Uashingtoni ka marrë këtë vendim emergjent për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, të cilat janë tronditur rëndë nga lufta me Iranin.
Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një leje të posaçme 30-ditore, e cila u mundëson vendeve të blejnë naftë dhe produkte të naftës ruse që aktualisht kanë mbetur të bllokuara në det për shkak të sanksioneve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se ky hap është i domosdoshëm për të stabilizuar tregun energjetik, i cili po përballet me pasiguri të mëdha pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, siç raporton Reuters.
Pas këtij njoftimi, çmimet e naftës pësuan një rënie të lehtë mëngjesin e së premtes në tregjet aziatike. Sipas përfaqësuesit rus, Kirill Dmitriev, ky vendim do të lirojë rreth 100 milionë fuçi naftë bruto ruse, sasi kjo që barazohet pothuajse me prodhimin ditor global.
Kjo është hera e dytë brenda pak më shumë se një jave që administrata e Presidentit Donald Trump tërhiqet nga sanksionet e lidhura me luftën në Ukrainë. Ky veprim shihet si një përpjekje për të zbutur çmimet e energjisë, pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit kanë paralizuar transportin përmes Ngushticës së Hormuzit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaroi të enjten se kjo është ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë në histori.
Leja vlen deri më 11 prill
Dokumenti i lëshuar nga Uashingtoni autorizon shitjen dhe dërgesat e naftës ruse që është ngarkuar në anije para datës 12 mars dhe vlen deri në mesnatën e 11 prillit 2026. Ky vendim pasqyron shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se rritja e çmimeve (mbi 100 dollarë për fuçi) do të dëmtojë bizneset dhe konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Sekretari Bessent u shpreh se masa është “afatshkurtër” dhe nuk do t’i sjellë përfitime të mëdha financiare qeverisë ruse. “Rritja e çmimeve është një ndërprerje e përkohshme, por veprimet tona do të sjellin përfitime masive për ekonominë tonë në afatgjatë,” tha ai, duke përsëritur qëndrimin e Presidentit Trump.
Përplasje me aleatët evropianë
Ndryshe nga Uashingtoni, aleatët evropianë janë shprehur kundër zbutjes së sanksioneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “tani nuk është koha për të liruar presionin ndaj Rusisë”. Po ashtu, qeveria britanike konfirmoi se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, duke e quajtur këtë një “moment kritik në agresionin rus kundër Ukrainës”.
Pezullimi i sanksioneve vjen pas një bisede telefonike mes Trumpit dhe Putinit më 9 mars, dhe një vizite të mëvonshme të delegacionit rus në SHBA, ku morën pjesë edhe emisarët e afërt të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. /Reuters/