Sport

Spalletti flet për Zhegrovën pas dy golave ndaj Sassuolos: “Nëse luan lojë sulmuese, është i jashtëzakonshëm”

Published

on

Edon Zhegrova ishte protagonist i Juventusit në ndeshjen e së dielës mbrëma ndaj Sassuolos, duke shënuar dy gola, por realizimet e tij nuk mjaftuan që “Zonja e Vjetër” të merrte pikë.

Kosovari u inkuadrua në lojë në minutën e 60-të dhe në pjesën e dytë tregoi menjëherë rrezikshmërinë e tij në fazën ofensive. Sassuolo, megjithatë, arriti të fitojë 3:2 në shtëpi, në kuadër të xhiros së katërt të Serie A.

Për Zhegrovën, këta ishin golat e parë me fanellën e Juventusit, pasi kosovari kishte pritur gjatë për të gjetur rrjetën me klubin e ri.

Zhegrova shënoi fillimisht në minutën e 82-të, kur realizoi për 1:1. Sulmuesi kosovar nuk u ndal me kaq, pasi në minutën e 91-të shënoi edhe golin e dytë personal, duke e barazuar rezultatin në 2:2.

Juventusi më pas kërkoi me ngulm golin e fitores. “Bianconerët” dërguan shumë lojtarë në fazën sulmuese, duke tentuar që në minutat e fundit ta përmbysnin ndeshjen.

Por ky rrezik i Juventusit i kushtoi shtrenjtë. Sassuolo përfitoi nga hapësirat e krijuara dhe në minutën e 94-t realizoi golin e tretë për fitoren 3:2.

Në portën e Sassuolos ishte edhe portieri i Kosovës, Aro Muriq, i cili pati një paraqitje të madhe dhe kontribuoi në fitoren e skuadrës së tij.

Pas ndeshjes, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, foli për paraqitjen e Zhegrovës dhe veçoi një prej cilësive kryesore të tij.

“Ai bëhet i pandalshëm dhe i paparashikueshëm kur krijon situata ‘një kundër një’ në hapësira të ngushta”, ka thënë Spalletti për Zhegrovën pas ndeshjes, shkruan “Tuttosport”.

Trajneri italian, megjithatë, theksoi se kosovari duhet të përmirësohet edhe në aspektin defanziv.

“Sigurisht, mund të humbë ndonjë top të lehtë dhe i mungon cilësia mbrojtëse për t’u kthyer prapa në krah. Por nëse luan lojë sulmuese, ai është lojtar i jashtëzakonshëm”, ka shtuar Spalletti.

Zhegrova ka kaluar një periudhë jo të lehtë gjatë verës. Për javë të tëra u raportua për një largim të mundshëm të tij nga Juventusi, ndërsa më vonë klubi e la jashtë listës së lojtarëve që do të paraqiten në garat evropiane.

Megjithatë, ndaj Sassuolos, 25-vjeçari dha përgjigjen e tij në fushë. Ai u inkuadrua në pjesën e dytë dhe brenda pak minutash shënoi dy gola, duke treguar se mund të jetë një opsion i rëndësishëm për Juventusin në fazën ofensive.

Pavarësisht paraqitjes së Zhegrovës, Juventusi mbeti pa pikë. Spalletti pranoi se skuadra e tij mori shumë rrezik në kërkim të fitores dhe se mungesa e balancës në fund ndikoi në pësimin e golit vendimtar.

“Lojtarët u munduan të fitojnë ndeshjen. Unë isha ai që i shtyva të shkonin për fitore dhe ndoshta ata e tepruan pak me atë që kërkova. Në fund kishim shumë lojtarë që shkonin drejt zonës së Sassuolos.

Kemi humbur pasi kemi dhënë çdo gjë për të fituar e jo për të barazuar. Natyrisht, ka përgjegjësi nga ana jonë, por e tëra erdhi nga dëshira për të fituar ndeshjen”, ka thënë Spalletti.

Kështu, Zhegrova e nisi në mënyrën më të mirë personale këtë paraqitje me Juventusin, duke shënuar dy gola, por në fund festa i takoi Sassuolos.

D.L

Continue Reading

Sport

Vance Jackson shpallet MVP i javës së tretë në ProCredit Superligë

Published

on

By

Vance Jackson është shpallur MVP i javës së tretë në ProCredit Superligën e Kosovës në basketboll.

Basketbollisti i Vëllaznimit zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke qenë ndër protagonistët kryesorë të skuadrës së tij.

Jackson e përfundoi ndeshjen me 29 pikë, 9 kërcime dhe 3 asistime, duke regjistruar një indeks prej 36.

Kjo paraqitje i mjaftoi basketbollistit të Vëllaznimit për të fituar epitetin e MVP-së së javës së tretë në elitën e basketbollit kosovar.

D.L

Continue Reading

Sport

Messi i jep lamtumirën Argjentinës, një epokë merr fund

Published

on

By

Lionel Messi pritet t’i japë lamtumirën fanellës së kombëtares së Argjentinës sonte, në përballjen ndaj Beninit.

Ndeshja, e cila zhvillohet në orën 20:00 në stadiumin Monumental të Buenos Airesit, pritet të jetë paraqitja e fundit e yllit argjentinas me kombëtaren.

Në prag të kësaj sfide emocionale, tifozët në qytetin e lindjes së Messit, Rosario, kanë zbuluar një fanellë gjigante të kombëtares argjentinase me mbishkrimin “FALEMINDERIT #10”, në nderim të kapitenit legjendar.

Mesazhi i bashkëqytetarëve të tij shpreh mirënjohje për atë që Messi ka bërë për kombëtaren dhe futbollin argjentinas.

“Faleminderit, kapiten. Na dhe gjithçka. Na bëre të besojmë përsëri, të ëndërrojmë të pamundurën dhe na dhe momente të paharrueshme që do të mbeten me ne për gjithë jetën”, thuhet në mesazh.

Në letër theksohet edhe ndjenja e boshllëkut që pritet të lërë largimi i tij nga kombëtarja.

“Asgjë nuk do të jetë më njësoj. Nuk jemi gati të të lëmë të shkosh, por do të të ndjekim kudo që të shkosh”, thuhet më tej.

Lamtumira e Messit shënon fundin e një epoke të artë për futbollin argjentinas. Me kapitenin në krye, Argjentina fitoi Copa América në vitet 2021 dhe 2024, ndërsa kulmi erdhi në Katar 2022, kur Messi udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Kupën e Botës.

Për Messin, sfida ndaj Beninit do të jetë paraqitja e 208-të me fanellën e Argjentinës. Deri më tani, ai ka realizuar 125 gola dhe ka dhënë 68 asistime.

Lamtumira pritet të jetë emocionuese edhe në tribuna. Në Argjentinë është njoftuar se i gjithë vendi do të ndalet në minutën e 10-të, në një homazh simbolik për numrin që Messi ka mbajtur për vite me radhë dhe që është bërë sinonim i tij.

Një epokë e madhe e futbollit argjentinas është pranë fundit. Dhe në qendër të saj, si gjithmonë, është Lionel Messi.

D.L

Continue Reading

Sport

Dardan Cena nis me fitore në Botërorin e xhudos

Published

on

By

Kampionati Botëror i xhudos ka nisur me fitore për Kosovën.

Dardan Cena e ka kaluar me sukses luftën e parë në kategorinë deri në 73 kilogramë, duke e mposhtur xhudistin irlandez Joshua Green.

Cena triumfoi me uazari, duke siguruar kështu kalimin në rundin tjetër të garës.

Në sfidën e radhës, xhudisti kosovar do të përballet me një kundërshtar shumë të fortë, legjendën e xhudos nga Gjeorgjia, Lasha Shavdatuashvili.

Kampionati Botëror i xhudos po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit, ku Kosova po synon rezultate të mira me përfaqësuesit e saj.

D.L

Continue Reading

Sport

Akil Gjakova eliminohet në luftën e parë, mposhtet nga kampioni olimpik

Published

on

By

Akil Gjakova është eliminuar në luftën e parë në kategorinë deri në 73 kilogramë në Kampionatin Botëror të xhudos, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.

Xhudisti kosovar e nisi mirë përballjen dhe në minutat e para arriti ta kontrollojë luftën ndaj azerbajxhanasit Hidayat Heydarov, një prej emrave më të mëdhenj të xhudos në dekadën e fundit.

Megjithatë, një moment i pafat ndryshoi rrjedhën e përballjes. Heydarov shfrytëzoi mundësinë dhe realizoi një tjetër aksion të suksesshëm, duke e mbyllur luftën me Ippon.

Kështu, Gjakova u ndal që në paraqitjen e parë në Botëror, ndërsa shorti nuk ishte aspak i favorshëm për të, pasi që në raundin e parë u përball me kampionin olimpik dhe njërin prej xhudistëve më të suksesshëm të viteve të fundit.

Pavarësisht eliminimit të hershëm, Gjakova e nisi luftën me paraqitje të mirë, por një moment vendimtar i dha avantazhin Heydarovit, i cili e shfrytëzoi maksimalisht rastin për ta siguruar fitoren.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara