e humbi rastin historik për ta arritur njohjen reciproke gjatë vitit të kaluar, ndërsa LDK si parti në pushtet vlerëson se dialogu ka marrë shtytje të madhe në vitin 2020. E nga shoqëria civile edhe të ardhmen e dialogut e shohin si të paqartë, pas zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen në fillim të vitit 2021.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se dialogu që zhvilloi Qeveria Hoti nuk i solli asnjë të mirë vendit. Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Fitore Pacolli thotë për KosovaPress se dialogu sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia ka dështuar. Ajo shprehet pesimiste edhe për implementimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

“Dialogu ka dështuar kohë më parë, shumica e marrëveshjeve që janë bërë në fazën e parë kanë dështuar. Nuk janë implementuar shumica nga ana e Serbisë, disa prej anës së Kosovës janë implementuar. Pra nuk ka ndryshuar asgjë në teren, ne konsiderojmë se dialogu sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia ka dështuar, ky dialog nuk e çon Kosovën drejt njohjes dhe anëtarësimit në BE. Ky dialog e ka fundosur Kosovën edhe më tutje prandaj duhet të ndalet sa më shpejtë të jetë e mundur sepse na duhet një klasë tjetër politike, një qeveri me legjitimet i cili e çon tutje vendin. Me këtë marrëveshje e cila është nënshkruar në Uashington nuk presim ndonjë gjë, presim një rifillim të ri me presidentin amerikan”, thotë Pacolli.

Më kritikë për dialogun shprehen në PDK, ku anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu thotë se vendi e ka humbur rastin historik për marrëveshje finale gjatë vitit 2020.

“Si PDK konsiderojmë se e kemi humbur rastin historik për marrëveshje finale në vitin 2020. Është marrëveshja që është proklamuar shumë dhe për të cilën është diskutuar në të gjitha nivelet. Prandaj po e themi edhe tash që konsiderojmë që jemi të vonuar në këtë drejtim, duhet që 2021 të jetë vit kur ne japim fund kësaj maratone të gjatë të diskutimeve të dialogut e cila i ka marrë shumë kohë edhe energji Kosovës dhe duhet njëherë e përgjithmonë për të siguruar marrëveshjen finale të detyrueshme për të dyja palët dhe njohjen e ndërsjellë që është edhe kushti ynë kryesor, pastaj edhe ulëse në OKB”, thotë ajo.

Por në LDK, parti e cila është në pushtet, thonë se procesi i dialogut ka pasur shtytje të madhe vitin e kaluar, ani pse nuk është arritur marrëveshja finale. Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh i deputeti i legjislaturës së fundit në Kuvend, Faton Bislimi, thotë se vet marrëveshja e Uashingtonit është historike.

“Ka pasur shtytje të mëdha procesi i dialogut, sidomos vitin e fundit. Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje historike, nuk them që nuk po implementohen në asnjë moment. Ju e dini që menjëherë ka pasur të paktën dy delegacione të larta shtetërore të përfaqësuara nga shumë agjenci federale të ShBA që kanë qenë në Kosovë dhe Serbi. Ato po bëjnë përgatitjet e duhura për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik. Kosova del përfituese nga marrëveshja e Uashingtonit, përkundër çfarëdo kritike që mund t’i bëhet tekstit të marrëveshjes. Konkluzionet e marrëveshjes dhe fakti që ne kemi arritur të ulemi në Shtëpinë e Bardhë me Serbinë ka qenë historike për Kosovën në aspektin e përfitimeve që ka marrë Kosova nga kjo marrëveshje”, thotë ai.

Deputetja që udhëheq me Komisionin për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, nga AAK thotë se me marrëveshjen e Uashingtonit përfitoi Kosova.

“Së paku ajo çka është arritur në Uashington janë ato marrëveshje ekonomike, të cilat nëse implementohen Kosova përfiton. Por nuk kemi ndonjë marrëveshje që është arritur në Bashkimin Evropian”, thotë ajo.

Ndërsa nga shoqëria civile të vetmen gjë pozitive në vitin 2020 sa i përket dialogut e shohin rikthimin e palëve në tavolinën e diskutimit.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se në kuadër të dialogut ky vit ishte i diskutimeve, e jo i një rezultati të prekshëm.

“Përpos rikthimit të dy palëve në tavolinën e diskutimeve nuk pamë diçka më markante dhe më të madhe nga ky dialog. U hapën shumë tema, u diskutua për shumë fusha, përfshirë edhe tema teknike të marrëveshjeve të kryera që më herët. Ky vit ishte më shumë vit i diskutimeve, por pa një rezultat të prekshëm. Marrëveshja e Uashingtonit gjithashtu u proklamua si e tillë, por përfundimet nga ajo marrëveshje ishin thuajse minimale, krahasuar me pritjet e palës së Kosovës. Po rikonfirmohet se fundi i dialogut është i paqartë, e ardhmja e tij është e paqartë”, thotë ai.

Dialogu Kosovë-Serbi, pas një pauze rreth 2-vjeçare, rinisi në korrik të këtij viti, pas largimit të masave të reciprocitetit dhe taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe. Gjatë vitit të kaluar pati dy takime fizike mes kryeministrit Hoti e presidentit serb Vuçiq në Bruksel, një në Uashington dhe një takim virtual në samitin e Parisit. Ndërsa 6 takime u zhvilluan në nivel të ekspertëve.

Përveç marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën u tha se është më shumë ekonomike por që nuk munguan as çështjet politike, nuk u arrit njohja reciproke. Ndërsa ka rreth katër muaj që Hoti e Vuçiq nuk janë takuar pas dallimeve për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Lajmet

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Lajmet

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara