Lajmet

Sot shpallet aktgjykimi për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot aktgjykimin për rastin e vrasjes së politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, kundër pesë personave që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon për ndihmë dhe organizim të atentatit.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Të akuzuar janë Nedelko Spasojeviq, ish-polic; Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut; Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit; Dragisha Markoviq, ish-polic, dhe Zharko Jovanoviq, ish-polic.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm dhe, gjithashtu, janë mbrojtur në liri.

Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.

Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave.

Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë – nën mbrojtjen e anonimitetit – kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt.

Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Prokuroria përfshin edhe Zhelko Bojiqin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe Zvonko Vesellinoviqin, biznesmen nga veriu i Kosovës.

Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.

Në aktakuzë, Radoiçiq dhe Vesellinoviq përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili ka planifikuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Përndryshe, Radoiçiq, pak muaj para vrasjes së Ivanoviqit, është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë.

Ai ka dhënë dorëheqje nga partia në shtator të vitit 2023, kur ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në këtë sulm ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Vrasësi dhe organizatori nuk dihen

Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të bëhet pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.

Në vitin 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën e tretë të plotësuar, pasi e para është ngritur në nëntor të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po atij viti është ngritur edhe aktakuza e dytë e ndryshuar.

Megjithatë, në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, përkatësisht janë përmendur vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo edhe autori apo organizatori i vrasjes.

Ndërkohë, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Prokuroria Speciale ka ngritur edhe një aktakuzë kundër një personi me inicialet M.M., për shkak të dyshimit se ai ka qenë edhe anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, por edhe për shkak të “pengimit të procesit gjyqësor”, “kanosjes” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Disa media në Kosovë e kanë identifikuar atë si Millan Mihajlloviq nga Leposaviqi, me pseudonimin “Pop”, i cili, pas disa muajsh në paraburgim, ka dalë nga burgu për t’u mbrojtur në liri.

Vëllai i Oliverit, Mirosllav Ivanoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në përvjetorin e gjashtë të vrasjes së tij, se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes do të mund të gjejnë qetësi vetëm kur të gjenden vrasësi dhe organizatori dhe të ndëshkohen.

Deri ku ka arritur procesi në Serbi?

Serbia ka nisur hetime të veçanta në ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2018.

Më shumë se gjashtë vjet më vonë, procesi është ende në “fazën para-hetimore”.

Zyrtarë të lartë serbë, përfshirë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë shpesh në publik se e dinë se kush e ka vratë Ivanoviqin dhe kanë dalë në mbrojtje të Radoiçiqit.

Në qershor të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme i Serbisë, Bratisllav Gashiq, aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka thënë se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe se policia serbe po e kërkon atë person nga autoritetet gjermane, “nën mbrojtjen e të cilave është”.

Gashiq ka qenë, gjithashtu, kreu i Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA).

Pasi Gjermania ka mohuar se mbron vrasësin e Ivanoviqit, Gashiq ka thënë se deklarata e tij është keqinterpretuar, përkatësisht është transmetuar pa pikëpyetjen, që do t’i kishte dhënë kuptim tjetër.

Në përvjetorin e tretë të vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2021, Vuçiq ka thënë se shërbimet serbe, prej muajsh, kanë një pasqyrë të plotë të atyre që mund të kenë pasur motiv për vrasjen dhe mund të kenë qenë të përfshirë.

Në mes të vitit 2019, ai ka deklaruar se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”. Duke iu drejtuar publikut, ai ka thënë se Millan Radoiçiq “nuk ka lidhje me këtë krim”.

Oliver Ivanoviq ka qenë udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liria Demokraci, Drejtësia” kur është vrarë.

Në fillim të vitit 2014, ai ka qenë edhe një nga kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur është ndaluar nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

Në shkurt të vitit 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës ka urdhëruar një rigjykim të Ivanoviqit, pasi, në vitin 2016, është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte kundër civilëve të Kosovës, në vitet 1999 dhe 2000.

Rigjykimi ka filluar më 24 mars të vitit 2017 dhe, më 21 prill, atij i është hequr arresti shtëpiak dhe i është lejuar të mbrohej në liri./Radio Evropa e Lirë

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 19 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

19 shtator 1994

 

The Guardian: Serbët terrorizojnë shqiptarët etnikë

 

Shtypi botëror vazhdon të shkruajë në mënyrë të gjithanshme për Kosovën dhe gjendjen e rëndë në të. Pas publikimit të një Raporti të organizatës ndërkombëtare Amnesty International për gjendjen në Kosovë, gazetat autoritative britanike “The Guardian” dhe “The Independent” në numrat e tyre të sotëm (19 shtator) sjellin dy artikuj të gjerë, në të cilët përfolet Raporti i fundit i Amnesty International i publikuar po ashtu sot.

Iën Trejnor, korrespondent i “The Guardian” nga Vjena, shkruan në artikullin e tij me titull “Serbët terrorizojnë shqiptarët etnikë” se “terrori policor serb dhe dhuna kundër shumicës shqiptare në krahinën jugore të Kosovës po ushqejnë shkallën eksplozive të tensioneve etnike në rajon”. Artikulli në vazhdim bën fjalë për raportin e publikuar sot të organizatës Amnesty International dhe citon: “Mijëra shqiptarë e kanë përjetuar dhunën policore serbe në lëkurën e vet… Rrahjet brutale me kërbaç janë forma të zakonshme të dhunës, ndërsa edhe shoku elektrik përdoret shpesh”. “The Guardian” shkruan se “derisa kryetari serb Slobodan Milosheviq, autor i luftërave në Bosnjë dhe në Kroaci, pret zbutjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Serbisë si shpërblim për ‘rolin e tij konstruktiv’, dhuna policore në Kosovë vazhdon papengueshëm”.

Në vazhdim të artikullit në “The Guardian” jipen dëshmi të Amnesty International për dhunën serbe në Kosovë. “Inspektorët e policisë shprehin urrejtje etnike ndaj viktimave të tyre. Një rast në veçanti brutal ishte ai kur një polic gdhend një simbol serb në gjoksin e një shqiptari 18-vjeçar”. Në raportin e Amnesty International thuhet se “policia serbe ka vrarë një amvise shqiptare, derisa po qëndronte në ballkonin e saj në Deçan.

“Marrëdhëniet ndërmjet komunitetit shqiptar, i cili numëron 2 milionë në Kosovë dhe autoriteteve serbe kanë qenë të tendosura me dekada. Tendosja është rritur në mënyrë dramatike nga fundi i viteve ’80, kur Milosheviqi përdori çështjen e Kosovës për të ngjallur nacionalizmin serb. Milosheviqi ka bllokuar përpjekjet ndërkombëtare për përfshirjen e Kosovës në negociatat për ish-Jugosllavinë. Vitin e kaluar ai përzuri ekipin vëzhgues të KSBE-së”.

Në fund artikulli bën fjalë për mundësinë dhe gjasat e një dialogu shqiptaro-serb dhe transmeton shtypin e Beogradit të ketë cituar kryetarin Rugova “se është i gatshëm të bisedojë me Milosheviqin”, por kërkesa e tij për ndërmjetësimin e palës së tretë në këto bisedime do të refuzohet nga Milosheviqi, i cili këmbëngul se Kosova është një çështje e ‘brendshme e Serbisë'”.

Gjithnjë në këtë frymë, edhe artikulli me titull “Amnesty dënon terrorin në Kosovë” i botuar në “The Independent” të sotëm (19 shtator) denoncon, në saje të Raportit të fundit të Amnesty International-it, dhunën e autoriteteve serbe në Kosovë.

“Autoritetet serbe e kanë shtuar në mënyrë të ndieshme shtypjen e shqiptarëve etnikë në krahinën jugore të Kosovës gjatë këtij viti”, thuhet në artikull, i cili në vazhdim citon pjesë të Raportit të Amnesty International-it, të cilat në mënyrë ekzemplare pasqyrojnë dhunën serbe në Kosovë.

“Amnesty beson se policët serbë janë posaçërisht të vrazhdë gjatë bastisjeve për armë në shtëpitë shqiptare… Ato janë shtuar në mënyrë dramtike gjatë vitit të kaluar… Bastisjet për armë janë të përditshme, ndonëse shqiptarët kanë hequr dorë nga përdorimi i forcës në lëvizjen e tyre për vetëvendosje”, thuhet në mes të tjerash në artikullin e Toni Barberit në “The Independent”.

19 shtator 1995

 

Kolonët ngrisin tensionin në Ferizaj

 

Më 18 shtator, duke filluar nga ora 19:00 e deri në orët e pasmesnatës, nga kazerma ushtarake e Ferizajt, janë vërejtur lëvizje të mëdha të automjeteve dhe qytetarëve serbë. Gjatë kësaj kohe ata këndonin këngë shovene raciste e sidomos antishqiptare, duke fyer posaçërisht personalitetin e nënës shqiptare si dhe kryetarin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës dhe atij të Shqipërisë dr.Sali Berisha, njofton KI i Degë së LDK-së në Ferizaj.

Gjatë kësaj kohe, policia serbe vetëm qëndroi anash dhe nuk ndërmorri asgjë ndaj veprimit të grupit të qytetarëve serbë, që përbëhej nga kolonë dhe nga serbë vendës dhe ndaloi e maltretoi shqiptarët, të cilët kalonin me vetura nëpër atë pjesë të qytetit.

Po ashtu, edhe më 19 shtator, në kazermën ushtarake serbe në Ferizaj janë vërejtur lëvizje të qytetarëve serbë.

Ndërsa sot ata nga kazerma dolën edhe të armatosur me rroba civile dolën nëpër qytet deri rreth orës 12:00.

Provokimet e djeshme dhe të sotshme si dhe informata e djeshme për ekzistimin e një grupi të “paramilitarësh”, kanë shkaktuar pezm dhe shqetësim tek popullata shqiptare dhe tërheqin vëmendjen për ndonjë ekces më të madh të mundshëm.

Ndërsa nga palestra sportive “Rinia” në Ferizaj, mirret vesh se gjatë javës së kaluar, kolonët serbë janë transferuar në lokacione të tjera në qytet, si në lokalet e shkollës së mesme “Zenel Hajdini”, në hotelin “Luboteni”, në barakat e punëtorëve, etj., njofton KI i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Nga Ferizaji janë larguar 5 kolonë të pakënaqur me kushtet dhe kanë shkuar në Maqedoni.

Bëhet me dije se në Ferizaj po mbahet edhe një grup i paramilitarëve serbë nga Kroacia.

Sipas disa shënimeve mund të konkludohet se deri tash në Ferizaj janë vendosur 185 kolonë serbë, ndërkohë që organet e instaluara serbe deklarohen se janë të gatshëm të pranojnë edhe 100 kolonë të rinj.

 

 

 

19 shtator 1997

 

Në Baballoq të Deçanit u vendosën 122 familje refugjatësh serbë nga Shqipëria

 

Dje në lokalitetin Baballoq afër Deçanit u vendosën 122 familje refugjatësh serbë nga Shqipëria. Atje kishte shkuar vetë ministri serb i të ashtuquajturës federatë serbo-malazeze, Mirosllav Ivanisheviq, për t’ua dorëzuar çelsat. Ai u kishte premtuar refugjatëve të tjerë serbë se do të ndërtohet një lokalitet i ri me 66 shtëpi.

Krahas shtëpive në pronësi të përhershme, refugjatët serbë kanë marrë edhe dy deri më katër hektarë tokë të uzurpuar nga regjimi serb.

 

 

19 shtator 1998

 

 

Podujevë: Nuk dihet për fatin e së paku 9 vetave

 

Pas sulmit mbi fshatin Dobratin të Podujevës, prej ku forcat serbe granatuan edhe fshatrat e Shalës së Bajgorës, në fshat u gjetën dy të vrarë, Fetah Sefer Behrami (i masakruar) nga Kaçanolli dhe Maksut Islam Rekaliu nga Dobratini.

Fshati gjithashtu është dëmtuar në masë shumë të madhe, janë plaçkitur e janë djegur shtëpitë.

Por, përmasat e plota të këtij sulmi ende nuk dihen, pasi deri tash nuk ka njoftime për fatin e disa banorëve.

Sipas njoftimeve të KI të Degës së LDK-së në Podujevë, nuk dihet për fatin e Jashar Fetah Behramit (26), Ramadan Behramit (60), Muhamet Fazliut (36), Rrahim Ramadanit (16), Ejup Sejdiut (36), Beqir Lepajës (26), Rrahim Lepajës (28), Haki Rekaliut (35) dhe Xhafer Ajvazit.

Nuk dihet gjithashtu as për fatin e tetë fëmijëve të tjerë të të ndjerit Fetah Behrami, të cilit edhe i është djegur shtëpia.

 

 

Shtime: 23 të vrarë, 20 të plagosur, 11 fshatra të djegura

 

Gjatë ofensivës së forcave serbe në fshatrat e Shtimes, që nga 14 qershori e deri sot, janë vrarë 23 shqiptarë dhe janë plagosur 20 të tjerë.

Sipas shënimeve të KI të Degës së LDK-së në Shtime, janë vrarë:

Sabri Ahmeti (65), nga Carraleva, i vrarë më 17 qershor, Nesret Abazi (22), nga Belinci, i vrarë më 25 korrik, Ruzhdi Salihu (34) nga Zborci, i vrarë më 26 korrik, Osman R. Halimi (48), nga Belinci, i vrarë më 30 korrik, Feriz Sabit Xhema (37) nga Carraleva, i vrarë më 27 korrik, Xhemë Sabit Xhema (45), nga Carraleva, i vrarë më 9 gusht, Selim Rexhepi (85), nga Petrova, i vrarë më 2 gusht, Arsim LimanHysenaj (15) nga Petrova, i vrarë më 10 gusht, Mejreme Liman Hysenaj (2), nga Petrova, e vrarë më 10 gusht, Haki Ilazi (85), nga Zborci, Skënder Salihu (25) nga Mollopolci, Jalldyze Asllani (65), Halide Asllani (37), Ajshe Asllani (27), Burim Asllani (13), Lumni Asllani (11), Ejup Asllani (9), Luljeta Asllani (7), Shpend Asllani (5), Xhafer Asllani (3), Antigona Asllani (1), Albiana Asllani (6-muajshe), të gjithë nga fshati Rancë dhe të vrarë më 23 gusht, si dhe Zeqir Asllani (95) nga fshati Rancë, i vrarë më 29 gusht.

Janë plagosur: Isak Asllani (40), Musa Asllani (27), Bekim Asllani (20), Mevlude Kadriu (47), Nazmi Dauti (28), Sabit Nuredini (33), Ibrahim Ibrahimi (47), Haxhi Komorani (53), Bedri Maksuti (21), Arsim Hasami (20), Mehdi Limani (39), Zaim Selmani (36), Nesret Zymeri (12), Ajshe Pajaziti (17), Nexhmije Hysenaj (47), Fatmir Duga (15), Halit Luma (13), Bujar B. Beqaj (15), Abedin Beqaj(12), Osman Guri (60).

Po gjatë kësaj periudhe në fshatrat e kësaj komune janë djegur 11 fshatra, janë granatuar 6, në të cilat janë djegur 799 e janë granatuar 379 shtëpi.

Nga fshatrat e sulmuara të kësaj komune janë zhvendosur 14.200 banorë.

Continue Reading

Lajmet

Protesta në Prishtinë vazhdon edhe në mbrëmje kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Mijëra qytetarë po vazhdojnë të qëndrojnë në sheshet e Prishtinës edhe gjatë orëve të mbrëmjes, në shenjë proteste kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e organizuar nga OVL-UÇK pason aktgjykimin ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Pjesëmarrësit po vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Policia e Kosovës po vazhdon të jetë prezente në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa situata në kryeqytet po vijon e qetë dhe pa incidente.

Continue Reading

Lajmet

United Hospital hap dyert për ekspertizën ndërkombëtare: Dr. Yoel Har Even sjell përvojën e tij në radiologji

Published

on

By

United Hospital po zgjeron bashkëpunimin me profesionistë ndërkombëtarë me përvojë dhe reputacion të afirmuar në fushën e mjekësisë, me synim forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe ngritjen e mëtejshme të standardeve të shërbimeve shëndetësore.

Në kuadër të kësaj qasjeje, United Hospital ka pritur sot Dr. Yoel Har Even (Ph.D), figurë e njohur në mjekësinë ndërkombëtare dhe në menaxhimin e krizave shëndetësore. Sipas njoftimit të spitalit, raporti i tij me Kosovën daton që nga misionet e para mjekësore humanitare, ndërsa tashmë ai shpreh interesimin për të kontribuar edhe në vend si mjek radiolog.

Vizita në ambientet e United Hospital u përqendrua në diskutime profesionale lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve diagnostikuese, aplikimin e praktikave bashkëkohore në radiologji dhe iniciativat e ardhshme të institucionit.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor, kur Dr. Har Even do t’i bashkohet sërish ekipit të United Hospital në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit.

Gjatë kësaj periudhe, eksperienca e tij profesionale pritet të vihet në shërbim të aktiviteteve që synojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta.

United Hospital

Hapja e dyerve për kuadro ndërkombëtare me përvojë të dëshmuar paraqet një tjetër dimension në strategjinë e United Hospital për të sjellë ekspertizë të specializuar dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me profesionistë të mjekësisë nga jashtë Kosovës.

Me këtë qasje, institucioni synon që njohuritë dhe përvojat e ekspertëve ndërkombëtarë të ndërthuren me kapacitetet e stafit vendor, duke kontribuar në zhvillimin e shërbimeve moderne diagnostikuese dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt pacientit.

United Hospital e përmbyll mesazhin e tij me një thirrje për më shumë kujdes, parandalim dhe ndërgjegjësim për shëndetin.

Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70
Lokacioni: M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Kosova drejt Koresë së Jugut: Ekipi i UBT-së përfaqëson vendin në garën botërore të robotikës FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Kanë mbetur edhe pak ditë kur ekipi i Kosovës do të niset për të përfaqësuar vendin në skenën botërore të robotikës. Në mesin e ekipeve më të mira nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon të Koresë së Jugut, nga 7 deri më 10 tetor, me temën “Igniting Innovation”. Kjo temë sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e zjarreve të egra dhe ndikimit të tyre në natyrë, biodiversitet e komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës i është besuar ekipit të UBT-së, i cili përbëhet nga gjashtë nxënës: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj.

Duke folur për përgatitjet intensive teknike e strategjike që po bëhen, mentorja e ekipit Elita Hajrizi theksoi përkushtimin e nxënësve.

“Ekipi ka filluar me përgatitjet që prej qershorit dhe përgatitjet e fundit po vazhdojnë edhe këtë javë. Që nga fillimi, ekipi ka treguar një angazhim, vullnet e pasion të madh për punën dhe besoj shumë se rezultatet e kësaj pune do të shihen edhe në garë në Kore. Sigurisht, synimi ynë kryesor është përfaqësimi i denjë i Kosovës dhe fitorja është pjesë e këtij synimi”, shprehet Hajrizi.

Përfaqësimi i këtij edicioni vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në edicionin e kaluar në Panamá, ku Elita Hajrizi u vlerësua me çmimin “Best Mentor” në nivel botëror. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, UBT vazhdon të mbetet lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM dhe në promovimin e potencialit të të rinjve kosovarë në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Të kërkuara