Vetëm një ditë para seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, pozitë që i takon sipas rezultatit zgjedhor.

Seanca pritet të mbahet nesër, e martë, më 15 prill në ora 10:00, ndërsa rendi i ditës përmban katër pika kryesore.
Fillimisht, do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur. Më pas do të bëhet betimi i deputetëve të rinj.
Punimet e seancës, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, do të drejtohen nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari nga Vetëvendosje, i asistuar nga deputetja më e re në moshë, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është paraparë si pika e tretë e rendit të ditës, ndërsa më pas do të bëhet edhe zgjedhja e nënkryetarëve, të cilët së bashku me kryetarin do të përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.
Ish-shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se partisë së saj i mungojnë dy vota për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh. Ajo ka thënë se përfshirë tri votat e Nismës Socialdemokrate, Vetëvendosje do të ishte afër shumicës, dhe se Fatmir Limaj ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, por marrëveshja nuk është finalizuar ende.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.3% të votave dhe ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Kjo nuk është e mjaftueshme për të formuar vetë qeverinë, ndaj janë të nevojshme koalicione. Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë dhe ka ftuar në konsultime edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ka refuzuar ftesën.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve, PDK ka siguruar 24 deputetë, LDK 20, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka 8 ulëse në Kuvend.