Sport

Spanja kalon tutje, përballja e radhës me Portugalinë

Published

on

Kombëtarja e Spanjës ka shënuar një fitore bindëse 3-0 ndaj Austrisë, duke siguruar me meritë kalimin për në 1/8 e finales të Kupës së Botës. Me këtë triumf, “La Roja” konfirmon formën e saj të lartë dhe përgatitet për një super-sfidë në fazën tjetër, ku do të përballet me Portugalinë, e cila më herët eliminoi Kroacinë.

Ndeshja nisi me dominimin e spanjollëve, të cilëve fillimisht iu anulua një gol spektakolar me volej nga Marc Cucurella për shkak të një faulli në sulm. Megjithatë, epërsia u zhbllokua në minutën e 36-të, kur Mikel Oyarzabal shënoi pas një asistimi të saktë nga po i njëjti Cucurella.

Në pjesën e dytë, Spanja e rriti presionin dhe në minutën e 66-të dyfishoi shifrat me anë të Pedro Porros, i shërbyer bukur nga Alex Baena. Austria u përpoq të reagonte, madje David Alaba shpëtoi një gol të sigurt mbi vijën e portës pas një goditjeje të Lamine Yamal. Krejt në fund të takimit, në minutën e 89-të, Oyarzabal shënoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Spanjën, pas një tjetër asistimi nga Cucurella, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.

Ky sukses e dërgon Spanjën drejt një prej dueleve më të pritura të turneut, ku në fazën e 1/8-ave do të masë forcat në një derbi iberik kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos. /E.A/

 

Continue Reading

Sport

Manchester City transferon Enzo Fernández për 125 milionë funte

Published

on

By

Manchester City ka kompletuar transferimin e mesfushorit argjentinas Enzo Fernández nga Chelsea për shumën prej 125 milionë funtesh, duke barazuar rekordin britanik të transferimeve.

Fernández, 25-vjeçar, bëhet një prej transferimeve më të shtrenjta në historinë e futbollit anglez. Me këtë afrim, shpenzimet e Manchester Cityt gjatë afatit kalimtar të verës kanë arritur në rreth 458 milionë funte.

Kjo shifër përbën rekord të ri në Premier League për shpenzimet e një klubi brenda një afati kalimtar, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të Liverpoolit, prej 415 milionë funtesh, të vendosur verën e kaluar.

Megjithatë, City ka arritur të arkëtojë rreth 300 milionë funte nga shitjet e futbollistëve gjatë kësaj vere, duke balancuar në një masë të konsiderueshme investimet e mëdha në përforcime.

Fernández iu bashkua Chelseat në vitin 2023 nga Benfica për 107 milionë funte, duke u bërë në atë kohë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit britanik.

Kalimi i tij te Manchester City për 125 milionë funte barazon shumën që Liverpooli pagoi për sulmuesin Alexander Isak verën e kaluar, duke e vendosur Fernándezin sërish në qendër të një prej transferimeve më të bujshme të futbollit anglez.

Negociatat mes Chelseat dhe Manchester Cityt u zhvilluan me intensitet gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa marrëveshja u arrit gjatë ditës së martë.

Me transferimin e Fernándezit, Manchester City ka bërë edhe një lëvizje të madhe në merkato, duke forcuar mesfushën dhe duke treguar edhe një herë ambiciet e klubit për sezonin e ri.

D.L

Continue Reading

Sport

Inaugurohet “FIFA Talent Academy Kosova”, një tjetër hap i madh për zhvillimin e talenteve

Published

on

By

Futbolli kosovar ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në zhvillimin e gjeneratave të reja. Në Kosovë është inauguruar zyrtarisht “FIFA Talent Academy Kosova”, projekt i përbashkët i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s, që synon identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve të rinj.

Në ceremoninë inauguruese morën pjesë përfaqësues të FIFA-s, drejtues të FFK-së, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trajnerë, prindër, futbollistë e futbolliste të reja, si dhe figura të njohura të futbollit kosovar.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi hapjen e akademisë si një ditë të veçantë për futbollin e Kosovës, duke theksuar se projekti dëshmon besimin që FIFA ka në potencialin e vendit.

Ademi tha se akademia synon të nxjerrë gjeneratat e ardhshme të futbollistëve dhe futbollisteve që një ditë mund ta veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës.

“FIFA Talent Academy Kosova” ka një pozitë të veçantë në kuadër të programit të FIFA-s. Sipas drejtuesve të FFK-së, akademia në Kosovë është e treta në Evropë dhe e 15-ta në botë, ndërsa përfaqësuesi i FIFA-s, Tomas Danilevicius, theksoi se Kosova është e para në Evropë që ka një akademi të këtij lloji si për djem, ashtu edhe për vajza.

Danilevicius vlerësoi punën e FFK-së gjatë dy viteve të fundit në kuadër të programit “Talent Development Scheme”, duke theksuar se tashmë të gjithë talentet e rinj në Kosovë do të kenë mundësi më të mira për zhvillim.

Edhe ministri në detyrë i Sportit, Blerim Gashani, e vlerësoi inaugurimin si një investim të rëndësishëm në të ardhmen e sportit kosovar.

“Kjo akademi është një hap përpara në zhvillimin e futbollit dhe përfaqëson një investim në potencialin e të rinjve tanë”, deklaroi Gashani.

Ndërkohë, përfaqësuesi i FIFA-s për Kosovën, Arnar Vidarsson, bëri të ditur se puna në këtë projekt do të vazhdojë edhe me hapa të rinj, përfshirë përdorimin e teknologjisë për identifikimin dhe monitorimin e talenteve.

Sipas tij, pritet të instalohen kamera për regjistrimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve, ndërsa të dhënat e mbledhura do të përdoren për një proces më të avancuar të zhvillimit të futbollistëve dhe edukimit të trajnerëve.

Inaugurimi i “FIFA Talent Academy Kosova” shihet si një etapë e re për futbollin e moshave në vend, me synimin që talentet kosovare të zhvillohen në kushte profesionale dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Ceremonia u shoqërua edhe me program artistik nga kori i fëmijëve “Okarina”, ndërsa pas përfundimit të saj, futbollistët dhe futbollistet e reja iu drejtuan fushës për të vazhduar stërvitjet dhe rrugëtimin e tyre drejt niveleve më të larta.

Mesazhi i përbashkët i FFK-së dhe FIFA-s ishte i qartë: investimi në talentet e rinj është investim në të ardhmen e futbollit të Kosovës.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova e mbyll me fitore aventurën në Lojërat Mesdhetare

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll për femra e ka përmbyllur me fitore pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Hendbollistet kosovare triumfuan të martën pasdite ndaj Maqedonisë së Veriut me rezultat 22:17, në ndeshjen për vendin e pestë.

Vajzat e Kosovës zhvilluan një paraqitje të mirë dhe arritën ta mbyllin garën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke siguruar një fitore të rëndësishme në përballjen e fundit.

Pjesëmarrja në “Taranto 2026” ishte një përvojë e vlefshme për hendbollistet e reja kosovare, të cilat patën një orar të ngjeshur dhe u përballën me kundërshtare të forta gjatë gjithë turneut.

Kjo eksperiencë pritet t’u shërbejë shumë lojtareve të Kosovës në vazhdim të karrierës së tyre dhe në përgatitjen për sfidat e ardhshme me fanellën e Përfaqësueses.

D.L

Continue Reading

Sport

Briken Calja shkëlqen në Taranto, shpallet kampion dhe thyen rekorde

Published

on

By

Reprezentuesi i Shqipërisë, Briken Calja, është shpallur kampion i Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme në peshëngritje.

Sportisti i Team Albania dominoi garën në kategorinë deri në 75 kilogramë, duke treguar formë të shkëlqyer.

Në stilin e shkëputjes, Calja realizoi tri prova të suksesshme, duke ngritur 147, 152 dhe 154 kilogramë. Me rezultatin maksimal prej 154 kilogramësh, ai fitoi medaljen e artë dhe njëkohësisht vendosi tri rekorde mesdhetare.

Edhe në stilin e shtytjes, Calja vazhdoi me paraqitje mbresëlënëse. Ai ngriti 184 kilogramë, duke vendosur rekordin mesdhetar në këtë stil dhe duke fituar medaljen e bronztë.

Kjo është një tjetër paraqitje e madhe e peshëngritësit shqiptar, i cili i ka dhuruar Shqipërisë një medalje të artë në “Taranto 2026”.

Me suksesin e Caljas, Shqipëria numëron tashmë gjashtë medalje në këto Lojëra: dy të arta, një të argjendtë dhe tri të bronzta.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara