Rajoni

SPAK paraqiti prova të reja, sot merret vendimi për Erion Veliajn

Published

on

Pas një seance të gjatë mbi 7 orë, Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shtyrë dje vendimin për kryebashkiakun Erion Veliaj.

Vendimi, i cili pritet të merret sot në orën 12:30, u shty pasi avokatët mbrojtës do të njihen me provat e reja që kanë sjellë prokurorët e SPAK.

Këto prova pritet të rëndojnë pozitën e kryebashkiakut Veliaj, i cili nuk ka folur seancën e së martës, por pritet që sot të jetë i pranishëm dhe të flasë në seancë.

Avokatët mbrojtës të Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani kanë kërkuar masë më të butë sigurie për Veliajn kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që të prishë provat.

Rajoni

Rama kërkon nga BE-ja hapjen urgjente të rrugës drejt statusit të vendit kandidat për Kosovën

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i hapë rrugën Kosovës drejt statusit të vendit kandidat, duke e cilësuar këtë hap si një nevojë urgjente për rajonin.

Gjatë punimeve të samitit për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, Rama ka shfrytëzuar praninë e përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së për të kërkuar mbështetje konkrete për Kosovën.

“Dua të shfrytëzoj rastin nga prania e shumë përfaqësuesve këtu të vendeve anëtare të BE-së, për të nënvizuar nevojën urgjente për t’u hapur drejt statusit të kandidatit për Kosovën, sepse është shumë i nevojshëm”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se kjo kërkesë do të jetë temë e përhershme në çdo takim që ai dhe përfaqësuesit e Kosovës do të zhvillojnë me zyrtarët e vendeve anëtare të unionit. Sipas Ramës, lënia e Kosovës jashtë këtij procesi është e pakuptimtë në rrethanat aktuale gjeopolitike.

“Ne mendojmë që nuk ka asnjë kuptim që Kosova të lihet jashtë procesit, ndonëse statusi i kandidatit nuk do të thotë anëtarësim automatikisht, por do të thotë që BE-ja është serioze kur vjen puna te riangazhimi në kohë kaq të vështira dhe të trazuara”, ka përfunduar kryeministri shqiptar. /E.A/

Continue Reading

lajme

Rama në Samitin e Tiranës: Plani i Rritjes është moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij hyrëse në Samitin BE–Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, që po zhvillohet në Tiranë, e ka cilësuar këtë proces si një moment vendimtar si për rajonin, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

Ai vlerësoi se Plani i Rritjes përfaqëson një qasje të re të integrimit gradual, e cila i bashkon vendet e rajonit rreth tri shtyllave kryesore: reformave, konvergjencës ekonomike dhe kohezionit rajonal.

Rama tha se, ndonëse vitet e fundit është shënuar progres në afrimin ekonomik mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Sipas tij, qytetarët e rajonit nuk duhet të presin anëtarësimin e plotë për të ndjerë përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët evropian, por duhet t’i gëzojnë ato gradualisht që tani.

Duke theksuar se mbështetja financiare e BE-së kushtëzohet drejtpërdrejt nga rezultatet konkrete, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se rajoni duhet të jetë i gatshëm të zbatojë reformat e kërkuara.

“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se marrëdhënia me Bashkimin Evropian bazohet në rezultate të matshme dhe angazhim të ndërsjellë.

“Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi”, përfundoi ai. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

De Sousa: BE e gatshme ta rrisë mbështetjen pas 8.4 miliardë eurove investime në Shqipëri

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka ofruar mbi 880 milionë euro mbështetje direkte për sektorin publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro investime, bëri të ditur sot ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofie Moreira de Sousa, gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor.

Duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si pjesë thelbësore të së ardhmes evropiane, de Sousa theksoi se zgjerimi dhe konkurrueshmëria janë dy procese që ecin paralelisht dhe se blloku evropian është i gatshëm ta rrisë edhe më tej mbështetjen për rajonin.

“BE ka dhënë më shumë se 880 milionë euro në mbështetje të sektorit publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro në investime. Transformimi ekonomik është më shumë se një përgjegjësi që ndahet me të gjithë, është një mundësi që ndahet me të gjithë, për ta sjellë rajonin më afër, për të forcuar ekonomitë e tyre dhe që të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku. BE-ja është e gatshme që ta shtojë mbështetjen”, deklaroi ambasadorja.

Sipas saj, afërsia gjeografike, potenciali sipërmarrës, aftësitë industriale dhe talenti njerëzor i Ballkanit Perëndimor përbëjnë avantazhe strategjike për forcimin e ekonomisë evropiane, diversifikimin e kanaleve të furnizimit dhe sigurimin e energjisë së pastër. Ajo vuri në dukje se tregtia në mallra me rajonin tejkaloi shifrën e 88 milionë eurove në vitin 2025 — më shumë se dyfishi krahasuar me një dekadë më parë.

Duke iu referuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, de Sousa nënvizoi se integrimi gradual në tregun e vetëm evropian duhet të përshpejtohet, në mënyrë që bizneset dhe qytetarët t’i ndiejnë përfitimet ekonomike përpara anëtarësimit zyrtar. Ajo shtoi se BE-ja po mbështet projekte konkrete në infrastrukturë, konektivitet, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, përfshirë dekarbonizimin e industrisë së çimentos.

Megjithatë, ambasadorja e BE-së paralajmëroi se vetëm fondet publike nuk mjaftojnë për transformimin ekonomik, duke kërkuar reforma të qëndrueshme, forcim të shtetit të së drejtës, përmirësim të klimës së investimeve dhe angazhim më të madh të sektorit privat.

“Koha për të vepruar është tani, me qëllim që të integrohemi gradualisht me tregun e brendshëm evropian dhe të jemi të përgatitur për anëtarësimin. Ne kemi nevojë për energjinë, ambicien dhe besimin e investitorëve e bizneseve, por edhe për gatishmërinë e udhëheqësve politikë për t’i vënë gjërat në zbatim”, përfundoi de Sousa. /ATSH/

 

Continue Reading

Lajmet

Dallime të thella në BE për buxhetin afatgjatë dhe kredinë prej 49 miliardë dollarësh për Ukrainën

Published

on

By

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë përballur me vështirësi të mëdha të enjten në Bruksel për të kapërcyer ndasitë rreth buxhetit afatgjatë të bllokut (2028–2034) dhe për të arritur marrëveshje mbi një kredi të re prej 49 miliardë dollarësh, e destinuar për mbulimin e nevojave ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës gjatë vitit të ardhshëm.

Gjatë samitit, vendet anëtare u ndanë në dy blloqe kryesore: disa liderë kërkuan shkurtime të shpenzimeve dhe disiplinë fiskale, ndërsa të tjerë mbrojtën politikat tradicionale që zënë pjesën dërrmuese të buxhetit. Paralelisht, shumica e shteteve kërkojnë fonde shtesë për prioritetet e reja strategjike dhe për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës, gati pesë vjet pas nisjes së pushtimit rus.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, vuri në pah kundërthëniet e debatit, duke theksuar nevojën për financa të qëndrueshme dhe shmangien e borxheve të reja.

“Evropa ka nevojë për financa të qëndrueshme. Nuk mundemi dhe nuk duhet të marrim më shumë borxhe. Në të njëjtën kohë, kemi një sërë detyrash që duhet t’i përmbushim në mënyrë të besueshme… Përparësitë duhet të jenë një ekonomi e lulëzuar, tregu i brendshëm duhet të jetë në gjendje të zhvillojë plotësisht potencialin e tij dhe ne kemi nevojë për mbrojtje më të mirë”, deklaroi Merz para gazetarëve.

Plani buxhetor për periudhën 2028–2034, i cili financohet nga 27 vendet anëtare në bazë të fuqisë së tyre ekonomike, pritet të arrijë në 1 deri në 1.2 për qind të të ardhurave kombëtare bruto. Megjithatë, duket gjithnjë e më pak e mundshme që liderët të arrijnë objektivin për miratimin e tij deri në fund të këtij viti.

Në njërën anë të tryezës ndodhen vendet kontribuese neto — si Gjermania, Austria, Holanda dhe Suedia — të cilat derdhin më shumë fonde në arkën e BE-së sesa përfitojnë prej saj. Kryeministri holandez, Rob Jetten, kërkoi modernizim dhe zvogëlim të buxhetit, duke paralajmëruar bisedime të gjata.

“Buxheti duhet të modernizohet dhe të zvogëlohet nëse duam të arrijmë një marrëveshje. Jam gati për këtë maratonë, qoftë nëse përfundon sot, nesër apo diku në dhjetor”, u shpreh Jetten.

Në anën tjetër, një grup i gjerë shtetesh i udhëhequr nga Franca dhe Italia, i njohur si “Miqtë e Kohezionit”, po mbron me vendosmëri subvencionet për fermerët dhe fondet infrastrukturore për vendet anëtare relativisht më të varfra. Aktualisht, bujqësia dhe politika e kohezionit përbëjnë secila rreth një të tretën e buxhetit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian.

 

Continue Reading

Të kërkuara